Ardit Roshi: “Pop-realiteti i munguar
në ekranin shqiptar”

Ardit Roshi: “Pop-realiteti i munguar <br />në ekranin shqiptar”
Kronika të jashtëzakonshme, të vërteta, ironike, fataliste. Mbi të gjitha për një publik specifik.

Mbi të gjitha për një realitet shqiptar.

Por ndryshe, pikante. Madje shpesh tepër pikante, aq sa vështirë të kapërdihen pa shumë pse, si, qysh e tek nga publiku, apo me të njëjtën pyetje pas çdo transmetimi “kur ndodhi kjo që nuk e dimë ne”.

Kjo është ajo që çdo të shtunë serviret nga “celula terroriste” e Pop-Channel për publikun shqiptar.

Në këtë intervistë do të njihni pak më shumë djaloshin që çdo të shtunë jep lajmet më të pazakonta në ekranet shqiptare, pasionet, të vërtetat, jeta prej beqari, raportet me femrat, shoqëria, të gjitha në raport me qytetin ku jetojnë sfidat e së ardhmes dhe pritshmëritë e individit.



Prej më shumë se një viti moderon “Pop-Channel”.

Për çfarë mendon se të ka shërbyer kjo eksperiencë duke i dhënë një dimension tjetër të realitetit publikut?


Unë vetë jam ushtruar shumë. Kam fituar aftësinë për të folur shumë shpejt nëpërmjet Pop-Channel.

17 fjalë në sekondë, duke pasur parasysh tekstet e komplikuara të autorit, Sokol Shameti, një fjali “uhuu”e gjatë dhe “uhuu” fjalë të vështira.

Detyrimisht duhet të ushtrohesh që ta moderosh programin siç duhet. Kam vënë një sinops në Twiter: “duke u përpjekur të moderosh të pamundurën”, sepse ndonjëherë është e vështirë ta moderoj dhe mund të bëj 27 dubla për një lajm, sepse më vjen të qesh me mënyrën si është shkruar dhe atë që përmban.

Besoj se kam fituar shumë në mënyrën sesi duhet parashtruar një argument me cinizëm dhe satirë, në mënyrën si duhet formuluar një tekst gazetaresk edhe pse nuk është profili im.




Si format?

Shumë vite më vonë them se do e kuptojmë të gjithë efektin e këtij programi.

Të gjithë synojmë të themi që po bëjmë një program ndryshe, po ky realisht nuk ka asnjë lidhje me programet e tjera në Shqipëri.

Për momentin nuk mund të jap një përgjigje.

Më shumë në pop ka aktualitet. Si mund të mos ta marrësh seriozisht të vërtetën?

Nuk di ta them këtë (qesh). Ne përpiqemi. Në nëntorin e 2011-ës patëm një lajm që thoshte: “zhduken 35 vajza në Tiranë nga kompjuteri i një i riu” dhe ne kishim nxjerrë foto interneti të gjetura rastësisht.

Komshia ime më pyet të nesërmen ku e gjete ti atë lajm, sepse pashë lajmet më vonë dhe nuk e dhanë.

Po ishte e falshme në transmetimin e parë.. Sot e kësaj ditë që jemi në fund të sezonit të dytë televiziv ka akoma njerëz që telefonojnë seriozisht për të pyetur për atë që është transmetuar.

Në këtë pikë edhe ne e kemi të vështirë të ndajmë imagjinatën nga realiteti.


A bën më shumë përshtypje lajmi i trajtuar në këtë lloj forme, sesa ajo standarte?

Mënyra e lajmit trajtuar në këtë lloj forme është një goditje shumë e ashpër, shumë ballë për ballë, karshi individit që të ndjek.

Kjo e bën të jetë pak thikë me dy presa.

Luani shpesh me emra politikanësh apo njerëzish të njohur. Ju marrin ndonjëherë në telefon?

Jo. Kam idenë që ka pak zëra tavoline dhe 2 -3 fjalë të vogla pas krahëve, po ballë për ballë, nuk na ka thënë gjë njeri ( qesh).

Duket se jeni më të fokusuar në Tiranë…

Fatkeqësisht po. Ne jemi një celulë e vogël “terorriste” që bëjmë “Pop Channel”, 6 veta dhe ti po interviston njeriun që punon më pak në atë program.

Sokol Shameti dhe Erion Bubullima, autori dhe regjisori janë njerëzit që punojnë më shumë, pastaj gazetaret Samir Hereni dhe Eljan Tanini bashke me kameramanin Andi Haxhihysenin.

Realisht ata janë njerëzit që bëjnë programin. Përqëndrohemi në Tiranë e para për çështje logjistike, e dyta sepse komercialisht, fatkeqësisht ,Tirana është më e vlefshme se qytetet e tjera.

Edhe nëse shohim lajmet e çdo televizioni gjeneralist 80% e kronikave, e lajmeve janë në Tiranë.


Pavarësisht pop-it që e bën shumë mirë realisht, a të vjen keq për faktin sikur të ishe angazhuar më shumë në teatër?

Fare. Unë nuk bëhem pishman për zgjedhjet që bëj.

Me pak intuitë dhe improvizim më ka ndihmuar familja, Zoti, fati, ( se di ) që të bëj zgjedhjet e duhura.

Nuk është se jam penduar fare. Sigurisht më mungon teatri, sepse është dashuri e vjetër.

Është të bësh rolin e zotit, me një letër të bardhë fillon dhe krijon jetën( kush ka mbaruar regji më kupton).

Nuk është e pamundur që të rikthehem vite më vonë në teatër, po për momentin ndihem shumë mirë këtu.

Duke qenë në këtë rreth të artit dhe botë së medias, ti vetë ndaj çfarë gjëje je më i ndjeshëm?

Ndaj asaj që nuk kam bërë akoma. Kinemaja. Ajo është sfida e radhës. Për të gjithë ne është sfidë kinemaja.

E ke menduar ndonjëherë se si mund të jetoje si VIP?

Kam idenë që jemi shumë larg të jetuarit si një njeri shumë i rëndësishëm, siç e thotë vetë fjala.

Unë pa kapricot e mia, pa shoqërinë time, pa të dalat jashtë Tirane për një fundjavë, pa qejfin për të luajtur futboll ose basketboll, siç ndodhi dje p.sh që pastaj vajtëm ashtu siç ishim, me pantallona të shkurtra në një lokal në bllok, ishte shumë qejf për ta bërë dhe pa e vrarë shumë mendjen...

D.m.th që të kujdesem gjithmonë për veten që të më shohin bukur, që ta kem makinën ashtu, telefonin kështu, deri llojin e cigares që pi, nuk besoj se do e bëja dot.

Janë kufizime për individin.

Çfarë të habit më shumë në Tiranë?

Më habit mungesa e dashurisë që kanë njerëzit për njëri-tjetrin dhe vendin ku jetojnë.

Më habit ndryshimi radikal që kemi ne kur shkojmë në Rinas, hipim në avion, shkojmë jashtë vendit dhe çuditërisht nuk hedhim më mbeturina në tokë, nuk i biem më borisë në mes të qytetit, nuk bëjmë më zhurmë dhe sa kthehemi këtu çdo gjë ndryshon.

Në fund fare mendoj se kemi mungesë të madhe dashurie për veten tonë. Ky mendoj se është problemi më i madh që kemi.


Dita jote normale si është?

Fat i madh është se për të shkuar në punë apo në takime, nuk përdor makinë. Makinën brenda Tiranës përpiqem ta përdor sa më pak.

Fat tjetër i ditës time është se mund ta nis kur të dua. Nuk kam orare në mëngjes.

E kam bërë ushtrinë, kur më duhej të çohesha në 5 të mëngjesit për të shkuar në television, tani nuk e bëj më (qesh).

Jetën e natës e frekuenton?

Jeta e natës dhe unë kemi një marrëdhënie të çuditshme. U urryem deri para një viti. Nuk dilja fare, kisha shumë qejf të rrija në shtëpi. Tani kemi filluar të ritakohemi, por po vë re që nuk kam më qejf shumë klubet dhe zhurmën.

Kush të bën më shumë kritika?

Mami ( qesh). C’është kjo pyetje! Mamaja gjithmonë (qesh).

Babai jo?

Jo. Me babain unë kam një marrëdhënie miqësore, dhe i shkembejme shpesh mendimet.

E dashura, e fejuara?

Kam unë fytyrën sikur mund të jem i fejuar me ndonjë (qesh). Jam super single. Single and happy!

Si shkon jeta e beqarit?

Ka një proverb që thotë: Kur je i lidhur shikon vetëm beqarë të lumtur, kur je beqar sheh vetëm çifte të lumtura. Kështu që njeriu nuk kënaqet asnjëherë, por jeta e beqarit po më trajton shumë mirë.

Të pëlqen më shumë të të gjuajnë femrat apo e kundërta?

Sigurisht që më pëlqen kur më gjuajnë ato. Po kujt nuk i pëlqen ta gjuajnë. Sipas meje, ai mashkull thotë se nuk i pëlqen ta gjuajnë vajzat, gënjen. (qesh)

Çfarë të tërheq tek një femër?

Fatkeqësisht ose fatmirësisht, si fillim pamja e jashtme është shumë e rëndësishme.

Nuk dua te bej hipokritin e te them se rendesi mbi cdo gje ka karakteri. Per terheqjen e pare, besoj se te gjithe do bien dakort me mua, ka shume rendesi pamja, pastaj…

Po prisja të thoje inteligjenca..

Inteligjenca është shume e rëndësishme në një fazë të dytë. Pastaj sigurisht karakteri dhe komunikimi kanë rrolin me të rëndësishëm në cdo raport të krijon.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit “Thash&Them” të gazetës “Shqiptarja.com”

Redaksia Online
(b.t/shqiptarja.com)

1/2
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë