SKEDA/ Dosja e skandalit të lobimit të LSI në SHBA, pagesa për një kompani offshore! Afera e Metës me CEZ-DIA

SKEDA/ Dosja e skandalit të lobimit të LSI në SHBA, pagesa për një kompani offshore! Afera e Metës me CEZ-DIA

Ilir Meta kur del nga Policia e Tiranës

Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK për skandalin e lobimit të SHBA dhe CEZ-DIA. Burime bëjnë me dije se të dosjet janë bashkuar në një, ndërkohë që familjes Meta po i hetohet edhe pasuria. Por, si është historiku i këtyre dosjeve për të cilat po hetohet Meta? 

Dosja e lobimit 1

Në mes të muajit gusht të këtij viti, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Procedimi penal ishte regjistruar që në qershor 2022, pas kallëzimit të referuar nga ish-deputeti Halit Valteri. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA. Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro, me administratorin e të cilës kishte lidhje Vangjel Tavo. Meta po hetohet për veprat penale të korrupsionit dhe falsifikimit të formularëve.

Lobimi 2 dhe fshehje pasurie

Në fillim të muajit korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar një tjetër kallëzim penal të ish-deputetit Halit Valteri. Pjesë e kallëzimit të dytë penal janë Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, biznesmeni pranë LSI-së Muharrem Berisha, si dhe Iris Zajmi, Elena Gace, Jori Prifti dhe Agron Xhafa. Në kallëzimin penal thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron si zakonisht çifti Meta-Kryemadhi. Në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara, si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie, përfshirë edhe godinën e LSI-së. Procedimi penale është regjistruar për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.

Afera CEZ-DIA

Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Drejtuesi i SPAK Arben Kraja dhe prokurori Altin Dumani po ndjekin këtë hetim, ndërsa kanë pyetur një ndër kryesorët e kësaj afere, Kastriot Ismailajn, i dënuar me 11 vite burg. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta dyshohet se i kërkon Kastriot Ismailajt, bashkëshortit të Vojsavës (i dënuar me 11 vite burg), 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria zbuloi se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?