Arkeologjia, ‘asi nën mëngë’ i Shqipërisë në shkencë! Palafitet në Lin e statuja 2500-vjeçare e ‘kalorësit të Babunjës’, Muka: Ja ç’ndodh me projektet

Me artefakte e të dhëna historike, projektet e Institutit të Arkeologjisë, bënë që spektri i njohjes së arkeologjisë vendase të zgjerohej edhe jashtë kufijve. Nga 60 projekte të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me ndërkombëtarët që janë në proces, 32 i përkasin këtij instituti, të drejtuar nga arkeologia Belisa Muka.

“Sikundër morëm angazhimin në fillim të vitit, Instituti i Arkeologjisë ka realizuar konform këtij plani, pjesën dërrmuese të projekteve të parashikuara. Kemi disa projekte që janë aktive në terren, disa të tjera që do të realizohen në shtator-tetor, sipas planeve tona të punës, diku nga nëntori, duhet t’i japim fund aktiviteteve në terren që kanë nisur këtë vit me kërkime të të gjitha periudhave të ndryshme, të gjitha vendbanimet ku ne punojmë, përfshirë edhe disa aktivitete të reja që ngrenë siparin këtë vit, gjithnjë në kuadër të problematikave që ne mbulojmë si Institut i Arkeologjisë”, shprehet drejtorja e Institutit të Arkeologjisë, arkeologia Belisa Muka.

Vetë studiuesja Muka, është e angazhuar në disa projekte të rëndësishme, edhe në terren.

"Kam një ngarkesë pune, që ‘xhonglon’ mes punës në terren dhe asaj administrative, por profesioni im bazë është arkeologu, kështu që jam e angazhuar me kërkime në Butrint, Dobër në zonën e Vagalatit, Lugina e Mesme e Pavllës, do të realizohen kërkime në Finiq, edhe parashohim edhe një aktivitet në Apoloni sikundër është traditë e kërkimeve tona", shprehet drejtorja e Institutit të Arkeologjisë Belisa Muka.

Projekti ‘Lin3’ i zbatuar në bashkëpunim me Universitetin e Bernës në Zvicër, në pjesën bregliqenore të Ohrit, tërhoqi vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Në to, u fol për kohëzgjatjen prej 7500-8000 vjeçare të vendbanimeve palafite në Lin, çka mund t’i bënte ndër më të hershmet në Evropë.

"Vendbanimi palafit njihej në atë zonë, ka pasur kërkime të mëhershme, ajo që ndryshon është sigurisht metodologjia e re, e cila është aplikuar në kuadër të këtij projekti dhe mbi të gjitha analizat e carbon C14, që japin datime ekzakte", shton ajo.

‘Lin3’ është pjesë e një projekti të madh Evropian, që studion vendbanimet e kësaj tipologjie në bregliqen të Ohrit dhe kërkimet janë shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut e Greqi. Por, a do të vijojnë kërkimet në territorin tonë për të theluar tezat mbi banorët e hershëm të Linit dhe arkitekturën e veçantë të palafiteve.

"Sigurisht që projekti do të vazhdojë sepse është pjesë e një filozofie pune, e cila ka disa pyetje të ngritura në një kohëzgjatje të caktuar. Plani është që kërkimet të vazhdojnë edhe në vitet në vijim me tematika të cilat i përcakton edhe natyra e zbulimeve të bëra vit pas viti", thotë Muka.

Gërmimet në Babunjë të Lushnjës si pjesë e projektit mbi procesin e ‘Kolonizimit në Ilirinë e Jugut’, sollën gjithashtu të dhëna me rëndësi, pasi studiuesit mendojnë se mund të bëhet fjalë për një qytet bij të Apolonisë. Por, vëmendja e reflektorëve ra mbi këtë projekt falë ‘Kalorësit dhe kalit nga Shqipëria’ 2500-vjeçar, të zbuluar në vitin 2018, që është ekspozuar në Getty Museum. 

"Dhe prej 2018-ës përfshirë dhe vitet e pandemisë, pati një vonesë në ekzekutimin e projektit, i cili parashikon konservim, restaurim, por edhe ekspozim. Aktualisht që flasim jemi pikërisht në momentin e ekspozimit të objektit në vilën Getty në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ekspozimi do vazhdojë edhe pak muaj para se të riatdhesohet, sipas marrëveshjes që është bërë dhe lejes së marrë nga Ministria e Kulturës", shprehet Muka.

Ndonëse, në 31 maj u mor vendimi për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e saj pranë Akademisë së Shkencave, projektet e Institutit të Arkeologjisë, vijojnë ende, në kërkime të zbulimeve të reja.

"Ajo që shoh të rëndësishme natyrisht përveç kërkimeve arkeologjike përveç studimeve dhe bërjes me dije të tyre për komunitetin është edhe përpjekja dhe kontributi që japim në të gjitha kërkimet tona në formimin e brezit të ri, që marrin pjesë në to . Kemi një bashkëpunim të mirë me Universitetin e Tiranës, Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgiminë kulturore", konkludon studiuesja.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic