HAGE- Pas refuzimit të Shqipërisë për t'u bërë vendi ku do të shkatërroheshin armët kimike siriane, ngrihet dilema se ku do të ndodhë ky proces?

Mediat ndërkombëtare komentojnë refuzimin e Shqipërisë, ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se e vlerëson faktin që Shqipëria e konsideroi seriozisht mundësinë për tu përfshirë ne proces dhe se vendimi nuk ndikon në marrëdhëniet me SHBA-në. DASH shton se ka një numër vendesh më të cilët komuniteti ndërkombëtar po bisedon, dhe çdo vend duhet të vendosë si mund të ndihmojë dhe asistojë në proces.

“Misioni i shkatërrimit të armëve dhe lëndëve kimike u godit rëndë dje kur Shqipëria refuzoi të jetë pjesë e këtij operacioni. Refuzimi surprizë nga vendi i vogël dhe i varfër i Ballkanit la të hapur pyetjen se ku do të dërgohet arsenali i Sirisë, gati 1,300 ton, e cila përfshin gaz mustarde dhe sarin, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike - shkruan Agjencia e lajmeve Associated Press.

"Shqipëria ishte konsideruar si shpresë e fortë, dhe të paktë ishin diplomatët perëndimorë që prisnin që shteti i NATO-s me 2.8 milionë banorë të refuzonte atë që kryeministri Rama tha se ishte kërkuar nga SHBA.  "- shkruan AP në shkrimin me " Albania refuses to host destruction of Syria’s chemical weapons; watchdog agency undaunted"

"Kryeministri surprizoi zyrtarët e Perëndimit kur në një dalje publike tha se është e “pamundur” të marrë pjesë në shkatërrimin e armëve të presidentit Assad për shkak të mungesës së kapaciteteve. Pas refuzimit të Norvegjisë zyrtarët amerikanë u mbështetën fort tek Shqiëpëria e cila 6 vite më parë kishte shkatërruar armët e saj kimike.  Ambasadori i SHBA-së deklaroi se SHBA do të zhgënjehej nëse Rama do të tërhiqej. Diplomatët perëndimorë të cilët ishin  në dijeni të negociatave me Shqipërinë thanë se Shqipërisë i ishte premtuar mbështetje financiare dhe teknike, megjithëse detajet nuk u treguan. " - shkruan Los Angelos Time në shkrimin me titull "Albania won't be host site for destruction of Syria chemical weapons

SHBA KA ALTERNATIVA
Një zyrtar i OPCW,( ne shqip, ONAK) organizatës me qendër në Hagë, Malik Ellahi i thotë AP se “nuk mund të përmendë emrin e një shteti në këtë moment, por sigurisht që ka opsione, dhe ka mënyra  për të kryer këtë plan.”

Ndërkohë që një burim i kësaj organizate ka thënë për Vocie of Russia se SHBA ka alternativat e saj.

“Në vendimin që u dha mbrëmë nuk u caktua ende një destinacion por SHBA-të kanë alternativat e tyre”- ka thënë një burim i OPCW, për Voice of Russia.

Më herët  Franca është përmendur  si një vend alternativ  për shkatërrimin e armëve kimike siriane. Ndërsa Norvegjia pranoi se ishte gati të ndihmonte transportin e armëve kimike, por të shkatërroheshin diku tjetër. Norvegjia deklaroi se nuk do të shkatërronte armët kimike sepse nuk kishte ekspertizën e duhur.

OPCW:ISHTE VENDIM SOVRAN
 “Shqipëria nuk mund të marrë pjesë në këto operacioni”- tha dje Rama në një deklaratë publike nga kryeministria, ndërkohë që jashtë saj u dëgjuan brohoritjet e mbi 2000 protestuesve. “Ishte një vendim sovran ai që mori Shqipëria” komenton Ellahi.

AP përmend dhe deklaratën e zëdhënëses së DASH Jan Psaki se një vendim i tillë nuk do të dëmtojë marrëvdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

 “Ne vlerësojmë faktin që Shqipëria e  konsideroi seriziosht mundësinë për të pranuar shkatërrimin e armëve kimike”- tha ajo. "Komuniteti Ndërkombëtar vazhdon të diskutojë për mënyrat më efikase dhe të shpejta për eliminimin e armëve kimike siriane në mënyrën më të sigurt të mundshme."

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)