Zef Preldakaj, një nga shqiptarët më të kërkuar nga drejtësia në vendin tonë, prej vitesh, kishte arritur të bënte një jetë të qenë në arrati, në shtetin fqinj, në Greqi.
Atje, e njihnin me emrin Nikolin Pali, një identitet fals që ai kishte krijuar për t’i shpëtuar kapjes nga policia.
Më 5 nëntor të këtij viti, 44-vjeçari u arrestua në Athinë. Interpol Tirana kishte kohë që bashkëpunonte me autoritetet greke për të identifikuar me prova se i kërkuari i drejtësisë ishte shqiptari që jetonte në liri në Greqi.
Të dhënat biometrike u ekspertuan nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit.
Gjatë arrestimit në Athinë, policia i sekuestroi një pistoletë, granata, pranga dhe një leje qëndrimi në emër të Nikolin Palit, me fotografinë e tij, por me ditëlindjen e ndryshuar.
Zef Preldakaj, i njohur edhe si Fran Preldakaj, ishte dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vite burg. Gjykata e gjeti të ishte bashkëpunëtor në grabitjen e dyqanit të dy vëllezërve Sejdin dhe Seldjan Vucaj që përfundoi në vrasjen e tyre në vitin 2002 në fshatin Shtoj i Vjetër.
Edhe gjatë arratisë në Greqi, ka vijuar aktivitetin kriminal. Në vitin 2020, autoritetet atje e akuzuan Preldakajn për vrasjen me sëpatë të një gruaje nga Ukraina dhe partnerit të saj grek të cilëve dyshohet se u mori para dhe bizhuteri. Për këtë ngjarje, ai ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme.
Pavarësisht dënimit 2 herë me burg përjetë në Greqi, Interpol Tirana po tenton ekstradimin e tij drejt vendit tonë për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
44-vjeçari rezulton me precedentë në Greqi për grabitje me armë, posedim droge, armë dhe lojëra fati.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento