Vjen një çast në çdo histori politike kur metaforat fillojnë të duken më të vërteta se vetë realiteti.

“Me lëkurët e vjetra nuk bën dot këpucë të reja!” nuk është thjesht një metaforë, por fakt. Qoftë edhe kur bëhet fjalë për “kilometrin e fundit”!

Dhe, aktualisht në Shqipëri, fakti po refuzohet me kokëfortësi.

“Kilometri i fundit” i kujt? I një gare që nuk ka nisur kurrë? Apo i një rruge që është bërë vetëm për t’u kthyer mbrapsht? Këtu nuk kemi më të bëjmë me finish, por me një marshim të pafund në vendnumëro.

Ky “kilometri i fundit” është bërë streha e fundit e atyre që nuk kanë më asgjë për të ofruar përveç lodhjes së tyre; është gënjeshtra e fundit e një politike që ka mbaruar prej kohësh. Është një premtim pa përmbajtje, një alibi për të shtyrë edhe pak protagonizmin në skenë ndërkohë që spektatorët dhe aktorët e tjerë kanë kohë që janë larguar. Ndërkohë problemi nuk është sa kilometra kanë mbetur, por me çfarë mjeti po ecën. Me çfarë këpucësh.

Dhe kur mjeti është i amortizuar, apo këpucët janë të vjetra, çdo metër shtesë është thjesht zvarritje dhe mundim.

Politika shqiptare ka një obsesion të çuditshëm me riciklimin. Figura të konsumuara, narrativa të lodhura, konflikte të stërpërsëritura; të gjitha paketohen si “përvojë” dhe shiten si garanci për të ardhmen. Në fakt, janë thjesht lëkurë e vjetër që mundohet të marrë formë të re.

E theksoj: politika shqiptare është kthyer në një punishte këpucësh të përdorura. Të njëjtët mjeshtra, të njëjtat lëkurë, e njëjta erë myku që mbulohet me parfum propagande. Dhe shqiptarëve u kërkohet të besojnë se kjo është rilindje, reformë, apo ringritje. Në fakt është riciklim i dështimit. Shqiptarët nuk kanë më nevojë për këpucë që duken të reja; ka nevojë për një rrugë që nuk e njeh më baltën e së shkuarës.

Ironia më e madhe është se ata që flasin për “kilometrin e fundit” janë pikërisht ata që kanë vite që rrethrrotullohen. Ata që flasin për sakrifica në “kilometrin e fundit” janë pikërisht ata që kanë konsumuar çdo kilometër të mundshëm të këtij vendi, politikisht, ekonomikisht, moralisht. Nuk kanë më çfarë të japin, por kërkojnë edhe pak kohë. Edhe pak durim. Edhe një shans të fundit…, që gjithmonë rezulton të jetë thjesht një tjetër fillim i së njëjtës histori.

Ndërkohë, Shqipëria nuk e ka më luksin të presë derisa dikush të lodhet nga vetvetja.

Dhe vendi mbahet peng nga kjo farsë e pafund.

Dhe çështja nuk është vetëm se lëkurat janë të vjetra. Problemi është se ata që i përdorin nuk kanë as vullnetin, as interesin për të bërë diçka të re. Ata nuk duan këpucë të reja. Duan vetëm të vazhdojnë të ecin mbi ne me të vjetrat duke i lustruar, duke u ndërruar lidhëset, duke i shitur si model i fundit..

E vërteta është e thjeshtë dhe pse e pakëndshme: rinovimi nuk vjen nga ripërdorimi i të njëjtëve njerëz me të njëjtat ide. Nuk vjen nga retorika e konsumuar që maskohet si këmbëngulje. Vjen nga distancimi i qartë me të shkuarën.

Në fund të fundit, nuk është çështje këpucësh, por çështje rruge. Çdo hap i mëtejshëm me këto këpucë të vjetra nuk është progres, por thellim i gropës ku kemi ngecur.

Dhe me lëkurë të vjetër, jo vetëm që nuk bën dot këpucë të reja, por rrezikon të mbetesh zbathur në një rrugë që kërkon hapa të rinj, njerëzish të rinj me këpucë vërtet të reja.