Fqinjët tanë, grekët e lashtë, jo shumë larg trojeve shqiptare, e nisën herët dialogun mbi vëzhgimin dhe njohjen thellë të natyrës njerëzore. Sokrati, Platoni, Aristoteli, Glaukoni, Trasimaku etj. biseduan gjatë mbi dobësitë njerëzore dhe domosdoshmërinë e ligjeve të ngritura mbi virtyte që do të rregullonin bashkëjetesën mes njerëzve e do të pengonin triumfin e instikteve të ulëta, mbi ato të lartat, më të fismet. Sipas Aristotelit, politika ka për detyrë të promovojë virtytet, ndaj të cilave njerëzit kanë vështirësi të afrohen.
Duke nënvizuar Republikën e Platonit, në shumë rreshta e paragrafe, të vjen në mendje një paralelizëm i përpjekjes së filozofëve të lashtë për të gjetur një zgjidhje në kaosin e asaj kohe të largët, me dalldinë e sotme, në çoroditjen e vlerave e të vërtetave, që ka kapur planetin, pas shpërthimit të rrjeteve sociale.
E gjithë kjo çorbë do të bëjë që natyrshëm të lindin, ndoshta jo tamam baballarët e mendimit filozofik si Platoni e Sokrati etj. por me siguri, njerëz të zgjedhur dhe me inteligjencë e virtyte, që të mendojnë, të kenë vullnetin e të gjejnë zgjidhje për këtë gjendje kaotike mendimi dhe të vërtetash false që sundon planetin, e sigurisht edhe "katundin" tonë të ëmbël, Shqipërinë.
Perceptohet mes disave një përpjekje për të luftuar qëllimet e këqija, lajmet e gënjeshtërta, fake news e të tjera sajime individuale apo të organizuara, por është ende një përpjekje e brishtë, pa një rezultat mbërthyes për një kategori qëllimkëqinjsh e të pavirtytshmish që plluskojnë në rrjete e në shoqëri.
E nëse shihen grimca propozimesh, është e qartë si drita, ose më mirë si nata në një provincë pa dritë, që ata që e kundërshtojnë rregullimin dhe filtrimin e gënjeshtarëve, indinjohen ende pa dëgjuar. Vetëm ideja se përmes një ligji, një rregullimi apo disiplinimi, do të mundet të reduktohet pasioni gënjeshtar i profesionistëve dhe prodhuesve të shpifjeve dhe fake news, ua ngre qimet përpjetë më të përkushtuarve.
Dy janë rrugët për të përmirësuar gjendjen alarmante të falsiteteve dhe të njerëzve qëllimkëqinj: Ose individualisht ne shqiptarët do të mprehim aftësinë tonë për të filtruar informacionet dhe për të bllokuar, fikur, këdo që edhe njëherë të vetme ka shpërndarë informacione false, apo shpifje e lëndime qëllimisht, ose, në këtë dëshirë e përpjekje për shtetformim, të kemi ligje që pengojnë manipuluesit, mashtruesit, shfrytëzuesit, jo fjalën dhe mendimin e lirë.
Nëse sot, virtualisht, do të mblidheshin në forume e simpoziume Sokrati, Platoni a Aristoteli, ata do të ishin tepër të mërzitur me ne njerëzit modernë e të pagdhendur në ndjenja e virtyre, si të kishim dalë nga guvat primitive të komunikimit.