/ATSH-AFP/ - Prodhimi i naftës në Arabinë Saudite arriti në 10,3 milionë fuçi në ditë gjatë muajit mars, niveli i saj më i lartë në më shumë se 13 vjet, njoftoi sot ministri saudit i Naftës, Ali al-Naimi.
"Prodhimi i mbretërisë saudite është i qëndrueshëm me një mesatare ditore prej 10,3 milionë fuçi në muajin mars",deklaroi ministri.
Ky nivel është më i larti që nga vënia e sistemit të llogaritjes së prodhimit bruto në janar të 2002 nga Forumi Ndërkombëtar i Energjisë, me seli në Riad.
Prodhimi në mars i Arabisë Saudite është më i madh se ai i muajit shkurt me 500 000 fuçi në ditë.
Ky prodhim u regjistrua në momentin kur Arabia Saudite kërkon të ruajë pjesën e saj të tregut në një kohë kur çmimet janë në rënie.
Naimi tha se pret një vazhdimësi të prodhimit të Arabisë Saudite me rreth 10 milionë fuçi në ditë dhe parashikoi një përmirësim të çmimeve.
Ai gjithashtu tha se vendi i tij, një pikë shumë e rëndësishme në OPEC dhe eksportuesi më i madh në botë, është i gatshëm të ndihmojë në rivënien e çmimit aty ku duhet dhe për këtë ka nevojë për bashkëpunimin e vendeve që bëjnë pjesë në OPEC dhe të atyre joanëtare.