Ardian Marashi : S’ka kurrfarë
“komploti politik” ndaj gjuhës

Ardian Marashi : S’ka kurrfarë<br />“komploti politik” ndaj gjuhës
TIRANE - Ndryshimet në drejtshkrim janë vetëm një pjesë e vogël e një projekti të madh e shumëvjeçar për gjuhën, projekt që ka nisur prej dy vitesh. Ka disa drejtime të rëndësishme në këtë projekt, por këto ditë debati është fokusuar tek drejtshkrimi. Pse?

Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, thotë se “çështja e drejtshkrimit është mjaft e rëndësishme në vetvete, me këtë lidhen shumë paragjykime, shumë nostalgji e shumë pasione, prandaj rreth kësaj bëhet shumë më tepër zhurmë”. Sipas tij nuk është e vërtetë se po përmbyset drejtshkrimi, nuk është e vërtetë se po zëvendësohet.

Po bëhen vetëm përmirësime që janë tejet të nevojshme. Por pse ka ngjallur kaq shumë reagime kjo çështje? A është e vërtetë se këto ndryshime e afrojnë më shumë drejtshkrimin me shqiptimin? Çdo të bëhej me fjalorët e tekstet shkollore që janë në qarkullim e që do të duheshin të zëvendësoheshin të gjithë?  Çfarë vendi zë në projektin e ri rrëzimi i zanores –ë? Po ndryshimet e tjera ku konsistojnë?

A mund të quhen këto ndryshime si një shpagim ndaj gegnishtes, ‘e dënuar’ pas kongresit të ’72-shit? Argumentet që sjell Ardian Marashi në këtë intervistë shpalosin një anë tjetër mjaft interesnate, gati të kundërt me atë ç’ka sjellin gjuhëtarët që e kundërshtojnë këtë projekt.

Z.Marashi, një debat i ri sapo është hapur mbi disa ndryshime gjuhësore që pritet të ndodhin në drejtshkrimin e shqipes, një projekt i inicuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike. A mund të na e tregoni në detaje çfarë është ky projekt dhe pse ka hasur në kundërshtime?

Sa herë që një punë e rëndësishme është në nisje, debatet e shoqërojnë detyrimisht. Kur ajo nis me të vërtetë, debatet ose fashiten, ose nuk i dëgjon më kush dhe ato ngrihen një oktavë më lart, duke dëshmuar, përmes zhurmës, shterpësinë e vet. Këtu e kam fjalën për debatet konfliktuale, joproduktive.

Ndërsa nevoja për debat të mirëfilltë, për debat shkencor dhe ndërtues, është e domosdoshme. Por ky lloj debati i fundit, që zhvillohet mes specialistësh dhe në forume shkencore, nuk mbërrin deri tek ju gazetarët, pasi është një debat që bën punë e jo zhurmë. Ndërsa gazetat, më vjen keq ta them, i tërheq përgjithësisht zhurma, pasi vetëm zhurma ka vetinë që të përhapet në një distancë relativisht të madhe dhe të dëgjohet nga shumë veshë.

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike ka miratuar para dy vitesh një projekt të rëndësishëm shumëvjeçar për gjuhën, i cili fokusohet në disa drejtime themelore. Çështja e drejtshkrimit është mjaft e rëndësishme në vetvete, me këtë lidhen shumë paragjykime, shumë nostalgji e shumë pasione, prandaj rreth kësaj bëhet shumë më tepër zhurmë.

Për këtë arsye ky drejtim, pra çështja e normës drejtshkrimore, tërheq më së shumti edhe vëmendjen e opinionit publik. Në këtë pikë, e risqaroj për të disatën herë, se nuk është fjala që të “përmbyset” apo të “zëvendësohet” drejtshkrimi aktual, por vetëm që të përmirësohet aty ku ka vend për përmirësime.

Në njëfarë mënyre, bëhet fjalë për një përditësim të rregullave të drejtshkrimit të shqipes normative, me qëllim rregullat e drejtshkrimit të bëhen lehtësisht të asimilueshme nga përdoruesit.

Drejtimi tjetër për të cilin po punohet, lidhet me pasurimin e leksikut të shqipes normative, me format, rrugët dhe metodat me të cilat shqipja do të mund të vitalizohet. Sot është plotësisht e mundur që të ndërmerren hapa të këtillë, pasi përdorimi i informatikës gjuhësore lejon që të bëhen studime të atilla, për të cilat më përpara as që mund të mendohej.

Për shembull, në kuadër të projektit lartpërmenduar, në QSA kemi realizuar dixhitalizimin e 5 milion skedave të leksikut të shqipes, që flinin nëpër sirtare, dhe tani do të punojmë për programin informatik që do të bëjë të mundur shfrytëzimin e tyre me efektivitete.

A e imagjinoni dot që një leksikolog të jetë i detyruar të punojë me 5 milion skeda të kartotekës së leksikut? Puna e tij nuk do të kishte të sosur, madje do të ishte një punë Sizifi. Kurse me kompjuterin, gjërat ndryshojnë: programohen parametrat nga specialistët dhe kompjuteri bën punën e qindra vetëve, pa gabuar askund.

Sërish, ky është vetëm një hap. Hapi tjetër për të cilin po përgatitemi, është hartimi i bazës së të dhënave, ku do të përfshihen të gjitha fjalët e leksikut të shqipes, të gjitha kuptimet e këtyre fjalëve dhe të gjitha format e regjistrat e përdorimit të tyre. Kjo do t’u japë një zhvillim të menjëhershëm studimeve gjuhësore, kurse përdoruesve të shqipes do t’u japë gjithë thesarin që shqipja ka krijuar gjatë shekujve, përfshirë përdorimet dhe krijimet gjuhësore të sotme.

Prof. Kolec Topalli ka deklaruar në një intervistë se këto ndryshime të pritshme do ta afrojnë drejtshkrimin me shqiptimin. A ju duket e drejtë kjo dhe a ka vend për shqipen?
Sigurisht, kjo ka vend për shqipen, madje më shumë se për çdo gjuhë tjetër. Norma, ashtu siç është kodifikuar më 1972, e ka lënë këtë çështje krejtësisht pezull dhe pasojat i vuan vetë norma. Thuhet se drejtshkrimi i shqipes bazohet në parimin fonetik, çka nënkupton se shqipja shkruhet ashtu sikurse flitet, kur në realitet nuk ndodh aspak kështu.

Problemi është bërë tepër kërcitës me ë-në e pazëshme, po edhe me grupin -i/-j, ndërsa po vazhdon duke u trashur me grupet -r/-rr, -dh/-ll, -ç/-q, -gj/-xh. Kjo vërehet në pjesë të ndryshme të popullsisë, madje tek grupe johomogjene folësish, çka domethënë se nuk ka thjesht burim dialektor apo krahinor. Këndej burojnë gabimet e shumta në drejtshkrim, pasi folësit, teksa e shqiptojnë fjalën në mënyrë të gabuar, bien lehtë në gabime drejtshkrimi gjatë hartimit të një teksti sado të shkurtër.

Shembujt këtu janë të panumërt, mjafton që secili prej nesh të mendohet për pak sekonda se ku i ka vështirësitë në të shkruar. Unë po mjaftohem me një shembull jashtëgjuhësor, që ka të bëjë me pjesën më të çmuar të individit, e pikërisht me ermin e tij. Në telefonin tim celular kam të regjistruar gjashtë herë emrin Arian dhe tri herë emrin Arjan.

Të tre Arjanët që kam pyetur, pohojnë se emri i tyre shkruhej me -j dhe se pikërisht kështu e kanë edhe në pasaportë. Parimisht, nëse do t’i përmbahemi parimit fonetik të drejtshkrimit të shqipes, Arjanët kanë të drejtë, ashtu si edhe Ardjanët, e ashtu si edhe Marjanat, emri i të cilave drejtshkruhet me -j. Apo mos ndoshta me -i?...

Profesor Topalli është specialisti më i mirë i fonetikës historike të shqipes, besoj se të gjithë gjuhëtarët duhet t’i bashkohen atij për ta zgjidhur këtë nyje, e cila do të vazhdojë të nyjëtohet më rëndë, nëse lihet të ndjekë kokëshkrepjen e saj.

Aktualisht, ka ardhur koha që gjuhëtarët, kryesisht foneticienët e fonologët, ta pajisin normën e shqipes edhe me drejtshqiptimin e saj. Nëse një mësues në Shkodër, në Gjirokastër, Vlorë, Prizren, Shkup apo Ulqin, nuk ka një model drejtshqiptimi të fjalës shqipe, nxënësi doemos do ta ketë absolutisht të vështirë me normën e shqipes, përfshirë edhe normën drejtshkrimore.

Me Fjalorin elektronik të shqipes, të sapohedhur në treg, ne kemi bërë një përpjekje të parë për ta pajisur fjalën shqipe me një model drejtshqiptimi, por modeli është thjesht orientues për momentin dhe nuk mund të jetë zyrtar, pa marrë çertifikimin e laboratorëve të fonetikës.

Ndërkohë akademiku Jorgo Bulo tha se ndryshimet nuk mund të realizohet…. Kjo sepse drejtshkrimit iu desh 20 vjet të ndryshonte…. Dhe veç kësaj do të dilnin nga qarkullimi të gjithë fjalorët, tekstet shkollore… Do të krijohej një kaos i vërtetë… A janë menduar këto pasoja dhe si do të përballohen?

Jorgo Bulo ka drejtuar Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë për më tepër se një dekadë. Gjëja e parë që ai bëri në atë Institut, ishte shkrirja e njësisë kërkimore të gjuhësisë kompjuterike, të cilën e kishte ngritur paraardhësi i tij, Bahri Beci. Ky i fundit kishte parashikuar me të drejtë se gjuhësia dhe kompjuteri do të duhej tashmë ta bënin rrugën së bashku.

Kurse Z.Bulo, me paragjykimet e frikërat që ka, dhe jo vetëm nga elektronika, ka zgjedhur ta lërë në vendnumëro gjuhësinë shqipe gjatë kohës që ai drejtonte Institutin dhe, tani që Instituti drejtohet nga tjetërkush, ai e keqpërdor për shumë gjëra autoritetin që ia ka dhënë Akademia e mëhershme.

Siç e shihni, ai këmbëngul aq shumë që gjërat të mos ndryshojnë, sa që shpesh bëhet qesharak duke folur nga pikëpamja e ideologjisë dhe jo nga pikëpamja e shkencës. Se sa i djeg Z.Bulo për gjuhësinë dhe për institucionet shkencore, ju mund ta kuptoni fare lehtë edhe nga kjo që po u tregoj (dhe s’po u tregoj të tjera).

Z.Bulo, nëpërmjet zyrës së Përmbarimit, i ka vënë tre herë sekuestron llogarisë së Qendrës së Studimeve Albanologjike, një institucion ku bën pjesë edhe Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë që ai drejtonte. Arsyeja e këtij veprimi nuk është aspak qesharake. Po shpjegohet shkurt.

Kur unë mora drejtimin e QSA-së, e fillova duke nxjerrë në pension pleqërie ata që e kishin tejkaluar moshën dhe bllokonin përtëritjen e institucioneve me specialistë të rinj. Ndër të tjerë, në vitin 2008 kur u krijua QSA, dolën në pension dy drejtorë institutesh, Z.Bulo dhe Z.Korkuti, asokohe të dy mbi 70 vjeç.

QSA drejtohet nga Ligji për Arsimin e Lartë, i cili parashikon maksimalisht moshën 68 vjeç për dalje në pension pleqërie. Z.Bulo askohe e hodhi çështjen në gjyq, duke ua mbushur mendjen gjyqtarëve se ai ishte akademik dhe si i tillë dilte në pension në moshën 75 vjeç.

Por Ligji për Akademinë e Shkencave rregullon vetëm këtë institucion, jo edhe QSA-në që funksionon me tjetër ligj. Si pasojë, falë gjykatësve shpirtgjerë me paratë e taksapaguesve, Z.Bulo i hedh sekuestron QSA-së për të marrë prej këtij institucioni tre vite rrogë me mbi një milion lekë muajin. Me aq para sa kërkon të përfitojë Z.Bulo në një vit, QSA boton shtatë revistat e veta shkencore...

Por le të kthehemi tek argumenti: “...do të dilnin nga qarkullimi të gjithë fjalorët, tekstet shkollore…do të krijohej një kaos i vërtetë…”. Po ju pyes unë ju: a ka më kaotik se sa vetë ky pohim i Z.Bulo? Çfarë kaosi është krijuar sot me letërsinë e traditës, të shkruar në gegnisht, në toskërisht e në gjithfarë nëndialektesh?

Kurrfarë kaosi, pasi lexuesi e vlerëson atë letërsi për çfarë ajo është, pa u penguar në këtë vlerësim nga norma letrare. Sa u takon fjalorëve, unë po u them me plot gojën se fjalorët e papërditësuar duhet të dalin nga qarkullimi një orë e më parë. Po kështu edhe tekstet shkollore të papërditësuara.

Kjo e fundit ëshët zgjidhur prej disa vitesh nga MASH, nëpërmjet altertekstit: shtëpitë botuese konkurrojnë çdo vit dhe fitojnë tekstet që janë të përditësuara në aspektin shkencor, gjuhësor, metodik, etj. Fëmijët dhe të rinjtë nuk do të mësojnë më kurrë me librin allabulo “Letërsia e realizmit socialist”, pavarësisht se ky libër është shkruar në një shqipe standard.

Dhe nuk do t’i referohen përjetësisht Fjalorëve të viteve 80-të, pasi këta duhen përditësuar, në mos daçim të na dëmtojnë. Si përfundim, ideja e “kaosit të vërtetë” buron vetëm nga koka kaotike dhe shërben thjesht për të trembur publikun e painformuar, si dhe atë lloj publiku që beson te kaosi dhe te fundi i shpejtë i botës.
 
Ju keni në grup edhe anëtarë që kundërshtojnë këto ndryshime siç është rasti i gjuhëtarit Rami Memushaj… A mendoni se do të arrihet një konsensus?
Gjuhësia nuk është politikë, që të punohet me konsensus. Në gjuhësi, si në çdo shkencë, ka një ligjësi të brendshme. Po nuk u njoh kjo ligjësi dhe po nuk u ec në drejtimin që ajo vetë imponon, asnjë punë nuk ecën siç duhet. Pra, gjuhëtarët debatojnë rreth çështjeve konkrete dhe fiton mendimi më i argumentuar, ai mendim që e njeh dhe e pranon ligjësinë e brendshme të zhvillimit shkencor.

Nuk do të kishte kuptim që, edhe brenda një grupi specialistësh, të gjithë të ishin dakord. Rëndësi për ecurinë e shkencës ka që gjithsecili të shprehë dhe të arsyetojë mendimet dhe tezat e veta, pasi vetëm kështu debati mund të quhet shkencor. Përndryshe, do të ndodhte si në epokën e Kongresit të Drejtshkrimit, kur të gjithë duhej të ishin njëlloj dakord dhe të vendosnin njëlloj me 100% të pjesëmarrësve.

Në rastin konkret, nëse argumentet e shumë gjuhëtarëve i nxjerrin pa peshë mjaft prej kundërshtimeve të Z.Memushaj, kjo nuk domethënë që gjuhësia shqipe të ndalet tek kufiri që ia ka caktuar Z.Memushaj, por do të ecë andej nga e çon ligjësia e brendshme e zhvillimit, duke shpërfillur qëndrimet paragjykuese dhe argumentet e pathelluar.

Për më tepër, shkenca nuk pyet se të kujt janë argumentet, ajo thjesht përzgjedh argumentet e qëndrueshëm dhe shmang teprimet. Nuk besoj se Z.Memushaj është nga ata gjeni të shkencës gjuhësore, pa konsensusin e të cilit gjuha shqipe duhet të mbetet në vend.
 
Nga tezat e propozuara shumë vend zë rrëzimi i zanores Ë… A është ky ndryshim thelbi i kësaj iniciative?

Jo, thelbi nuk qëndron tek zanorja -ë, pasi kjo është vetëm cipa e dukshme, poshtë të cilës do të arrihet me kujdes dhe me përgjegjësi, pas shumë kërkimesh, këshillimesh e debatesh. Nga ana tjetër, më duhet të them se nuk është absolutisht fjala për “rrëzimin” e zanores -ë.

Do të rrëzohet vetëm ë-ja e pazëshme dhe vetëm aty ku ajo s’ka vend që të jetë. Sepse inflacioni i ë-së së pazëshme në shqipe, ka korruptuar të gjithë sistemin e drejtshkrimit. Përdoruesit i heqin apo i shtojnë ë-të gjatë të shkruarit pothuaj me vesh të lirë, pasi rregullat janë tejet kundërshtuese dhe, jo vetëm nuk mbahen mend nga përdoruesit, por asgjësojnë njëri-tjetrin, për arsye të inkonsekuencës së gjuhëtarëve në hartimin e normës.

Sot, që kemi një sistem normativ dyzetvjeçar, është e mundur që këto inkonsekuenca, të cilat fillimisht ndoshta nuk binin fort në sy, të sheshohen dhe të mund të fiksohen rregulla përdorimi racionale, që do të mund të mbahen mend nga përdoruesi brenda logjikës së sistemit dhe jo në formën “përmendësh”, e cila jo vetëm që s’ka sjellë rezultat, por edhe e ka çoroditur përdoruesin.
 
Kongresi i drejtshkrimit i 1972 është cilësuar me të drejtë si politik e i dhunshëm. A mund ti shmangemi këtyre cilësimeve në këto kohë e me këto ndryshime?
Meqë ju thoni “me të drejtë”, unë s’po kam arsye të zgjatem në këtë pikë. Për Kongresin e Drejtshkrimit gjërat janë thënë e do të vazhdojnë të thuhen, por në një shqyrtim historik dhe teorik. Në aspektin praktik, askush nuk ka më nevojë të merret me vendimet e atij Kongresi, pasi ka shumë punë për të ndrequr atë çka mund të ndreqet ende.

Kur na lind një fëmijë me problem shëndetësor, nuk kemi kohë të merremi me arsyet, por na duhet që të kujdesemi hap pas hapi për shkaqet: të këshillohemi me mjekun, t’i bëjmë kura, e mbi të gjitha ta rrethojmë me dashuri. Në këtë mënyrë, me shumë durim e dashuri, arrihet që fëmija të rritet i shëndetshëm e të ketë një jetë krejt normale. E lëmë Kongresin “në shejtninë e tij” dhe merremi me shëndetin e gjuhës.
 
Disa e quajnë këtë ndërhyrje të re në gjuhë si një shpagim që i bëhet gegnishtes. Sa e vërtetë është kjo?
E çfarë peshe ka “shpagimi” në shkencë?! Çka ndodhi në socializëm me gegnishten është njëlloj si ajo që ndodhi me Galileon e me Brunon në epokën e inkuzicionit. Edhe pse Papa i dorëhequr e njohu gabimin e Kishës, Xhordano Bruno vazhdon të mbetet ai i djeguri në turrën e druve. Dikush apo diçka ka gjithnjë një fat më të mirë se dikush apo diçka tjetër.

Kështu, për fat, demokracia mbërriti në Shqipëri përpara se gegnishtja të digjej krejtësisht. Ajo tash po rilind, por në një formë tjetër. Të jemi të sigurtë se gegnishtja nuk kërkon që ta shfronësojë normën standard, por të jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ringjallja e gegnishtes ushtron trysninë e saj mbi zhvillimet e standardit.
 
Dhe në fund a mund të na thoni se në ç’fazë të punës është grupi i gjuhëtarëve që po punon me ndryshimet dhe ç’pritet më tej?
Mund të thuhet se puna e mirëfilltë vetëm sa ka nisur. E gjithë kjo kohë, sidomos tre vitet e fundit, u desh që gjuhëtarët të merren vesh me njëri-tjetrin dhe të kuptojnë se në këtë mes nuk ka kurrfarë “komploti politik” ndaj gjuhës, por një angazhim në dobi të shqipes dhe të përdoruesve të shqipes. Duke qeshur po shtoj:të shqipes pa dallim partie, feje, dialekti apo krahine...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve