Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ të nxjerrë nga SPAK për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, e cilësoi rastin si një ngjarje me peshë shumë të madhe negative, pasi sipas tij, vë në pikëpyetje integritetin e një prej titullarëve të institucioneve të rëndësishme, si është SHISH.

Koçi tha gjithashtu se reagimi i kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bajram Begaj për shkarkimin nga detyra të Vlora Hysenit, është një standard automatik që sipas tij duhet të ndodhë në çdo rast.

Petro Koçi shtoi se ky standard, nuk ka ndodhur në rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ku mazhoranca me forcën e kartonave në Parlament bllokoi heqjen e imunitetit të saj, që di i hapte rrugë SPAK për ta arrestuar.

“Është një ngjarje me një peshë shumë të madhe negative. Vë në pikëpyetje integritetin e një prej titullarëve të institucioneve të rëndësishme të shtetit, siç është SHISH, i cili për aspekte të sigurisë kombëtare ka peshë shumë më të madhe sesa institucionet e tjera që janë kushtetuese, por që nuk kanë mision specifik në sigurinë kombëtare. Reagimi i Ramës dhe i Presidentit të Republikës është një standard automatik. Në çdo rast kështu duhet të ndodhë. Kështu duhet të ndodhte edhe në rastin Balluku, por nuk ndodhi. Ky rast vë në pikëpyetje edhe mënyrën sesi përzgjidhen këta drejtues”, tha Koçi.

Nga ana tjetër, analisti Edvin Kulluri tha se me vendosjen nga SPAK të masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Vlora Hysenin, pas akuzave “nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”, është shembur e gjithë arkitektura e sigurisë Kombëtare.

“Nëse do të ishte një rast i izoluar, mund ta quanim një aksident. Por kur kujtojmë dosjen e AKSHI-t, drejtuesen e AKSHI-t, e lidhur fortë me sigurinë kombëtare, çështjen e TIMS-it, që janë cënuar të dhënat e hyrje-daljeve në territorin e Republikës së Shqipërisë të qytetarëve, kemi përgjimin e Ben Ahmetajt që tani është hapur një kapitull tjetër në Ministri të Mbrojtjes për KAYO-n, drejtori i përgjithshëm i Policisë. Çfarë ka mbetur më këtu që të cënohet siguria kombëtare? S’ka mbetur më gjë. Këtu është shembur gjithë arkitektura e sigurisë kombëtare, për shkak të drejtimit të institucioneve”, tha mes të tjerash Kulluri.

Më tej Kulluri shtoi se njeriu i parë që ka përgjegjësi të rëndë politike për këtë rast është Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili sipas tij nuk e ka mbledhur prej kohësh Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Më tej, me ironi Kulluri tha se NATO do të ketë më shumë siguri nëse Samitin që pritet të zhvillohet në Shqipëri, do ta zhvillonte në Teheran apo Phenian.

“Njeriu i parë që ka përgjegjësi të rëndë politike është Presidenti i Republikës, i cili më shumë se një herë ka pasur mundësinë të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por nuk e vë ujin në zjarr. Sigurinë kibernetike e kemi gërmadhë, sigurinë e informacionit të klasifikuar, gërmadhë. Në Ministrinë e Mbrojtjes kemi probleme shumë të mëdha. Edhe presim të zhvillohet këtu Samiti i NATO-s. Unë po të isha sekretar i NATO-s, do e zhvillojë më mirë Samitin në Teheran, Pekin dhe Phenian. Pse është arrestuar kryekamarieri te vilat qeveritare? Flitet që ka fshirë kamerat. Pra na bika që personat, grupe kriminale kanë ngrënë te tavolina ngjitur me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit”, shtoi Kulluri.


Lajmi kryesor:

Arresti për Vlora Hysenin/ Karanxha: SHISH ka bashkëpunuar edhe me organet e vettingut, me shkresat e tyre janë shkarkuar gjyqtarë e prokurorë! Kthupi: Rama të ndajë shapin nga sheqeri!