Argumentet e SPAK në Gjykatë Kushtetuese se pse kryebashkiaku i Tiranës duhet të rrijë në burg sipas tyre, për Erion Veliajn janë thellësisht problematike për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Në kundërshtimet që i ka bërë prapësimeve të SPAK, për shpalljen antikushtetuese të masës “arrest me burg” ndaj tij, vetë Veliaj i merr në analizë qëndrimet kryesore të Prokurorisë së Posaçme.

Në dokumentin e paraqitur në Kushtetuese, mbrojtja e Veliajt thotë se në mënyrë të paprecedent, prokuroria argumenton se vetë autoriteti demokratik i një të zgjedhuri vendor përbën në vetvete rrezik për hetimin penal.

“Edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, vetë autoriteti i rikthyer krijon presion objektiv mbi vartësit, duke cenuar spontanitetin dhe lirinë e dëshmisë”, citon mbrojtja e Veliajt të ketë argumentuar SPAK.

Kjo sipas kryebashkiakut nënkupton se prokuroria legjitimitetin demokratik të një të zgjedhuri nuk e trajton si shprehje të sovranitetit të qytetarëve, por si faktor presioni procedural që duhet neutralizuar përmes paraburgimit.

“Një qasje e tillë përbën një sulm institucional ndaj demokracisë dhe një mandati demokratik të konfirmuar si të tillë edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese”, thuhet në prapësimet e mbrojtjes së Erion Veliaj.

Avokatët thonë se SPAK i cilëson përpjekjet e Veliajt për mbrojtje efektive si arsye për vijimin e paraburgimit të tij, dhe për këtë i referohen një padie në Gjykatë Administrative më 20 janar, ku kryebashkiaku kërkon shpalljen e pavlefshmërisë të dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008 nga Presidenti i atëhershëm, Bamir Topi.

“Prokuroria e konsideron sulm ndaj hetimit depozitimin nga ana e Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës të një padie administrative për verifikimin e ligjshmërisë së mandatit të njërit prej prokurorëve të çështjes. Sipas saj, vetë kërkimi i këtij kontrolli gjyqësor justifikon vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në prapësimet e avokatëve të Veliajt.

Sipas tyre kjo do të thotë se e drejta kushtetuese për akses në gjykatë dhe për verifikimin gjyqësor të mandatit të një zyrtari publik kthehet në arsye për të mbajtur në burg personin që e ushtron këtë të drejtë.

“Në këtë logjikë, ushtrimi i të drejtave kushtetuese nga qytetarët do të kthehej nga një garanci mbrojtjeje në një rrethanë rënduese për lirinë personale”, vijon Veliaj.

Edhe pretendimin se depozitimi i kësaj padie administrative përbën përpjekje për të krijuar konflikt institucional duke përdorur Bashkinë e Tiranës, meqë ajo është bashkë me Veliaj paditës në Gjykatë Administrative, mbrojtja e kryebashkiakut e konsideron absurde.

“Erion Veliaj është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i konfirmuar si i tillë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë cilësi ai është përfaqësuesi ligjor i institucionit. Masa e sigurimit ndaj kreut të këtij institucioni ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e Bashkisë së Tiranës, pasoja që qytetarët e kryeqytetit i konstatojnë çdo ditë. Për rrjedhojë, vetë institucioni ka interes të drejtpërdrejtë dhe legjitim aktiv për të verifikuar ligjshmërinë e mandatit të një prokurori, veprimtaria e të cilit ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për Bashkinë e Tiranës duke pezulluar në mënyrë efektive nga ushtrimi i detyrës kryetarin e zgjedhur të saj

E vërteta është e kundërta e asaj që pretendohet. Konflikti institucional është krijuar nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila po ndërhyn institucionalisht për të mbrojtur një prokuror, mandati i të cilit është aktualisht në verifikim para gjykatës administrative. Një institucion serioz duhet të presë vendimin e gjykatës dhe të shmangë çdo veprim që mund të interpretohet si përpjekje për të ndikuar në një proces gjyqësor në zhvillim. Vetë fakti që mandati i prokurorit Olsi Dado është në shqyrtim gjyqësor duhet të ishte një shqetësim institucional për çdo organ të sistemit të drejtësisë. Në një situatë të tillë, standardi ligjor do të kërkonte respekt për procesin gjyqësor dhe mosndërhyrje institucionale (i paditur është personi Olsi Dado, jo institucioni) deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, argumenton në Gjykatë Kushtetuese mbrojtja e Erion Veliajt.

Në kundërshtimet ndaj Prokurorisë së Posaçme në Kushtetuese, avokatët thonë se paraburgimi pa afat i Erion Veliajt ka tejkaluar çdo standard proporcionaliteti dhe çdo standard të vendosur nga Komisioni i Venecias për të zgjedhurit vendorë.

“Paraburgimi nuk mund të zgjatet në mënyrë të pakufizuar mbi të njëjtat arsye fillestare dhe pa rrethana të reja konkrete që ta justifikojnë atë, aq më tepër kur kjo masë po rëndon mbi mirëqeverisjen e kryeqytetit dhe bëhet fjalë për një të zgjedhur vendor që vetë ligji nuk lejon të pezullohet nga detyra.

Në një shtet të së drejtës, paraburgimi nuk mund të përdoret si instrument për të neutralizuar autoritetin demokratik të një të zgjedhuri, për të ndëshkuar ushtrimin e të drejtave kushtetuese të mbrojtjes apo për të shfuqizuar në praktikë të drejtën qytetare të vetëqeverisjes”, argumenton mes të tjerash mbrojtja e Veliajt në dokumentet e dorëzuara në Gjykatë Kushtetuese.

Për këtë arsye, sipas tyre Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar të vlerësojë nëse në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me një masë sigurimi, apo me krijimin e një precedenti që rrezikon standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, të drejtës për mbrojtje dhe funksionimit normal të institucioneve demokratike.

Kërkesa e Veliajt për masën e tij të sigurisë pritet të shqyrtohet në Gjykatë Kushtetuese më 20 maj, në një seancë me bazë dokumentesh. 

-------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë