Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, vazhdon të ngrejë pikëpyetje të forta mbi nivelin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe procedurat e shoqërimit të të burgosurve. Për këto pikëpyetje u diskutua sot në 'Sot Live në Shqipëri' në Report TV.

Eksperti i kriminalistikës Artan Rexhepi e cilësoi arratisjen e Ndocit si një ngjarje shumë më të rëndë, duke theksuar se bëhet fjalë për një veprim të mirëorganizuar.

"Problemi qëndron ose kemi një mirë organizim dhe një pagesë të lartë për ta realizuar këtë lloj arratisje, ose mund të jetë edhe neglizhencë e konfidencialitetit të tepërt.. Aty është shkelur çdo lloj manuali e çdo lloj protokolli" tha Rexhepi.  

Sipas Rexhepit, një tjetër aspekt që mund të ketë lehtësuar arratisjen e Ndocit është ulja e vigjilencës dhe konfidenca e tepërt mes një të burgosuri dhe polici. 

"Ndoshta kjo ka ulur vigjilencën prandaj nuk duhet krijuar konfidenca. Është shkelur çdo protokoll Nuk duhet shkelur protokolli. Arrestimi i drejtorit apo të një shefi tjetër që nuk ka implikim të drejtpërdrejtë më duket masë e tepërt. Në kohën e mëparshme ka qenë masë standard që drejtori shkarkohej direkt nëse i burgosur nuk kthehet nga leja. Burgjet nuk janë institucione të lehta. Kriminalizimi është në nivele të larta" tha ai. 

Sipas ekspertit, Altin Ndoci nuk duhej të mbahej në burgun e Durrësit, të cilin e cilësoi si të papërshtatshëm për profile të tilla kriminale. Ai nënvizoi se burgu që sipas tij po strehon 'Kombëtaren e Krimit', ndodhet shumë pranë zonave të banuara dhe nuk plotëson kushtet bazë të sigurisë. 

"Të gjitha burgjet duhet të kenë distanca sigurie nga banesat" tha ai duke argumentuar në favor të prishjes së plotë të burgut 313, që është i rrethuar nga banesa. 

Gjatë diskutimit u ngritën edhe shqetësime mbi shoqërimin e të burgosurve në spitale, ku sipas Rexhepit, përveç trajtimit mjekësor, ndodhin edhe takime të ashtuquajtura “speciale”, ndërsa në disa raste, dokumentet manipulohen. Ai shtoi se Altin Ndoci ishte dërguar disa herë në spital në një periudhë të shkurtër, gjë që, sipas tij, mund të ketë ulur vigjilencën e strukturave përgjegjëse.

Eksperti kritikoi gjithashtu faktin që komisariati përkatës nuk është njoftuar në kohë për arratisjen, duke e cilësuar këtë si një tjetër element skandaloz të ngjarjes. Sipas tij, verifikimi i tabulateve të telefonave mund të nxjerrë në dritë lidhje dhe përgjegjësi të tjera .

Rexhepi bëri thirrje për më shumë meritokraci në procesin e punësimeve në burgje.

“Ka emërime nepotike, politike dhe financiare. Lejet në burgje zakonisht jepen me pagesë. Tarifa është e një hoteli me 5 yje. Një burg nuk do asgjë më shumë se një drejtor të mirë, një shef policie të mirë dhe rrjetin energjitik e ujësjellës. Nëse i ka këto, situate shkon shumë mirë” tha ai

Artan Rexhepi theksoi se sistemi i burgjeve është një institucion shumë i vështirë për t’u administruar dhe paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet në çdo moment nëse nuk respektohen rreptësisht protokollet e sigurisë.