Në pamje të parë, pyetja duket e thjeshtë. I pari ka shtetin, i dyti ka paratë. I pari firmos ligjet, i dyti mund të ndikojë tek ata që i shkruajnë.

Por në demokracitë e brishta, kufiri mes të dyve bëhet aq i hollë, sa shpesh është e vështirë të kuptosh kush e përdor tjetrin.

Politika ka pushtetin e vendimit, ndërsa ekonomia ka pushtetin e kapitalit. Politika mund të krijojë rregullat e lojës, ndërsa kapitali mund të përcaktojë se kush përfiton prej tyre.

Në demokracitë e brishta ky lloj kufiri  është i rrezikshëm, pasi paraja blen politikën dhe korrupsioni është galopant.

Politika krijon pasuri për njerëzit e afërt me të, thënë ndryshe, ndërton klientelizmin.

Dhe kur të dyja bashkohen dhe fillojnë ta përdorin shtetin si instrument për interesat e tyre, atëherë shteti është kapur.

Në Shqipëri, flitet 24 orë në ditë për "oligarkët" dhe fuqinë e biznesit mbi politikën.

Ndërkohë pyetja duhet shtruar ndryshe.

A janë biznesmenët aq të fuqishëm sa blejnë politikën apo politika është aq e fuqishme sa prodhon dhe ushqen biznesin e saj?

Në një treg normal, fiton ai që konkurron më mirë. Në një sistem klientelist, fiton ai që ka akses më të mirë.

Nuk mjafton të kesh kapital. Duhet të kesh hapur derën e duhur.

Nuk mjafton të kesh një projekt. Duhet të njohësh njeriun që firmos.

Nuk mjafton të kesh dëshirën. Duhet edhe të mbushësh xhepat e duhur.

Dhe kështu lind një ekonomi ku konkurrenca zëvendësohet nga afërsia, ndërsa shteti nga arbitër bëhet ndërmjetës i interesave.

Por cili pushtet duhet të jetë më i fuqishëm?

As politika, as paraja.

Më i fuqishëm duhet të jetë ligji.

Politika duhet të ketë aq fuqi sa të mbrojë interesin publik, por jo aq sa të përdorë shtetin për të shpërblyer miqtë dhe ndëshkuar kundërshtarët.

Biznesi duhet të jetë aq i lirë sa të prodhojë pasuri, por jo aq i fuqishëm sa të blejë ligjin.

Dhe mbi të dyja duhet të qëndrojë qytetari i mbrojtur nga ligji.

Sepse politikani e merr pushtetin nga vota, biznesmeni nga kapitali, por asnjëri nuk duhet të bëhet pronar i shtetit.

Nëse politika dhe paraja bëhen një trup i vetëm, qytetari mbetet jashtë çdo vendimmarrjeje të pushtetit.

Dhe, kur shteti humbet qytetarin, demokracia shndërrohet në një treg ku shitet pushteti dhe blihet ndikimi.