Ardian Isufi ofron Big Bang-un për
skandalin e Bankës

Ardian Isufi ofron Big Bang-un për<br />skandalin e Bankës
TIRANE- Piktori Ardian Isufi do të riekspozojë një vepër arti, që sipas tij në mënyrë metaforike do të kujtojë grabitjen që është bërë në Bankën e Shqipërisë. Shija e keqe e këtij akti të rëndë tashmë ka ndikuar edhe tek artistët e njohur. Isufi për të shprehur ndjesinë publike të këtij akti të rëndë sugjeron skulpturën e tij të njohur, e cila ka qenë pjesëmarrëse edhe në bienale të ndryshme, “Big Bang”-un. Me sa duket, artisti nuk ka pasur ide për ndonjë vepër më origjinale që t’i përgjigjet rastit në fjalë.

Ai ka menduar ta ironizojë skandalin me veprën e hershme, të cilën ka menduar ta vendosë përballë Bankës së Shqipërisë e Teatrit të Kukullave “si ironi për vjedhjen që iu bë shqiptarëve”. Në fakt, njohës të veprave të artit kanë pritur diçka më shumë nga artisti. Ata janë shprehur pas publicitetit që i ka bërë kësaj vepre se “veprat lindin në kontekstin e kohës dhe hapësirës, dhe si të tilla kanë kuptimin e momentit kur janë bërë. Një vepër arti lind, rritet ne kontekstin social të momentit.

Dihet se kjo vepër ka lindur vite më parë. Pse duhet të ekspozohet në kontekstin e këtij skandali”. Isufi rrëfen se është frymëzuar për këtë ide nga italiani Maurizio Cattelan..!, që vendosi veprën e tij përballë bursës në Milano si ironi për nëpunësit dhe njerëzit qe menaxhojnë paranë, e që shkaktuan krizën globale ekonomike. Artisti pretendon ta çojë kërkesën e tij në dyert e institucioneve në mënyrë që kjo skulpturë të shërbejë si kujtesë për grabitjen e Bankës. “Duket pak zhgënjyese ideja e Isufit. Shumëkush mund të pyesë pse nuk i përvishet punës që të bëjë një vepër të posaçme për këtë skandal kombëtar”. Këto kanë qenë reagimet e para pas lajmit për gjestin e artistit. Ndërkohë, skulptorë, kritikë arti dhe artistë, edhe pse e quajnë të dënueshëm skandalin e bankës dalin në përfundimin se arti në rastin e Isufit po keqpërdoret.

Skulptori i njohur Thoma Thomai thotë se “çdo artist mund ta ndëshkojë një ngjarje të tillë me një vepër arti”, por vendosja e e skulpturës së Big Bang-ut i duket pa lidhje me realitetin. Studiuesi i artit, Ylli Drishti, shprehet se mendimi për të vënë një vepër të tillë në sheshin para Bankës është i parakohshëm. Sipas tij ende akti nuk është ligjëruar nga institucionet e drejtësisë. Piktori i njohur Gazmend Leka befasohet nga lajmi. “Doja ta degjoja nga goja e Isufit se cdo të thotë me këtë vepër”, tha ai.

Ndërsa për sa i përket riciklimit të një metafore të shprehur në një kohe e kontekst tjetër shprehet edhe kritiku i letërsisë Behar Gjoka, i cili mendon se “ky është një rast i nxituar që i kalon kompetencat e artit”. Ardian Isufi njihet për mënyrën e të shprehurit të protestave dhe mesazheve nëpërmjet veprave të artit, por këtë herë zgjedhja e veprës së Big Bang vë para profesionistëve në pikëpyetje sinqeritetin e mesazhit aktual të kësaj vepre. 

Thoma Thomai: Ç’lidhje ka kjo vepër me vjedhjen e Bankës?!
Skulptori i njohur, Thoma Thomai, i pyetur nga “Shqiptarja.com” për risjelljen e metaforës së veprës Bing Bang të Ardian Isufit, shprehet se “nuk më duket e arsyeshme që një vepër e bërë në një kohë tjetër të riciklojë metaforën e saj në emër të një ironie apo proteste sociale. Nuk e kuptoj se c’lidhje ka kjo me vjedhjen e Bankës”. Skulptori thotë se “unë nuk jam kundër veprës moderne dhe metaforave të saj, por unë punoj me valë të tjera dhe nuk mund ta di se cili është koncepti i këtij artisti”. Megjithatë skulptori shprehet se “artisti ka të drejtë ta ndëshkojë skandalin me një vepër arti, por nuk më duket e arsyeshme vendosja e një vepre të tillë për këtë rast. Ai duket sikur bën politikë”. 

Kritiku Behar Gjoka: Gjesti i Isufit i kalon kopetencat e artit
Përdorimin apo riciklimin e metaforave të vepra të bëra në një kohë tjerë e kontekstin tjetër kritiku i letërsisë, Behar Gjoka, nuk e sheh të lidhur me aktin e grabitjes së Bankës. “Duket si një vepër e parakohshme, një metaforë shtatanike, nuk mund t’i përgjigjet në këtë rast fenomenit. Mendoj se ky ngut i artistit mund të ketë ardhur nga nevoja e rënies në sy. Ndodh shpesh që edhe artistë të njohur, siç është Isufi, të ndjejnë një lloj shterimi, që i detyron të bëjnë akrobaci të tilla me veprat e tyre të artit. Për sa i përket riciklimit të një metafore të shprehur në një koke e kontekst të caktuar mendoj se ideja e nxjerrjes në shesh ne këtë kohë është një rast i nxituar që i kalon kompetencat e artit dhe shprehjes metaforike të veprës. M sa duket artisti ndjen nevojën e vëmendjes ndaj tij”, shprehet Gjoka. 

Ardian Isufi: U frymëzova nga Maurizio Cattelan-i 
Maurizio Cattelan realizoi skulpturen L.O.V.E. 2010 dhe e vendosi përballë bursës së Milanos si ironi për nëpunësit që menaxhojnë paranë dhe që shkaktuan krizën ekonomike dhe monetare globale!... Në fakt do të doja të realizohej një skulpture e këtij karakteri dhe të vendosej tek sheshi përballë Bankës së Shqipërisë si ironi me vjedhjen që iu bë shqiptarëve nga zyrtarët e korruptuar deri në palcë!, është shprehur Ardian Isufi për idenë e tij. Ndërsa veprën Big Bang Isufi e argumenton në këtë mënyrë: “Pa dyshim që kumbimi apo gjëmimi i tingullit të fillesës së gjithçkaje është përmbajtja e skulpturës-kinetike që ndodh nëpërmjet një procesi elektrik çdo një orë për të dhënë ndjesinë e kohës duke bashkëvepruar me elementin qendror të saj, timpanin e veshit që është porta e parë hyrëse e çdo zhurme në ndjesinë njerëzore dhe që tjetërsohet në “tambur gjëmues” si akt i tingullit solemn në zgjim të memories humane”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Rita Ora s'i lë vend imagjinatës, ‘provokon’ me foton e pushimeve në Ibiza

Rita Ora s'i lë vend imagjinatës, ‘provokon’ me foton e pushimeve në Ibiza