Arrestohet drejtori i ujësjellësit në
Elbasan, krijoi skemë mashtrimi

ELBASAN – Policia ka arrestuar me akuzën e “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës” drejtorin e Ujësjellësit Elbasan, Altin Cenolli. Dyshohet se Cenolli ka kryer veprime abuzive në procesin e rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit dhe instalimit të matësve të ujit, një prokurorim me vlerë 3 milionë euro.

Skema e mashtrimit

Cenolli ka krijuar një skemë mashtrimi në zbatimin e projektit për montimin e 28 mijë matësve të ujit në Elbasan, me një vlerë prej 3 milionë euro. Bashkia Elbasan, në cilësinë e autoritetit kontraktues ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik “xxxx” shpk, për montimin e 28.000 matësve të ujit. Në kundërshtim me këtë kontrata, me urdhër të Altin Cenollit, drejtorit të ujësjellës kanalizimit, matësit janë duke u montuar nga vetë punonjësit e drejtorisë së UKE dhe jo nga operatori fitues.

Sipas këtij informacioni, kostoja e montimit të matësit në rrjet është përllogaritur 120 euro matësi i ujit, ku përfshihet edhe kostoja e montimit prej 10 euro material mbështetës (në gjuhën teknike, bashkues, bërryl dhe saraçineskë). Për kryerjen e këtij zëri punimi, Altin Cenolli kërkon të marrë 80% të vlerës monetare të punës që do të kryejnë punëtorët e operatorit fitues, duke i lënë këtij të fundit 20% të vlerës monetare, pa kryer punë fare (me koste pune 0%).

Nga kjo skemë, 37-vjeçari do të përfitonte në fund të projektit 224 mijë euro, ndërsa 56 mijë euro do t’i shkonin firmës që fitoi tenderin për projektin.

Sipas informacionit, deri në muajin prill, janë montuar rreth 4.000 matës uji, kryesisht në lagjen “5 Maji” Elbasan. Punimet për montimin e tyre i kanë kryer punëtorët e drejtorisë UKE. Po sipas këtij informacioni, rezulton se matësit e ujit, janë të një cilësie të dobët, të cilët nuk përmbushin parametrat e përcaktuara në dokumentacionin e tenderit, nuk figuron vendi i origjinës së prodhimit, nuk është e stampuar shenja “CE” e Komunitetit Evropian.

Në kuadër te zbatimit të këtij investimi kryen punimet edhe operatori “xxxx2” shpk. Ky operator ka shtruar edhe rrjetin e ri furnizues me ujë të depos në veri të qytetit të  Elbasanit.

Gjithashtu, Cenolli akuzohet se gjatë  shtrirjes së re të linjës së furnizimit me ujë të pijshëm të zonës veriore të qytetit të Elbasanit, konkretisht, gjatë shtrirjes së linjës së re mbi “Parkun Rinia” në një kryqëzim të rëndësishëm në Rrugën “Lef Nosi” dhe “Koço Brisku”, ku ka vendosur dy kryqëzues hidraulik (të quajtur “T”) të përmasave -400, të vjetër, rreth 50-vjeçar, në shkelje të plotë të parametrave teknik të projektit, të cilët duhet të ishin vendosur të rinj. Vlera e shmangur e investimit në këtë zë është 300 mijë lekë (150.000 lekë secili prej kryqëzusve -400).

Gjatë rehabilitimit të këtij rrejti hidrik, tubat e vjetra të rrjetit hidrik, të diametrit 400 e 150-200, në inventar të UKE janë shitur për skrap në ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik, me urdhër të drejtorit Altin Cenllit.

Akuza e dytë: Blerja e notës

Gjithashtu, gjatë kohës që po kryheshin hetime për çështjen e ujësjellësit, u konstatua gjithashtu se drejtori Cenolli ndërhynte tek pedagogë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të dhënë nota kaluese, kundrejt pagesave, për studentë të ndryshëm.

Cenolli rezulton se bashkëpunonte me biznesmenin Gazmend Laloshi, i cili gjithashtu është arrestuar me vendim gjykate. Bashkë me ta është arrestuar edhe shtetasi Jani Muslli, me detyrë shofer pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan, për “korrupsion aktiv...”, pasi ka paguar për të marrë diplomën universitare.

Gjithashtu është ndaluar Manjola Tavanxhi, 31 vjeç banuese në Elbasan, me detyrë Pedagoge pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Ekonomik Elbasan.

Rezulton se këta të fundit kanë bashkëpunuar me shtetaset A.GJ., dhe R.T., pedagoge në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ndaj të cilave është vendosur masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Cenolli dhe Laloshi, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë ndërhyrë tek pedagoget e Universitetit “Aleksander Xhuvani”, Fakulteti i “Ekonomikut” Manjola Tavanxhi, A.Gj dhe R.T, për të marrë nota kaluese në disa lëndë dhe për të siguruar kredite të mjaftueshme për mbrojtjen e diplomës për shtetasin Jani Muslli, i cili ishte student pranë këtij fakulteti, duke paguar për çdo provim nga 200 euro.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Procesi/ Presidenti dhe kriminel i dënuar, vendimi historik ndaj Trump për rastin e yllit porno

Procesi/ Presidenti dhe kriminel i dënuar, vendimi historik ndaj Trump për rastin e yllit porno