Në fillimet e debateve mbi Butrintin, rreth 3 vjet më parë, lexuesve u kujtohet se u përmend shumë herë profesori britanik Richard Hodges i përzgjedhur nga Qeveria Shqiptare si Kryetar i Bordit Shkencor. Prof. Hodges, i cili ka punuar prej vitesh në Butrint dhe ka drejtuar ekspeditën arkeologjike, në eksperiencën time personale qe ishte tipik i një shkencëtari kolonialist nga ata që shpesh shohim në filmat klasike.
Ai ishte përbuzës ndaj shkencës shqiptare, përbuzës ndaj arkeologëve shqiptarë dhe një servil par excellence me pushtetarët e kohës. Mbaj mend një detaj, kur Rama kishte mosmarrëveshje me Ilir Metën dhe mund të ikte nga posti i Ministrit , Hodges kërkonte me çdo mënyrë të prezantohej me të, ( Metën) duke mohuar me kedo qe fliste ne Tirane se e njihte Edi Ramën edhe pse punoi disa kohe si keshilltar i Ministrise se Kultures.
Sidoqoftë, kjo nuk është arsyeja kryesore e këtij shkrimi.
Në mediat shqiptare u botua atekohe një prej leksioneve që profesori Hodges mbante për të rinjtë europianë mbi historinë moderne shqiptare, ku ai shpërndante “njohuritë” e tij të thelluara mbi vendin ku me zemërgjerësi ishte lejuar të punonte dhe të fitonte fonde.
Në leksionin e famshëm ku fliste mbi krijimin e shtetit shqiptar, mes shumë te pavërtetash, Hodges theksonte se Shqipëria ishte 'nje Shtet artificial". dhe se ishte krijuar nga Britaniket ne vecanti ne Konferencen e ambasadoreve nga “Lordi Gray ai i çajit”, dhe me një buzëqeshje të lehtë shtonte:
“Shqiptarët i përzunë grekët nga jugu i Shqipërisë dhe Butrinti mbeti rastësisht në territorin shqiptar.”
Për të mos u zgjeruar shumë mbi manipulimet historike të Richard Hodges, më poshtë po sjell disa fragmente nga debatet në Dhomën e Komunuelthit Britanik, pikërisht mbi çështjen e “përzënies së grekëve nga jugu i Shqipërisë dhe krijimin e Shqipërisë nga Lordi i Çajit”, sipas profesor Hodges.
Duket qartë se Hodges nuk ka marrë mundimin as të lexojë arkivat britanike mbi masakrat e tmerrshme të paramilitarëve grekë në Shqipëri, raporte këto që u diskutuan deri në parlamentin britanik në vitin 1914.
Por i gjithë ky manipulim historik ka rëndësi të madhe për historinë shqiptare. Hodges është përzgjedhur nga qeveria e Ramës të jetë këshilltari kryesor shkencor në Butrint, anëtar i bordit të Butrintit, dhe personi i zgjedhur pa ndonjë kriter apo konkurs për këtë pozicion dhe vazhdon të japë leksione në emër të historisë shqiptare. ( jo me larg se janari i 2026 ne Londer ne ambasaden e Kosoves ne prani edhe te Ambasadorit te Shqiperise)
Lexuesi pasi te lexoje fragmentet nga arkiva e 1914, mund të nxjerrë vetë përfundimet duke krahasuar dokumentet arkivore britanike me “leksionet” e profesorit Hodges. Por ajo që është e turpshme për shqiptarët është fakti se një falsifikator i historisë përfaqëson qeverinë dhe historinë tonë në auditorët europiane.
Ky fragment nga debatet e Dhomës së Komunëve (HC Deb) më 20 korrik 1914, vëllimi 65, faqet 5–75, lidhet me situatën në Shqipërinë e Jugut dhe në Epir pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Shqipëri.
§1. Sir J. D. REES pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse ka ndonjë informacion zyrtar për mizoritë ndaj myslimanëve në Tepelene dhe Klisura, per ti cilat jane shkaktare epirotët gjatë marshimit të tyre drejt bregdetit?
§4. Z. STEWART pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse ka ndonjë informacion në lidhje me djegien e qytetit të Tepelenit nga epirotët, dhe me masakrën e gjithë banorëve, meshkuj, gra dhe fëmijë, të fshatit Batska, dhe nëse gratë e këtij fshati ishin parë fillimisht të mbytur e më pas prerë në copa?
§ Përgjigja e Nën-Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme (Z. Acland):
Do të përgjigjem për këtë pyetje dhe për atë të deputetit të Wirral. njëkohësisht. Lajmet për atë që po ndodh në Shqipërinë e Jugut janë shumë shqetësuese, por nuk kam marrë ndonjë detaj të besueshëm, dhe raportet që arrijnë tek unë janë, natyrisht, nga burime jozyrtare dhe të paautentikuara. Kam komunikuar mbi këtë çështje me Fuqitë e Mëdha.
§2. Sir J. D. REES pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse mund t’i japë Dhomës ndonjë informacion në lidhje me situatën në Durrës, dhe nëse mund të thotë nëse ndonjë mbështetje materiale apo morale po ofrohet nga Qeveria e Madhërisë së Tij për Princin Vilhelm?
Z. ACLAND: Durrësi është ende i rrethuar nga rebelët, por për një kohë ka qenë i lirë nga sulmet aktive. Rear-Admiral Troubridge është prezent me dy nga anijet e Madhërisë së Tij dhe ka urdhra të bashkëpunojë me anijet e huaja për të siguruar mbrojtjen personale të princit, zyrtarëve të tij dhe të gjithë qytetarëve evropianë jo luftarakë, në rast se lind nevoja.
§3. Z. STEWART pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse, duke pasur parasysh pranimin nga Ministri Grek në Durrës se kriminelët kretas janë tani në Epir, mund të thotë kush ishte përgjegjës për lirimin e këtyre të burgosurve; dhe nëse mund të bëjë përfaqësime tek Qeveria Helene për t’i kërkuar të tërheqin këta kriminelë nga Shqipëria?
Z. ACLAND: Nuk kam asgjë për të shtuar përveç përgjigjes që u dha më 25 qershor për një pyetje shumë të ngjashme nga deputeti i Hullit Qendror.
§5. Z. GRETTON pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse Konferenca në Londër, mbi të cilën ai ka vepruar si kryetar, nënshkroi një marrëveshje për krijimin e Shqipërisë si Shtet autonom; dhe nëse ai, si kryetar i Konferencës, nënshkroi marrëveshjen?
Z. ACLAND: Krijimi i një Shteti shqiptar autonom bazohet në një rezolutë të miratuar në një mbledhje të Konferencës së Ambasadorëve, mbi të cilën ka presiduar miku im i nderuar. Procesverbali i asaj Konference nuk u përfshi në ndonjë dokument formal, dhe prandaj nuk lind nevoja për të nënshkruar një marrëveshje. Për të shmangur keqkuptimin, mund të shtoj se Konferenca e Ambasadorëve veproi thjesht si një mënyrë për të mbajtur Qeveritë e vendeve të përfaqësuara aty në kontakt të ngushtë me njëra-tjetrën, dhe rezolutat e tyre ishin thjesht shënime të pikave mbi të cilat këto Qeveri ranë dakord.
Z. GRETTON: A kuptoj se nuk ka ndonjë marrëveshje për statusin e Shqipërisë?
Z. ACLAND: Ekziston një marrëveshje me shkrim për kufijtë e Shqipërisë.
Z. D. MASON: A nënkupton kjo marrëveshje midis Fuqive ndonjë mundësi për mbajtjen e ligjit dhe rendit?
Z. ACLAND: Mendoj se miku im i nderuar ka thënë së fundmi, duke iu përgjigjur një pyetjeje, se Qeveria e Madhërisë së Tij nuk pranon ndonjë përgjegjësi për mbajtjen e ligjit dhe rendit në Shqipëri.
§7. Z. SHIRLEY BENN pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse Qeveria Epirote e M. Zographos ka ndjekur ndonjëherë marrëveshjen e Korfuzit?
Z. ACLAND: Marrëveshja e përfunduar me Komisionin Ndërkombëtar në Shqipëri u pranua nga Monsieur Zographos në emër të Qeverisë Provisional Epirote, por me keqardhje duhet të them se ajo është praktikisht mohuar nga epirotët e tjerë që nga atëherë.
§8. Z. SHIRLEY BENN pyeti Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme nëse do të marrë vesh nëse Qeveria Greke ka ndërmend të mbajë M. Doulis, komandantin e forcave epirote, përgjegjës për masakrat e mëparshme ndaj shqiptarëve?
Z. ACLAND: Jam informuar nga Qeveria Greke se Kolonel Doulis është hequr nga lista e oficerëve të Ushtrisë Greke. Prandaj ai nuk është më përgjegjës për ta.
Komente











