Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj është zgjedhur zv. President i Bordit të Guvernatorëve të BERZH.

Votimi u zhvillua gjatë punimeve të Takimit Vjetor të Bordit të Guvernatoreve dhe Forumit të Biznesit të BERZH në Jordani.

Takimi vjetor i BERZH kishte në fokus investimet e Bankës në vendet ku operon dhe perspektiva e zgjerimit në rajonin e Afrikës Sub-Sahariane.

Ahmetaj tha se ekonomia shqiptare është në vitin e katërt të përshpejtimit të rritjes me 3.8% dhe se përpjekjet për konsolidim fiskal dhe rritja ekonomike, kanë qenë faktorë përcaktues për krijimin e vendeve të punës dhe uljen e pabarazisë.

Sipas ministrit të financave papunësia tek të rinjtë në Shqipëri është më e ulëta në rajon.

“Ne vleresojmë rolin e BERZH në Shqiperi në një sërë projektesh të rëndesishme në infrastrukturë, energji, në klimën e biznesit dhe financimin në bujqësi. Bypasset e Fierit dhe Vlorës dhe hekurudha Tiranë-Durrës me mbështetjen e BERZH, janë investime tejet të rëndësishme për përmiresimin e infrastrukturës” - tha Ahmetaj.

Ahmetaj mbështeti propozimin e Bordit të Guvernatorëve të BERZH për të eksploruar mundësite e shtrirjes në vende të reja në rajonin e Afrikës Sub-Sahariane.