Kokaina nga Ekuadori dhe grupet kriminale në Elbasan/ Ardi Veliu 'dush të ftohtë' drejtuesve: Këto 9 muaj ka rënë besimi te policia

ELBASAN-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka "zbarkuar" në Elbasan ku ka zhvilluar një takim me strukturat e larta të kësaj drejtori.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije për gazetarin e Report Tv, Aldo Kozarja se Veliu ka folur me tone të ashpra, për shkak të pakënaqësisë së punës në disa sektorë në Drejtorinë e Elbasanit. Referuar po të njëjtave burime, mësohet se ai u ka kërkuar vartësve të tij që të intesifikojnë punën për të luftuar grupet kriminale si dhe atë kundër narkotikëve dhe korrupsionit, pasi sipas tij policia ka humbur besimin këto 9 muaj. 

Ky takim vjen pak ditë pasi u kap një sasi prej 137 kg kokainë në portin e Durrësit, ku u mësua se destinacioni final do të ishte qyteti i Fierit dhe Elbasanit. Dy grupe kriminale mjaft të fuqishme dhe me ndikim të madh në këto dy qytete, dyshohet se kishin porositur sasinë e kokainës nga Ekuadori.

Ndërkohë, në një hark kohor shumë të shkurtë, një tjetër sasi prej 617 kg e pastër u sekuestrua në Brazil, ku dyshohej se destinacion ishte pikërisht Shqipëria pasi në pakot e drogës që ishin futur në një kabinë të dyfishtë të një kamioni ishte shkruar “K.F. Elbasani”, stema e ekipit të futbollit të këtij qyteti, megjithatë një gjë e tillë u mohua nga vetë presidenti i klubit, Arben Laze.

B.K./Shqiptarja.com
Komento