Bombardimet masive të Izraelit në Liban po kërcënojnë marrëveshjen e paqes të arritur mes SHBA-së dhe Iranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, për një armëpushim 2-javor.

I ftuar në “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, aktivisti Florian Arapi tha se “për SHBA-të nuk ka qenë interesi kryesor i tyre kjo luftë por kanë qenë të shtyra normalisht të themi nga Izraeli.”

“Kemi të bëjmë me një shtet që sot, që sapo u krye armëpushimi, menjëherë filloi sulme intensive, duke prishur armëpushimin, në Liban. Sot në këto sulme janë vrarë 89 veta. Për të treguar me arrogancë që ne nuk pyesim Shtetet e Bashkuara, dhe për të vërtetuar atë që është thënë dhe rithënë që Izraeli është shteti që destabilizon më së shumti rajonin”,- shtoi Arapi.

Eksperti për çështjet e sigurisë, Xhavit Shala, thotë se kërcënimet e presidentit Donald Trump ndaj Iranit për sulme “apokaliptike” nuk janë asgjë tjetër veçse metoda që përdor kreu i Shtëpisë së Bardhë për të ulur në bisedime palën kundërshtare.

“Marrëveshjen unë e quaj diçka shumë pozitive për paqen dhe sigurinë që u arrit një armëpushim. Ndonëse është shumë i brishtë filloi të funksionojë, pavarësisht veprimeve të Izraelit. Përsa i përket retorikës së presidentit Trump, ajo është mënyra e tij e të negociuarit. Ai e ngre lart dhe pastaj e bën palën tjetër të ulët dhe të arrijë atje ku do ai në realitet, pavarësisht gjuhës aspak diplomatike që u përdorur për ta detyruar të ulet në tavolinën e bisedimeve”,- tha Shala.