Ende në vend po funksionojnë skemat e mashtrimit përmes Call Center ku shumë të huaj bien pre e investimeve të rreme në kriptomonedha apo ForexOlti FerhatajTiranë u arrestua pasi mashtroi një shtetas italian nëpërmjet Call Center duke i marrë 108 mijë euro. Në procedim penal janë vënë edhe tre bashkëpunëtorë të tij. Ky grup përmes një call center të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse duke investuar në Kriptomonedha dhe Forex.

‘Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Programuesi”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihet në pranga një shtetas, për veprat penale "Mashtrimi", "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve" dhe "Punësimi i paligjshëm".

Procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Programuesi", si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit: 

- O. F., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi O. F., nëpërmjet një call center-i të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse që investonte në Kriptomonedha dhe Forex. Nëpërmjet këtij mashtrimi, ky shtetas ka përvetësuar nga një klient i huaj, shumën prej 108000 euro. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.’- njofton policia.