Gjashtë të rinj janë arrestuar pasi dyshohen për “Mashtrimi kompjuterik”, pasi, nëpërmjet kartave të klonuara, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash nga bankomantët e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.

Këta shtetas, me banim në Lushnjë dhe Kavajë, pasi kanë falsifikuar karta debiti (tërheqje parash) kanë tërhequr shuma të ndryshme në bankomate në Lushnjë, Kavajë dhe Durrës dhe i kanë shpenzuar ato për blerje karburanti për automjetet e tyre ose për sende të tjera.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimin në bazë të informacionit të mbërritur nga selia qendrore e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, e cila kishte konstatuar ndërhyrje të paligjshme në sistemin e saj, nëpërmjet një karte amerikane. Nga verifikimet e saj, banka ka krijuar dyshime se karta amerikane ishte e klonuar dhe nëpërmjet saj po tërhiqeshin shuma të konsiderueshme.

Nga hetimi rezultoi se 6 të rinjtë kanë tentuar të kryejnë transaksione (tërheqje) edhe nga disa karta të tjera, por këto tentativa kanë rezultuar të pasuksesshme.

E vetmja kartë që u ka funksionuar ka qenë ajo me të dhëna amerikane (të falsifikuara), të cilën, krahas bankomatëve, e kanë përdorur edhe në disa pika karburanti në zonën e Lushnjës dhe Kavajës.

Pikërisht, nga të dhënat e përftuara në këto pika karburanti, është arritur të zbulohen personat e dyshuar. Këta shtetas, gjatë periudhës qershor-korrik 2015, kanë furnizuar me karburant mjetet në pronësi ose në disponim të tyre në disa pika karburanti në vlerë disa milionë lekë, nëpërmjet pagesës me kartë. Po ashtu, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky grup personash ka tërhequr shuma të konsiderueshme edhe nga bankomatët.

Në vijim të hetimit, nga ana e Prokurorisë së Tiranës po punohet për të saktësuar shumën e plotë të marrë prej tyre nëpërmjet klonimit të kartave të debitit.

Të arrestuarit janë:
1.      Klodjan (Klajdi) Kodheli, i dtl. 1992
2.      Sajmir Krasnaj, i dtl. 1988
3.      Denilson Dusha (Vilson Camko), i dtl. 1998
4.      Besmir Kollçaku, i dtl. 1992
5.      Andi Hylviu, i dtl. 1993
6.      Marius Shehi, i dtl. 1993

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)