Durrës – Tetë muaj ka zgjatur arratia e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim që prej dhjetorit nga SPAK-u për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Biznesmeni Agasi u arrestua pasditen e sotme në Durrës, teksa lëvizte me një Audi luksoz. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK-un, të cilët e kishin pikasur mjetin me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit. Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave.
Report Tv solli pamjet e momentit të arrestimit, kur rrethohet Audi, ndërsa një nga pjesëtarët e Operacionales, i maskuar, i ul kokën Agasit, ndërsa i vihen prangat. Biznesmeni dallohet i veshur sportiv, me një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra ngjyrë të zezë, një orë të bardhë dhe shapka.
Në makinë me të si shofer ndodhej edhe ish zyrtari i lartë i policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku, i njohur si i besuari i ish-kryepolicit, Proda. Edha Shpataraku ishte i shpallur në kërkim pasi disa javë më parë kërcënoi me jetë punonjësit e një hoteli në jug. Shpataraku ka qenë Zv/ drejtor i Policisë së Elbasanit. Edhe pse Proda e transferoi pranë vetes kur u vu bë krye të policisë së shtetit, besohet se kishte ende ndikim në hije në drejtimin e bluve të Elbasanit. Gjë që lidhet edhe me pretendimet publike e politike mbi influencën e Ergys Agasit në Elbasan.
Ndaj Shpatarakut u ngrit një tjetër akuzë. Ai u arrestua në flagrancë për shoqërimin e Agasit, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa agjentët e BKH-së ushtruan edhe kontrolle në banesën e tij në zonën e Liqenit të Thatë.
Ndërkohë, biznesmeni Agasi u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku agjentët e BKH-së mbërritën menjëherë për ekzekutimin e masës së arrestit me burg. 3 orë pas përfundimit të procedurave, Agasi u dërgua në Bllokun e Sigurisë, ku do të qëndrojë 48 orë derisa të dalë para GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë.
Ndaj Agasit, gjykata e Posacme kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-T, si i dyshuar në krye të një grupi kriminal që përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit paracaktonte tenderat në këtë institucion.
Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.
Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Biznesmenit Ergys Agasi i janë sekuestruar në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e "Equos Resort".
Bashkë me të në kërkim ishte shpallur edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua një muaj më parë në Francë teksa fluturonte me avion privat mbi një central bërthamor dhe që ndodhet në paraburgim në proces ekstradimi drejt vendit tonë. Në hetim për dosjen e AKSHI-t, në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndodhet ish drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Ergys Agasi, në momentin e arrestimit mbante në dorë një orë të bardhë, që duket si model i markës Richard Mille.
Nga pamjet, ora ngjan me disa prej modeleve luksoze të Richard Mille, mes tyre edhe seria RM 61-01 Yohan Blake. Vetëm nga fotografia, megjithatë, nuk mund të përcaktohet modeli i saktë dhe rrjedhimisht as vlera e orës që mbante Agasi në dorë.
Sipas një kërkimi në internet, modele të ngjashme të markës Richard Mille mund të kushtojnë qindra mijëra euro. Për shembull, variante të RM 61-01 Yohan Blake tregtohen nga 200-400 mijë euro, ndërsa edicionet më të rralla mund të kenë çmime edhe më të larta.
Por gama e Richard Mille përfshin edhe ora shumë më të shtrenjta. Modelet më ekskluzive, veçanërisht ato tourbillon dhe edicionet e kufizuara, mund të kalojnë 1 milion euro, ndërsa disa prej tyre arrijnë në treg rreth 2 milionë euro ose më shumë.
Tre orë ka qëndruar biznesmeni Ergys Agasi në Policinë e Tiranës. Pas përfundimit të procedurave, ku agjentët e BKH-së bënë edhe ekzekutimin e masës së sigurisë, Ergys Agasi u transportua te Blloku i Sigurisë, ku do të qëndrojë deri në daljen para gjykatës në GJKKO ku do t'i komunikohet masa e sigurisë "arrest në burg".

SPAK ka reaguar zyrtarisht për arrestimin gjatë ditës së sotme në Durrës të Ergys Agasit dhe ish-policit Uljan Shpataraku.
Agasi ishte nën hetim nga SPAK për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e parave dhe korrupsionin aktiv.
Në njoftim SPAK shkruan se Shpataraku u arrestua për ‘përkrahje të autorit të krimit’, pasi po lëvizte në automjet me të. Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë të ditur se Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e Shpatarakut, pas shoqërimit të tij në komisariat.
Njoftimi i SPAK:
Datë 26 Gusht 2026
Mbi arrestimin e personit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi
Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Ish-polici Uljan Shpataraku u arrestua bashkë me biznesmenin Ergys Agasi, ndërsa lëviznin me një Audi nga Elbasani në drejtim të Durrësit. Shpataraku ka qenë zv/drejtor i Policisë së Elbasanit. Kur Ilir Proda u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e transferoi Shpatarakun pranë vetes, por burime mediatike e identifikonin Shpatarakun ende me ndikim në hije në drejtimin e Policisë së Elbasanit.
Në Drejtorinë e Përgjithshme, Uljan Shpataraku ka mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. Por më 20 maj, kur në vend të Prodës u emërua Skënder Hita, ai firmosi përjashtimin e Shpatarakut nga radhët e bluve, me argumentin se nuk paraqitej në punë.
Ndërkohë, më 6 gusht, ai u shpall në kërkim pasi kërcënoi me jetë stafin e një hoteli në Dhërmi, sepse nuk i pëlqeu shërbimi.

Ergys Agasi, i arrestuar sot në Durrës, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë të AKSHI-t.
Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
“Ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se veprimet e shoqërisë ‘EA Solution’ sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit në formë të kamufluar tregtare”, thuhet në dosjen e GJKKO-së, sipas së cilës “ndërkohë që ‘EA Solution’ ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si ‘Fastech’, ‘First’, AESS, Soft & Solution etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate”.
Në dosje vlerësohet se “fatura tatimore është përdorur si instrument për të ‘legalizuar’ vlerat korruptive të paguara, duke e futur atë në qarkullimin financiar si shpenzim të zbritshëm për operatorët fitues”. E gjithë kjo skemë për hetuesit krijon “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova mbi ekzistencën e elementëve të figurave të veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimit të produkteve të veprës penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të strukturuar kriminal”.
Po ashtu, në dosje thuhet se një seri transaksionesh mes viteve 2023 dhe 2025, i kanë çuar Ergys Agasit mbi 9 milionë euro, në formë ryshfeti për ndikimin e tij për paracaktimin e tenderave të AKSHI-t. Sipas vendimit të Gjykatës për sekuestrimin e pronave dhe pasurive të tij por dhe të Ermal Beqirit dhe të tjerëve të lidhur me procedurat dhe garat në AKSHI, përmes shoqërisë së tij “EA Solution”, Agasi “ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare nga operatorët ekonomike "Soft & Solution" sh.p.k., në pronësi të Beqirajt, “Fastech" sh.p.k. të Andis Papës dhe "First" sh.p.k. të Gëzim Hoxhës.
Në dosjen që Report Tv e disponon, thuhet se këto përfitime kanë qenë sipas hetimit pagesë ryshfeti si rrjedhojë e paracaktimit të operatorëve ekonomik fitues në procedura prokurimi të zhvilluara nga AKSHI.
Ndërsa EA Solution, nuk rezulton të ketë kryer asnjë shërbim konkret, Andis Papa dhe Gëzim Hoxha, i kanë qëndruar deklarimeve të dhëna më herët, se këto pagesa i kanë bërë në favor të shoqërisë EA Solution, pasi një fakt i tillë i është propozuar nga Ermal Beqiri.
Konkretisht rezulton se shoqëria EA Solution, ka përfituar nga opëratorët ekonomikë “Soft & Solution" shpk; "Fastech" shpk dhe "First" shpk, 855.204.527 lekë (afro 8.9 milion euro me kursin aktual) si dhe 470 mijë euro.
Në total është kredituar shuma prej 100 148 000 lekë, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023 - 2025.
Në total është kredituar shuma prej 220 831 200 lekë, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023-2025.
Në total është kredituar shuma prej 470 441 Euro, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023-2024.
Në total është kredituar shuma prej 123 629 664 lekë, nga subjekti First shpk, përgjatë vitit 2024.
Më datë 28.01.2025 është kredituar shuma prej 174 834 120 lekë, nga subjekti Fastech shpk.
Nga kqyrja e të dhënave në sistemin CATS rezulton se subjekti EA Solution shpk ka faturuar shitje ndaj subjektit Fastech shpk për periudhën Dhjetor 2024 - Shtator 2025, shumën prej 235 761 543 lekë.
Agasit i janë sekuestruar në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e "Equos Resort.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
.png)
Në momentin e arrestimit të Ergys Agasit dhe ish-policit Uljan Shpataraku, brenda makinës i gjet një kuti e kuqe, një çantë dhe një celular në pjesën e vendit te këmbët e pasagjerit.
.png)
Biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK-u për dosjen e AKSHI-t, u arrestua pasditen e 26 gushtit në qytetin bregdetar të Durrësit. Report Tv sjell me foto momentin kur Agasit i vihen prangat nga Operacionalja, e cila e kishte pikasur mjetin me të cilin lëvizte biznesmeni që në Elbasan.
Në foto shihet edhe Agasi pas arrestimit, me pranga në duar, në makinën e Policisë. Ai dallohet i veshur sportiv dhe me një orë të bardhë në dorë.
.png)
Report Tv ka siguruar pamjet nga momenti kur Ergys Agasi mbërrin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Nga pamjet duket se Agasi, me pranga në duar, shoqërohet nga disa efektivë të forcave Shqiponja.
Agjentet e BKH kanë mbërritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të ekzekutuar masën e sigurisë për Ergys Agasin.
.png)
Një operacion i SPAK-ut dhe Policisë së Durrësit çoi në pranga Ergys Agasin, biznesmenin e shpallur në kërkim prej 8 muajsh për llogari të SPAK-ut, për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip Audi luksoz, nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, aty ku ka edhe vendbanimin.
Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin pikasur makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe, siç thonë burimet për Report Tv, e kanë ndjekur atë për të paktën 40 kilometra, deri në zonën e Plepave në Durrës. Aty u ndërhy për arrestimin e tij, ndërsa në makinë ndodhej po ashtu edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
Kur Ilir Proda u emërua drejtor i Përgjithshëm, e transferoi Shpatarakun pranë vetes, në Drejtorinë e Përgjithshme, por burime mediatike e identifikonin Shpatarakun ende me ndikim në hije në drejtimin e Policisë së Elbasanit.
Në Drejtorinë e Përgjithshme Uljan Shpataraku ka mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. Ka pasur gjithashtu pretendime publike mediatike dhe politike që e lidhin edhe influencën e Ergys Agasit me Elbasanin dhe ndikim në politikën lokale të këtij qyteti.
Policia ka publikuar pamjet nga arrestimi i Ergys Agasit dhe ish-Policit Uljan Shpataraku në zonën e Plepave në Durrës.
Nga pamjet duket se Agasi dhe Shpataraku kanë qenë duke qarkulluar me një makinë luksoze tip ‘Audi’.
Në momentin e arrestimit Agasi ka qenë me shapka, tuta të shkurtra dhe me bluzë të bardhë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Agasi duket se ka qenë me flokë të prera shkurt, tjetër model nga imazhi publik që ai kishte pasur.
Teksa shfaqet me prangat e Policisë në duar, vihet re që Agasi ka edhe një orë sportive të bardhë në dorë.

Policia ka konfirmuar arrestimin në Durrës të Ergys Agasit, i cili ishte i shpallur në kërkim për abuzimet me tenderat e AKSHI-t.
Përmes një njoftimi, Policia konfirmoi se ai u prangos në kuadër të operacionit të koduar ‘The Wanted’, bashkë me ish-policin e shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
Në pranga u vendos edhe Shpataraku, ndërkohë Policia njofton se operacioni u organizua bashkë me në bashkëpunim me SPAK dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Shpataraku u shpall në kërkim në 6 gusht të këtij viti, pasi teksa ka qenë me pushime në një hotel në Dhërmi, dyshohet se ka kërcënuar me jetë kamarierin dhe administratorin, pasi nuk i kishte pëlqyer ushqimi.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “The Wanted”
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The Wanted”.
Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK-u.
Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar E. A.

Ergys Agasi u arrestua ditën e sotme në zonën e Plepave në Durrës, teksa ishte duke udhëtuar me automjet, sëbashku me ish-policin e shpallur në kërkim Uljan Shpataraku, i cili njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Shpataraku u shpall në kërkim në 6 gusht të këtij viti, pasi teksa ka qenë me pushime në një hotel në Dhërmi, dyshohet se ka kërcënuar me jetë kamarierin dhe administratorin, pasi nuk i kishte pëlqyer ushqimi.
Stafi i hotelit ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Himarës ku blutë kanë shpallur në kërkim ish-zyrtarin e policisë.
Në maj, Skënder Hita e përjashtoi Shpatarakun nga radhët e Policisë për mosparaqitje në detyrë. Ai mbante detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
-
edhe qendro i forte atje te vendi, mos i trego shoket. xhelin per floket do ta sjelli vete "mbreti" dhe po nuk e hape gojen fare mund te te sjelli edhe ndonje shishe nga vera jote e preferuar ...
Përgjigju -
Do tregoje tani se per ke i kishte shishet e veres apo do beje burgun si burrat?
Përgjigju -
Hajd pra Gezuar,se na cate trapin me emrin e ketij tipit apo te tjereve.Lerini instancat te punojne te qete,nuk i duhet presioni jone per me teper. Na tregoni dicka te bukur se nuk na duhen keto llumsat miliardere
Përgjigju











Komente
Komento