BELGJIKË-Ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens ka reaguar pas arrestimit në Shqipëri të Safet Rustemit (Bajri) dhe disa anëtarëve të tjerë të këtij grupi. Në një emision televiziv, Geens ka thënë se ka patur vonesa në dërgimin e dosjes në Shqipëri. Ministri ka pranuar faktin se autoritetet belge kanë punuar me ritme tejet të ngadalta për çështjen e Rustemit. Ministri ka thënë se ka patur probleme me procedurat dhe se diçka ka shkuar keq.

Nëse dikush ka fakte në vitin 2001 dhe të njëjtat fakte i ka sërish në dhjetorin e vitit 2017, është e çuditshme, por vonesa në arrestim nuk është për shkak të belgëve. Diçka shkoi keq në procedurat për dënimin e tij. Shërbimet tona mund të kishin punuar më mirë. Nëse Belgjika dhe departamenti i Emigracionit nuk do e kishte dëbuar Rustemin, nuk e di nëse këto fakte do të kishin dalë në dritë në Shqipëri. Bashkëpunimi mes dy agjencive ka qenë shumë i mirë.

Koen Geens, ministri i Drejtësisë në Belgjikë

Ministri ka folur edhe për vuajtjen e dënimit të Rustemit, duke qenë se mes dy vendeve nuk ka një marrëveshje ekstradimi. Ministri ka thënë se ka shumë mundësi që Rustemi ta vuajë dënimin e shtetit belg në Shqipëri, pavarësisht se avokati i tij Sven Mary e ka kundërshtuar këtë fakt.

Ka shumë mundësi që Rustemi ta vuajë dënimin e tij në Shqipëri, pasi mes dy vendeve nuk ka një marrëveshje. Do kishte qenë më mirë që ky person të mos ishte larguar nga Belgjika, pasi Bajri ka 3 dënime në Belgjikë me 9, 5 dhe 8 vite burg.

Koen Geens, ministri belg i drejtësisë

Deklarata e Geens vjen 4 ditë pas arrestimit të Safet Rustemit në një bilardo në Tiranë. Rustemi u shpall në kërkim nga autoritetet belge gjatë muajit korrik. Rustemi është dënuar në Belgjikë për disa vepra penale, ndërsa më e rënda është ajo e dhunimit dhe shfrytëzimit të grave të reja për prostitucion. Mediet belge u alarmuan pas kthimit të Rustemit, dhe e etiketuan Shkodrën si një Palermo, ku kontrollin e kishin 5 familje mafioze.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:53
Zv/ministri i Brendshëm: Kishim në plan ta arrestonim Safet Rustemin që në prill

Në shkrimin e medieve belge citohet edhe zv/ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, i cili ka thënë se është kërkuar që në prill që Belgjika të jepte vendimin për Safet Rustemin (Bajri), për t’a arrestuar, por procedurat kanë vonuar 5 muaj.

 “Autoritetet shqiptare kanë kërkuar disa herë që nga prilli 2018 për vendimin e gjykatës kundër Safet Bajrit (Rustemi) që më pas të bënim atë që kishim në dorë, por në përgjigjen që morëm s’kishte informacion.”-ka thënë Besfort Lamallari.