Sot nis në Armeni takimi i 8-të i Komunitetit Politik Europian, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.
“Një tjetër samit, një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet tona të përbashkëta dhe shqetësimet. Është një tjetër mundësi e mrekullueshme për të parë sa shumë gjëra mund të realizojmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të shkojmë më tej me unifikimin e Europës”, tha Rama para gazetarëve teksa hyri në vendin ku do të mbahet takimi.
Rama realizoi gjithashtu edhe foton familjare me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.
Kreu i qeverisë shqiptare mbërriti mbrëmë në vendin e takimit në Yerevan në të njëjtën kohë me shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Ky takim i 8-të ka mbledhur udhëheqës nga i gjithë kontinenti në Jerevan të Armenisë, nën moton "Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Evropë".
Samiti do të bashkëkryesohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, dhe Nikol Pashinyan, Kryeministri i Armenisë.
48 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të tetë të Komunitetit Politik Evropian, mes të cilëve 27 vendet anëtare të BE-së, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, ndërsa për herë të parë, në këtë samit do të marrë pjesë dhe një shtet jo-evropian si Kanadaja.
Komuniteti Politik Evropian është takuar deri më tani shtatë herë. Vitin e kaluar Saminit u mbajt në Shqipëri më datë 16 maj ndërsa i fundit është zhvilluar më 2 tetor në Danimarkë. Takimi i radhës i samitit të Komunitetit Politik Evropian do të zhvillohet në Irlandë në nëntor 2026.
lajm në përditësim...

Pas përfundimit të deklaratës për shtyp, kryeministri Rama hyri në vendtakimin ku do të mbahet Samiti i 8-të i Komunitetit Politik Europian, ndërsa u mirëprit nga kryeministri armen, Nikol Pashinyan për të shkrepur edhe foton familjare.

Kryeministri Rama ka mbërritur në takimin e Komunitetit Politik Europian në Yerevan të Armenisë, të cilin, në një deklaratë për shtyp, e cilësoi si një mundësi për të treguar sa i rëndësishëm është unifikimi i Europës.
“Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Europës.
Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”, tha Rama.
I pyetur se çfarë mund t’u ofrojë BE vendeve që aspirojnë anëtarësimin, Rama tha se kjo lidhet me forcimin e Europës.
“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian. Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, përmbylli Rama.
Komente











