
Foto nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së
Këshilli i Sigurimit i Organizata e Kombeve të Bashkuara po zhvillon një mbledhje urgjente për të diskutuar operacionin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimin e presidentit Nicolas Maduro, një zhvillim që ka shkaktuar reagime të forta në rajon dhe më gjerë.
Mbledhja po mbahet nën agjendën “Kërcënime ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare” dhe është thirrur me kërkesë të Kolumbisë, e mbështetur nga Kina dhe Rusia.
Në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, deklaratën zyrtare e mbajti nënsekretarja e përgjithshme për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo. Në deklaratë, Guterres e cilëson operacionin si një precedent të rrezikshëm, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë në rendin ndërkombëtar dhe stabilitetin global.
“Jam thellësisht i shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të paqëndrueshmërisë në vend, ndikimin e mundshëm në rajon dhe precedentin e rrezikshëm që mund të krijohet për mënyrën se si zhvillohen marrëdhëniet mes shteteve,” thuhet në deklaratën e Guterres.
Sipas OKB-së, zhvillimet e fundit rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet në Amerikën Latine dhe të minojnë parimet e sovranitetit shtetëror dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit pritet të vijojë me diskutime mes anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim pasojat politike dhe diplomatike të arrestimit të presidentit venezuelian.
Operacioni i SHBA-së në Venezuelë dhe ndalimi i Nicolas Maduro-s konsiderohen ndër zhvillimet më serioze gjeopolitike të kohëve të fundit, duke rihapur debatin mbi ndërhyrjet ndërkombëtare, balancat e fuqive të mëdha dhe rolin e OKB-së në garantimin e paqes dhe sigurisë globale.
Lajmi kryesor:
Maduro del para gjykatës amerikane: Jam i pafajshëm! SHBA në Këshillin e Sigurimit në OKB: Nuk ishte pushtim në Venezuelë, arrestuam një terrorist










