Arben Golemi: Drejtori Topi mashtron
për çmimin e pikturave të Mios

Arben Golemi: Drejtori Topi mashtron<br />për çmimin e pikturave të Mios
TIRANË - Grabitja e 61 veprave në pikturë nga galeria e arteve “Guri Madhi” në qytetin e Korçës, ku ndër to zhduken edhe 27 veprat e Vangjush Mios ka bërë që të reagojnë vazhdimisht artistët më të njohur shqiptar. Një ndër ta, piktori dhe koleksionisti i njohur, Arben Golemi, pasi u pyet nëse është e saktë vlera e deklaruar e veprave të Mios nga drejtori i Galerisë Vladimir Topi, që tha se “kushtojnë nga 10 000 deri në 30 000 dollarë”, thotë se nuk është e vërtetë. “Vlera e Mihos nuk është ajo e deklaruara. Në Shqipëri janë piktorë me më pak talent, shumë të pakrahasueshëm me Mion që shiten me vlera shumë të larta”, pohon Golemi për Shqiptarja.com. Ai ka shtuar se “Zakonisht kur shkon në qendrën e regjistrimit të veprave të artit çon pasaportën e pikturave dhe këto piktura të përmbledhura në një ekspozitë e me 20 ose 30 vepra arti për çudi qenkan ndonjëherë edhe lira për të kaluar kufijtë me arsyetimin që nuk përbën vlerë kombëtare. Unë shtroj pyetjen kush përbën vlerë kombëtare, nëse nuk përbënë vlerë kombëtare ekspozita e një piktori të njohur”, pyet Golemi. Sipas Golemit ka të paktën 15 vjet që është ngritur qendra e regjistrimit, dhe aty del qartë mashtrimi nëse veprat janë çertifikuar në qendrën e regjistrimit të veprave të artit.


Zoti Golemi, si piktor dhe koleksionist i njohur, vlera e deklaruar e veprave të vjedhura të Mihos, a është dhënë e saktë nga drejtori i Galerisë “Guri Madhi” në Korçë. Thuhet 10 000 deri në 30 000 dollarë?
-Vlera e Mihos nuk është ajo e deklaruara. Në Shqipëri janë piktorë me më pak talent, shumë të pakrahasueshëm me Mihon që shiten me vlera shumë të larta. Por ne biem në nivele të tilla që të sulmojmë ose të shkelim me këmbë autoritetet e larta. Është e lexueshme kjo si tek sulmet që i bëjmë Kadaresë e të tjerëve. Por kjo duket edhe tek tendencat tjera fyese për piktorët shqiptarë dhe për kulturën shqiptare.


Ku regjistrohen veprat e artit dhe cili është kriteri për të marrë vlerësimin si të tilla?
-Zakonisht kur shkon në qendrën e regjistrimit të veprave të artit çon pasaportën e pikturave dhe këto piktura të përmbledhura në një ekspozitë e me 20 ose 30 vepra arti për çudi janë ndonjëherë edhe lira për të kaluar kufijtë me arsyetimin që nuk përbën vlerë kombëtare. Unë shtroj pyetjen kush përbën vlerë kombëtare, nëse nuk përbënë vlerë kombëtare ekspozita e një piktori të njohur. Këtu fillon e gjithë historia e këtyre grabitjeve dhe abuzimeve dhe rrjedhimisht nuk u duket ndonjë gjë e madhe disave që kanë humbur tridhjetë vepra të Vangjush Mios. Nuk i duhet çudi e madhe as shtetit që i bën organizimet kështu.

Ka qëndrime abuzive sipas jush nga galeritë private?
-Problemi nuk është tek tendenca për abuzime e këtyre galerive. Është se kemi institucione fiktive komode ku emërojnë disa njerëz dhe një pjesë të mirë të galerive të arteve punojnë njerëz që marrin një rrogë koti dhe nuk kanë asnjë lidhje me artet.

A do të ishte mirë që galeritë në rrethe të konsiderohen galeri kombëtare?
-Ministria dhe ligji i ka ndarë mirë galeritë kombëtare dhe ato të rretheve. Por historia është e tillë që ngrihet gjithë shteti në këmbë, nëse humbte në ikonë, por për pesë piktura ose 30 piktura të Vangjush Mios dhe të Sali Shijakut ose të Hasan Nallbanit nuk lëviz njeri nga vendi, dhe nuk ka asnjë reagim nga institucionet e shtetit. Por unë ju siguroj se një pikturë e Hasan Nallbanit është shumë më me vlerë se ikonat të trashëguara. Pse mbrohet vlera e ikonave më tepër. Kjo ka ndodhur për faktin se duke ekzistuar Instituti i Monumenteve të Kulturës ka pasur një propagandë dhe një përkujdesje dhe kjo është e natyrshme, kurse për veprat e artit të piktorëve dhe skuptorëve shqiptarë asnjëherë nuk është bërë një propagandë e nevojshme. Janë propaganduar vlerat e realizmit socialist tek Galeria Kombëtare e Arteve dhe padyshim që kanë bërë një punë të mirë, siç i takon një galerie kombëtare. Por të gjitha veprat apo vlerat e artistëve të vjetër që i morën në kujdesje galeritë nëpër rrethe kanë shkuar drejt një shkatërrimi të plotë.

Pse nuk ka një politikë ruajtëse?
-Sepse ka të paktën mbi dhjetë apo 15 vjet që është ngritur qendra e regjistrimit, dhe aty del qartë se veprat janë çertifikuar në qendrën e regjistrimit të veprave të artit
Si të thuash është një politikë e detyrueshme dhe jo detyruese. Në qoftë se i vendos te galeria kombëtare veprat garantohen, ndërkohë që në galeritë e Beratit apo në Korçës edhe pse janë të regjistruara veprat, ato nuk janë të garantuara për sa i përket ruajtjes së tyre. Psh, njeriu që do ta vjedhë galerinë arteve në Berat, me një çelës kopil mund të hap galerinë. S’ka as roje as survejim. S’ka të bëjë kjo me kombëtare ose jo kombëtare. Dihet se në çdo galeri të vendit ka vepra të rëndësisë kombëtare.

Po 30 piktura të regjistruara dhe të humbura pastaj janë shumë, janë 60 madje?
-Uroj të kenë ngelur në rrjetin e koleksionistëve të veprave të artit. Nuk ka rëndësi se koleksionisti i blen lirë apo shtrenjtë.
Do jetë fat i madh që një pjese e veprave të Mios të kenë ngelur në rrjetën e koleksionistëve të artit se do të kenë shpëtuar.

Kështu e mendon fatin e këtyre të grabiturave?!
-Shpresoj të jenë në Shqipëri. Normalisht ata që i kanë blerë ndoshta i kanë blerë nga ata që i kanë vjedhur. Por duhet të venë t’i çertifikojnë, kjo është më e mira. Normale është të çertifikohen, të botohen të shikohen, të bëhen të vlefshme për publikun.

Sa i madh është dëmi i humbjes së veprave të Mihos në Korçë?
-Edhe në aspektin turistik qytetit të Korçës i është bërë një sulm i ashpër, janë marrë 60 vepra të rëndësishme të korifejve të artit shqiptar. Ç’është kjo, ky hyn kjo punë. Pse s’kanë qenë të ekspozuara 30 vepra të Vangjush Mios në muze, ku shikon se po mungoi qoftë edhe njëra, jep alarmin. Pikturat nuk kanë qenë të ekspozuara, por janë zbuluar si zhdukje gjatë inventarit. Është gjëja me lehtë në botë t’ia hedhësh fajin policisë, pasi t’i vjedhin mirë, pasi t’i zhdukin mirë këta thonë ah nuk i gjeti policia. Doli nga inventari në magazinë se mungonin. Pra nuk u bë një grabitje e menjëhershme, bëhet fjalë për dhjetë vjet grabitje, mund të jenë grabitur në mënyrë të ngadalshme dhe të jenë tregtuar. Ka 100 mënyra për t’i eliminuar në këtë mënyrë. Vajza e Mios me një të drejtë morale absolute duhet të ngrejë zërin dhe të kërkoj nga shteti ruajtjen e veprave të artit, mosperbaltjen e figurës së babait. Duhet të kujtojmë se Vangjush Mios i janë vjedhur 50 vepra arti. Shumë vite më parë i janë vjedhur edhe 20 vepra të tjera në shtëpinë e tij muze. Skandaloze 50 vepra të Mihos duhet të mbajnë gjallë edhe turizmin e Korçës.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale