TIRANË, 13 Shtator/ATSH/-Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani deklaroi sot nga Shkodra se qetësia e tregjeve tregon që sistemi bankar është solid dhe funksionon normalisht, duke shtuar se të gjithë duhet të presim vendimin e gjykatës ndaj Guvernatorit Ardian Fullani.
Gaiani zhvilloi sot paradite një takim pune me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka dhe deputetin e Parlamentit Italian Fabio Porta.
Në përgjigje të interesit të mediave lidhur me arrestimin e Guvernatorit Fullani, diplomati Italian tha se "ka një hetim dhe presim vendimin e gjykatës. Nuk mund të them asgjë tjetër, por rëndësi ka pavarësia dhe profesionaliteti i bankës së Shqipërisë, që është një institucion i rëndësishëm. Ajo që mund të them është se qetësia e tregjeve tregon që sistemi bankar është solid dhe funksionon normalisht".
I pyetur mbi bojkotin e opozitës, Ambasadori Gaiani rikujtoi se vendi i dialogut dhe bashkëpunimit është parlamenti. "Kemi ftuar të gjitha partite politike të punojnë bashkë, të zhvillojnë dialogun. Vendi ku ndërtohet demokracia është parlamenti dhe prandaj ftojmë në çdo rast dhe bëjmë apel që ky dialog të përmirësohet dhe të krijohen mundësi për të bashkëpunuar bashkë," nënvizoi Gaiani.
Në takimin e zhvilluar me Kryebashkiakun Luka, deputetit I Parlamentit Italian Fabio Porta rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Qytetin e Shkodrës, me projekte të BE-së dhe ngushtimin e bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe bashkive simotra në Itali./a.g/