Policia e Krujës ka vënë në pranga një 40-vjeçar me precedent të mëparshëm penal, pasi në hotelin e tij në Krujë u gjetën armë zjarri, municion, jelek antiplumb dhe 20 000 euro me burime të dyshimta.
Sipas njoftimit të policisë është arrestuar shtetasi A. Gj., 40 vjeç. Pistoleta, 1 krehër me 20 fishekë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro u sekuestruan si provë materiale.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale e 40-vjeçarit.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të intensifikuara ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, të cilët përbëjnë rrezik për përfshirje në vijim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në subjektin (hotel) në Krujë, në pronësi të shtetasit A. Gj., 40 vjeç, me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), 1 krehër me 20 fishekë luftarakë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u kryen arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit dhe sekuestrimi i sendeve të kundërligjshme që posedonte ai.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento