A ka pasur një alfabet të sajin gjuha shqipe në lashtësi? Deri kur daton shkrimi i parë në alfabetin origjinal? Një pjesë e studiuesve mendojnë se shenjat më të hershme të një alafbeti të shqipes janë shfaqur 600 vjet më parë tek Buzuku, që përziente disa shenja të veçanta për disa nga gërmat shqipe me shkronja të latinishtes, një pjesë e studiuesve flasin për alfabete të tjera 400 e 500-vjeçare. Diskutimi i kësaj çështjeje kërkon një rrugë shumë të gjatë studimi. Kështu shprehet arkeologu Skënder Muçaj për “Shqiptarja.com”, pas intervistës me studiuesin rus Aleksandër Novik, të botuar një ditë më parë në këtë gazetë.
Aleksandër Novik ka folur për shqiptarët e Ukrainës dhe për zbulimin e shkrimit të alfabeteve të vdekura të shqipes në rreth 300 tulla. Kjo intervistë dhe opinionet e arkeologëve rusë të botuara në “Shqiptarja.com” kanë ngjallur një kureshtje të madhe, jo vetëm tek lexuesit, por edhe tek specialistët e shkencave humane dhe të arkeogjisë.
Novik në intervistën për “Shqiptarja.com” ka rrëfyer se shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur, jo vetëm gjuhën e folur shqipe për 500 vjet, por edhe fakte nga shkrimi i saj më një alfabet të veçantë, që shkencëtarët rusë e përgjasojnë me tri alfabete të hershme të zbuluara në Shqipëri. “Për herë të parë, mund të deklarojmë zyrtarisht se në jug të Rusisë është hapur një monument që bën dokumentimin e shkrimit të vjetër të shqiptarëve. Dhe është e mahnitshme! Në botë mbijetojnë disa disa shembuj të përdorimit të alfabetit të vdekur të shqipes në arkivat shtetërore në Tiranë, ku një nga ato është “Bibla e Anonimit të Elbasanit” dhe disa letra nga tregtarët dhe artizanët nga Elbasani nga të afërmit e tyre të mërguar. Prandaj gjetjet nga fshati Margaritovo janë me interes serioz shkencor!”. Këto kanë qenë deklaratat e arkeologut Dmitry Zenyuk pas zbulimit të tullave me mbishkrime në gjuhën shqipe në Rusi.
Para 500 vjetëve shqiptarët kanë qenë në tokën e tyre. Ku janë gjurmët e këtyre alfabeteve?! A janë bërë zbulime nga arkeologët shqiptarë. Cila është zanafilla e tyre? Arkeologu i njohur Skënder Muçaj rrëfen se janë bërë zbulime edhe më të hershme në Shqipëri me një alfabet ndryshe nga ai grek e romak, por nuk janë studiuar, nëse i përkasin apo jo gjuhës shqipe.
Intervista
Zoti Muçaj, fakti i shkrimit të alfabeteve të vdekura të shqipes, pas botimit të lajmit në “Shqiptarja.com” që janë zbuluar rreth 300 tulla me mbishkrime, që arkeologët i kanë përcaktuar si një alfabet të vjetër të shqipes në Ukrainë, ka ngjallur një kureshtje të madhe. Ju si arkeolog, keni ndeshur në shkrime të tilla gjatë ekspeditave të bëra në vendin tonë?
Kjo është traditë e lashtë, nuk është e veçuar. Të gjitha materialet e ndërtimit dhe të gjitha prodhimet që bëheshin në periudha të ndryshme historike në pjesën më të madhe kishin stampën e pronarit ose të prodhuesit. E njëjta gjë ndodhte edhe në prerjen e monedhave. Çdo prodhues nëshkruante përveç traditës që kishte, e zakonisht vuloste, ose me simbole, ose me emra objektet. Dhe ne kemi me shumicë në periudhën helenistike tjegullat, ku në përgjithësi janë me emrat e pronarëve, por janë të shkruara me shkronjat e albabetit grek. Vetëm në qytetin antik të Gurëzezës janë afërsisht rreth 25 prodhues tjegullash të zbuluara nga emrat. Ka shumë, se atje janë zbuluar më shumë tjegulla me mbishkrime sesa në qendrat e tjera. Po ashtu ka edhe Apollonia tjegulla të shkruara me shumicë, ka Durrësi, ka Dimali, Bylisi, Klosi e kështu me radhë. Dhe këto mbishkrime ne na njohim edhe me pronarë të ndryshëm që kanë lënë emrat në tulla, por edhe sesi bëheshin shënimet në formë shtetërore apo private.
Po ashtu përveç këtyre, që ishin pronarët e ndërtimeve të periudhës helenistike që bëheheshin me blloqe të mëdha, simbolet bëheshin edhe për radhën që i takonte secilit bllok dhe vendoseshin shkronja njëra pas tjetrës. Këto ishin edhe për gurët.
Më vonë edhe tullat filluan të përdoreshin me simbole ose me shkrime të plota. Gjatë antikitetit të vonë edhe mesjetës kemi plot tulla që janë me simbole, por edhe me shkronja ose me shenja të ndryshme, ku prodhuesi kishte edhe simbole që i kishte në gjuhën e tij, që i dinte vetë ai, i kuptonte ai për çfarë i kishte. Këto u bënë shumë masive, sidmos tullat në shekullin e 10-të e 11-të, ku filluan të përdoreshin me shumicë. Në kishat që kam gërmuar edhe vetë unë, kemi zbuluar tulla të shkruara. Janë gjetur në Kishën e Shën Janit, në zonën e Delvinës, Sarandë, në kishat e Kamenicës, në Nivicë Bubar, janë zbuluar tullat të gjitha me simbole e me shkronja.
Ka ndër to mbishkrime që nuk janë as në alfabetin grek as në atë latin?
Në kishën e Shën Janit dhe Kishën e Shën Bubarit janë me alfabet grek. Kurse në Kamenicë, në Asomat të Vlorës kemi gjetur alfabete të tjera. Si kohë e dimë se kujt i takojnë, shekullit të 9-të e të 10-të e nuk i kemi identifikuar as me alfabetin paraardhës të cirilikut, as me alfabete arabe. Duke mos qenë njohës të kësaj fushe, edhe pse ato janë të botuara, janë të patrajtuara në këtë pikëpamje se çfarë shkronje janë. Janë parë edhe ngjashmëri me shkrimte glakotike apo edhe judaike, por duke mos u studiuar nuk dihet se çfarë janë. Ka shkrime edhe me shkronja njëra pas tjetrës dhe që mund të zbulohet edhe ndonjë fjalë. Kështu që vërtetë studiuesit rusë e krahasojnë zbulimin në ato tulla me alfabetin e Elbasanit, por edhe ai është pak i studiuar dhe duhet të bëhen mjaft krahasime për të zbuluar se çcfarë janë më tej, por deri më sot këto zbulime këtu në Shqipëri që thashë unë, janë një fushë e pakërkuar. Njohim pak alfabete të shkruara.
Ka ndonjë një hipotezë që mendohet se është alfabet vendas?
Këto që them unë të Kameincës e Aomatit janë shkrime të veçanta. Në Kamenicë e Delvinë kemi gjetur edhe simbolet e kryqet e tempullarëve që ishin në mode në atë kohë, por të gjitha kanë nevojë për studime të mëtejshme, duan specialistë në fushat përkatëse, nuk bëhen nga specialistë që vijnë nga territori ynë, nga fusha e historisë dhe e arkeologjisë si puna ime. Ne kemi gjetur në Durrës kandila të periudhës romake që janë me shkrime judaike. Kemi gjetur ca mbishkrime të paqarta në Asomat të Vlorës. Menduam në fillim se ishin shkrime arabike, por kur ua çuam specialstëve të fushës, ata na thanë se nuk kanë lidhje, pra mendohet se ka një mister shkrimi i zbuluar në Asomat të Vlorës.