Replikat, filluan dje në mesditë (30 dhjetor) kur nga selia rozë deputeti Taulant Balla deklaroi se fëmijët e kryeministrit po bënin shantazh duke paralajmëruar se do ta padisnin në gjykatë për shpifje. Lexoni deklaratën e plotë të deputetit PS-se
Më pas erdhi kundërpërgjigja e vajzës së kryeministrit. Duke deklaruar se të ardhurat e saj dhe të familjarëve ishin fituar në mënyrë të ligjshme, akuzonte kreun socialist Edi Rama se është ai që fsheh pasurinë me mosdeklarim të parave me të cilat sipas saj, bën pushime ndër më luksozet në Evropë.
Nuk kalon shumë kohë dhe vjen reagimi i PS, sipas së cilës Argita dhe Shkëlzen Berisha duhet duhet të provojnë me fakte të dokumentuara se pasurimi i tyre, "i pamundur për shqiptarët e zakonshëm nuk ka lidhje me pushtetin e babait të tyre"
Beteja e akuzave lidhur me burimet e të ardhurave vijon prej disa ditësh mes Partisë Socialiste dhe familjarëve të Kryeministrit Sali Berisha (vajzës së tij Argita Malltezi, dhëndrit Jamarbër Malltezi dhe djalit Shkëlzen Berisha) vijon “një betejë” akuzash lidhur me burimet e të ardhurave të tyre.
PS: ARGITA SHPIF SI I ATI
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, “Drejtoria e Komunikimit e Partisë Socialiste shpreh keqardhje të thellë, për reagimet pa edukatën më elementare të fëmijëve të kryeministrit ndaj një kërkese legjitime të opozitës që ata të provojnë publikisht burimet e të ardhurave të tyre.”
Duke e cilësuar “pasuri mbresëlënëse” në harkun e një viti, PS kërkon që Argita dhe Shkëlzen Berisha t’i japin shpjegime me fakte opinionit publik.
“Ata duhet ta mësojnë se është detyrim elementar i tyre që me mirësjellje t'i shpjegohen opinionit publik lidhur me pasurimin e tyre mbresëlënës në harkun e një viti. Ata duhet të provojnë me fakte të dokumentuara se ky pasurim i pamundur për shqiptarët e zakonshëm nuk ka lidhje me pushtetin e babait të tyre. Kjo është një nevojë elementare demokratike dhe një detyrë elementare e qeveritarëve në demokraci po ashtu”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Partisë Socialiste.
Në deklaratën e saj, PS thekson se fjalët e fëmijëve të kryeministrit janë jashtë çdo standardi etik dhe gënjeshtra ndaj qytetarëve, duke i bëri thirrje që të mos shkojnë pas “librit të shpifjeve të babait të tyre”.
“Fatkeqësisht gjithçka thonë në reagimet e tyre të paedukuara Argita e Shkëlzen Berisha janë pjesë të shkëputura nga libri i të sharave të babait të tyre ndaj Edi Ramës. Fëmijët e kryeministrit kanë shumë për zemër të përmendin fjalën gjykate, por në afro 30 padi për shpifje në gjykatë nga ana e Edi Ramës, as Sali Berisha e as shpifësit e oborrit të tij s'kanë mundur të provojnë asgjë nga çfarë kanë lëshuar në gjithë këto vite ndaj kryesocialistit. Por sidoqoftë, Argita dhe Shkëlzen Berisha s'duhet të kapen pas librit të shpifjeve të babait për të shkruar reagimet e tyre. Sepse faktikisht kështu nuk provojnë se është gabim opozita që u kërkon transparencë, por se janë ata që kanë gjëra për të fshehur. Përndryshe kjo çështje do ishte mbyllur me kënaqësinë tonë më të madhe dhe me paqen e plotë të opinionit publik, nëse fëmijët e kryeministrit do të kishin vënë në dispozicion të medias dokumente të cilat do të provonin pastërtinë e fitimeve të tyre të habitshme brenda një viti”, vijon njoftimi për shtyp.
Në përfundim të deklaratës për media PS thekson se “mbeten të hapura të gjitha pyetjet e ngritura prej opozitës ndaj Argita e Shkëlzen Berishës. Dhe ne nënvizojmë sidoqoftë se për sa i takon çdo insinuate të bërë sot, pa asnjë lloj etike nga Argita Berisha për persona të tjerë, familjarë apo kolegë të kryetarit të PS, vajza e kryeministrit bën mirë të marrë shembull prej nesh duke iu referuar dokumenteve e fakteve, jo lumit shumëvjeçar të shpifjeve të babait të saj. Me këtë rast Drejtoria e Komunikimit të Partisë Socialiste i uron Argita e Shkëlzen Berishës që 2013 të jetë vit i ndryshimit edhe në sjelljen e tyre ndaj publikut dhe në gjuhën e papranueshme që ata kanë përdorur deri sot në komunikimin publik.”
ARGITA-RAMES: FAKTET RRETH TEJE BERTASIN FORT
Menjëherë erdhi dhe reagimi i dytë i vajzës së Kryeministrit Berisha. Pas reagimit të parë që ndodhi pasdite, ( Lexoni deklaraten e plote te A. Malltezit)reagimi i dytë erdhi gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, pra disa orë më vonë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Argita kërcënon Ramën se nëse nuk publikon dokumentet me të ardhurat ndër vite të bashkëshortes së tij, Linda dhe përgjigje për statusin e tij të të pastrehut, do të nxjerrë në media fakte të cilat “bërtasin fort”. Argita i kërkon gjithashtu kryesocialistit që të mos merret me prindërit e saj, por të përgjigjet për frikën e tij, sipas saj lidhur me “pushimet luksoze që po kalon”.
DEKLARATA E PLOTE E ARGITES
"Në lidhje me reagimin e z.Edi Rama nga strehimi luksoz i pushimeve dimërore, rikujtojmë se të ardhurat tona janë të qarta, të plota dhe të përfshira në deklarimin pranë ILDKP i cili është një dokument publik, që mund të disponohet nga kushdo; ato janë krijuar nga aktiviteti profesional, mësimdhenie, kërkim shkencor, botime librash profesionale, pjesëmarrje në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, qera nga apartamente në pronësinë tonë dhe trashëgimi familjare; të gjitha këto të përfshira dhe të vërtetuara me derdhjet bankare dhe me kontratat përkatëse në ILDKP dhe organet tatimore. Në respekt të kodit tonë familjar, ne të ardhurat tona dhe burimet e tyre i kemi bërë publike dhe deklaruar ne ILDKP dhe atëherë kur nuk i kishim detyrim ligjor, pikërisht në kohën kur ti ishe regjistruar i pastrehë në bashki dhe deklaroje gjithsej pasuri 3000 euro. Z.Rama, të këshillojmë që në këtë vazhdë komunikimi mes nesh të mos merresh me prindërit tanë. Të kujtojmë se është detyra e tij si kryetar i partisë më të madhe opozitare, që me mirësjellje, me fakte dhe pa nervozizëm, në respekt të elektoratit të tij, dhe jo për ne, t’i përgjigjet pikëpyetjeve të mëdha që ngre statusi i tij i të pastrehut në kontrast me pushimet luksoze që po kalon si dhe të ardhurat e Linda Bashës ndër vite. Z.Rama bën mirë t’i nxjerrësh vetë faktet dhe dokumentet për sa më sipër, në të kundërtën jemi të gatshëm t’i servirim ato për ty, në media apo forume të tjera nëse dëshiron dhe frika jote më e madhe është se ti e di që faktet rreth teje bërtasin fort."
(Lajmi u publikua ne oren 22: 25 te 30 dhjetorit dhe u perditesua ne 07:20 te 31 dhjetorit)
Redaksia Online
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)