Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ të nxjerrë nga SPAK për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Gjatë fjalës së tij, ish-prokurori Ervin Karanxha, duke iu referuar 2 akuzave të ngritura nga SPAK për Hysenin, “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”, tha se dënimi për veprën e parë është deri në 5 vite, ndërsa për të dytën 2-7 vite.

Më tej Karanxha tha se SHISH ka bashkëpunuar edhe me organet e vettingut dhe sipas tij, me shkresa të zyrtarëve të këtij institucioni janë shkarkuar gjyqtarë e prokurorë.

“Kjo është çështje me fraksion. Çështja kryesore është ajo e AKSHI-t, që ka shumë persona nën hetim, por një nga fraksionet është edhe ky. Duke nisur nga akuzat, ligji thotë në mënyrë të qartë ‘zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave’. Pra Vlora Hyseni ka zbuluar akte sekrete, që për shkak të detyrës së saj nuk duhet t’i nxirrte. Për mua pavarësisht se kjo akuzë është më e lehtë se ajo e ‘përkrahjes së autorit të krimit’, për mua kjo është më e rënda, për shkak të pozitës që Hyseni mban. ‘Përkrahja e autorit të krimit’ përmban dënim nga 2-7 vite burg. Zbulimi i akteve sekrete e ka dënimin deri në 5 vite burg. Mos të harrojmë që SHISH ka bashkëpunuar edhe me organet e vettingut dhe me shkresa të këtyre zyrtarëve, që i tregojnë dokumentat grupeve kriminale, janë shkarkuar gjyqtarë e prokurorë. Nga ana tjetër grupet kriminale janë certifikuar si të ligjshëm nga ana e këtyre organeve shtetërore”, tha mes të tjerash Karanxha.

Ndërkohë avokati Rezart Kthupi tha se pezullimi i një funksionari publik (siç veproi SPAK me Vlora Hysenin), duhet të vijë automatikisht për sa kohë që funksionari publik dyshohet për një vepër penale të kryer në ushtrim të funksionit.

Kthupi shtoi gjithashtu se pezullimin nga detyra të një funksionari publik e kërkojnë edhe Prokuroritë e rretheve dhe sipas tij, nuk është SPAK që po e bën për herë të parë.

Më tej Kthupi tha se kryeministri Edi Rama përdor një standard të dyfishtë kur thotë se ‘vlerësojmë punën e Vlora Hysenit, por drejtësia duhet të bëjë punën e vet’. Ai shtoi se Rama duhet të ‘ndajë shapin nga sheqeri’.

“Çështja e pezullimit të një funksionari publik duhet të vijë automatikisht për sa kohë funksionari publik dyshohet për një vepër penale të kryer në ushtrim të funksionit. Një nga kushtet kryesore që kërkojnë masat e sigurimit, është mos kryerja e të njëjtës vepër penale. Pra nëse ti ke bërë një vepër penale duke ushtruar funksionin publik, a ekziston rreziku që ti të kryesh një tjetër vepër penale në ushtrim të këtij funksioni. E kërkojnë edhe Prokuroritë e rretheve pezullimin, jo vetëm SPAK. Rama ka gjetur një standard prej kohësh që bën këtë dyzimin në koncepte. Duhet ndarë shapi nga sheqeri. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj dhe ajo që i kërkohet kryeministrit është të mbajë përgjegjësi politike. Hyseni ka nisur punë si këshilltare personale e kryeministrit. Funksioni kryesor që ka SHISH është që të informojë kryeministrin dhe Presidentin në përditshmëri për gjendjen e sigurisë kombëtare të shtetit shqiptar. Personi që duhet të informonte kryeministrin për të gjitha çështjet që ndodhin në Shqipëri, nuk e ka bërë këtë”, tha Kthupi.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, e cilësoi këtë rast si një ngjarje me peshë shumë të madhe negative. Ndërsa analisti Edvin Kulluri tha se me akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Vlora Hysenit, është shembur gjithë arkitektura e sigurisë Kombëtare. Ai shtoi se Presidenti Bajram Begaj ka përgjegjësinë kryesore politike, pasi nuk ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare prej kohësh.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:29
Arresti për Vlora Hysenin/ Petro Koçi: Reagimi i Ramës standard, kështu duhej vepruar edhe në rastin Balluku! Kulluri: Është shembur arkitektura e sigurisë Kombëtare, Begaj ka përgjegjësinë më të rëndë politike

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ të nxjerrë nga SPAK për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, e cilësoi rastin si një ngjarje me peshë shumë të madhe negative, pasi sipas tij, vë në pikëpyetje integritetin e një prej titullarëve të institucioneve të rëndësishme, si është SHISH.

Koçi tha gjithashtu se reagimi i kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bajram Begaj për shkarkimin nga detyra të Vlora Hysenit, është një standard automatik që sipas tij duhet të ndodhë në çdo rast.

Petro Koçi shtoi se ky standard, nuk ka ndodhur në rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ku mazhoranca me forcën e kartonave në Parlament bllokoi heqjen e imunitetit të saj, që di i hapte rrugë SPAK për ta arrestuar.

“Është një ngjarje me një peshë shumë të madhe negative. Vë në pikëpyetje integritetin e një prej titullarëve të institucioneve të rëndësishme të shtetit, siç është SHISH, i cili për aspekte të sigurisë kombëtare ka peshë shumë më të madhe sesa institucionet e tjera që janë kushtetuese, por që nuk kanë mision specifik në sigurinë kombëtare. Reagimi i Ramës dhe i Presidentit të Republikës është një standard automatik. Në çdo rast kështu duhet të ndodhë. Kështu duhet të ndodhte edhe në rastin Balluku, por nuk ndodhi. Ky rast vë në pikëpyetje edhe mënyrën sesi përzgjidhen këta drejtues”, tha Koçi.

Nga ana tjetër, analisti Edvin Kulluri tha se me vendosjen nga SPAK të masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Vlora Hysenin, pas akuzave “nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”, është shembur e gjithë arkitektura e sigurisë Kombëtare.

“Nëse do të ishte një rast i izoluar, mund ta quanim një aksident. Por kur kujtojmë dosjen e AKSHI-t, drejtuesen e AKSHI-t, e lidhur fortë me sigurinë kombëtare, çështjen e TIMS-it, që janë cënuar të dhënat e hyrje-daljeve në territorin e Republikës së Shqipërisë të qytetarëve, kemi përgjimin e Ben Ahmetajt që tani është hapur një kapitull tjetër në Ministri të Mbrojtjes për KAYO-n, drejtori i përgjithshëm i Policisë. Çfarë ka mbetur më këtu që të cënohet siguria kombëtare? S’ka mbetur më gjë. Këtu është shembur gjithë arkitektura e sigurisë kombëtare, për shkak të drejtimit të institucioneve”, tha mes të tjerash Kulluri.

Më tej Kulluri shtoi se njeriu i parë që ka përgjegjësi të rëndë politike për këtë rast është Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili sipas tij nuk e ka mbledhur prej kohësh Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Më tej, me ironi Kulluri tha se NATO do të ketë më shumë siguri nëse Samitin që pritet të zhvillohet në Shqipëri, do ta zhvillonte në Teheran apo Phenian.

“Njeriu i parë që ka përgjegjësi të rëndë politike është Presidenti i Republikës, i cili më shumë se një herë ka pasur mundësinë të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por nuk e vë ujin në zjarr. Sigurinë kibernetike e kemi gërmadhë, sigurinë e informacionit të klasifikuar, gërmadhë. Në Ministrinë e Mbrojtjes kemi probleme shumë të mëdha. Edhe presim të zhvillohet këtu Samiti i NATO-s. Unë po të isha sekretar i NATO-s, do e zhvillojë më mirë Samitin në Teheran, Pekin dhe Phenian. Pse është arrestuar kryekamarieri te vilat qeveritare? Flitet që ka fshirë kamerat. Pra na bika që personat, grupe kriminale kanë ngrënë te tavolina ngjitur me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit”, shtoi Kulluri.