35 vatra zjarri janë evidentuar gjatë 24 orëve të fundit në vend, nga të cilat 5 janë aktive dhe 3 po mbahen nën monitorim, informoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë të Tiranës, Lufaj të Mirditës, Tërbun-Gojan të Pukës, Gurë-Lurë të Dibrës, Gjorm i Sipërm në Malësi të Madhe dhe Tunjë e Re, Gramsh. 

Pas një nate në luftë me flakët kemi një përmirësim të situatës në Tërbun-Gojan. Si pasojë e rrezikut të afrimit të flakëve pranë banesave, një familje u evakuua.

Në terren janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Dajt, Tiranë - vijon puna për shuarjen e zjarrit, sot me mbështetjen e 30 efektivëve të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra e Priskës është në kontroll.

Lufaj, Mirditë - vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vazhdojnë punën. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Tërbun-Gjegjan-Gojan, Pukë - situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit u evakuua një familje dhe, falë ndërhyrjes së forcave, u shmang rreziku për banesën. Sot operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.

Gjorm i Sipërm, Malësi e Madhe - vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar me 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH.

Tunjë e Re, Gramsh - vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale, pa rrezik për zonat e banuara.

Lajm në përditësim…