Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka inspektuar ditën e sotme Pikën e Kalimit Kufitar Morinë dhe më pas aeroportin ndërkombëtar “Zayed Flatrat e Veriut”, në Kukës. Ardi Veliu gjatë inspektimit ka kërkuar që të ofrohet shërbim cilësor ndaj turistëve, pasi kjo është pika e parë e kontaktit të të huajve me vendin tonë.
“Kryeni detyrën me përkushtim, ndershmëri dhe etikë me qytetarët, duke iu ofruar shërbim cilësor e ligjor, pasi jeni kontakti i parë që marrin turistët kur hyjnë në vendin tonë, ndaj duhet të jemi shembull në komunikim e veprim në zbatim të kuadrit ligjor dhe të masave lehtësuese që Policia e Shtetit ka marrë në kuadër të sezonit turistik", - tha Veliu.
Në fokusin e inspektimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ishin krijimi i lehtësirave ligjore për hyrjen e turistëve dhe pushuesve, rritja e cilësisë së shërbimit në PKK Morinë dhe në aeroportin e Kukësit, si dhe intensifikimi i kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Në Morinë, Drejtor Veliu ka parë nga afër kontrollin e përbashkët të Policisë Kufitare dhe asaj të Kosovës, aplikimin e procedurës së përshpejtuar, me qëllim eliminimin e vonesave, të cilat shpeshherë kanë sjellë radhë të gjatë në hyrje e në dalje në Morinë. Ai ka përgëzuar punonjësit e Policisë Kufitare dhe ata të Policisë kosovare, për bashkëpunimin mjaft të mirë mes tyre, çka ka sjellë lehtësim akoma më shumë dhe shërbim akoma më cilësor për pushuesit, turistët dhe gjithë qytetarët që përdorin Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës.
Më pas, Drejtori ka zhvilluar një takim të shkurtër me drejtuesit e DVP Kukës, të cilëve iu ka kërkuar angazhim maksimal për krijimin e një ambienti sa më të sigurt gjatë sezonit turistik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, parandalimin dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, si dhe rritje të cilësisë së shërbimit.