Guri i gjetur rreth dy javë më parë në Fan të Mirditës ka mbërritur në Muzeun Historik Kombëtar.  Një grup specialistësh dhe përfaqësues të ministrisë së Kulturës kanë bërë të mundur transportimin e tij nga Mirdita drejt Tiranës. Kjo gjë është arritur pas marrëveshjes që Ministria e Kulturës ka arritur me banorët e zonës ku u gjet guri prehistorik.

Në lidhje me këtë akt në një lidhje telefonike për Repor Tv, Frrok Bardhi, banorë i zonës është shprehur se edhe pse me një breng të madhe banorët kanë rënë dakord që guri të zhvendoset në Tiranë, teksa ka shpjeguar edhe disa elementë të kësaj kontrate.

"Kushte atmosferike do të ndikonin. Guri kur është gjetur ka patur krisje. Pasi shkruam një kontratë me ministrin dhe ta takonim do t'i kërkojmë që fshati të shpallet turistik dhe të vihet dorë për relievin që janë mahnitur të gjithë. Edhe pse me breng. Është një zonë fantastike, kur të shohin me sytë  e tyre duhet mbrojtur nga shtetit." ka deklaruar Frrok Bardhi.

Ky zbulimi i rrallë, ka emocionuar së tepërmi banorët e kësaj zone, të cilët fillimisht e kundërshtuan idenë e lëvizjes së gurit nga vendi ku u zbulua, por tashmë duket se gjërat janë ndryshe.

Drejtori i Kulturës në Bashkinë Mirditë Gjergj Marku thotë se zona ku është gjetur guri mbart vlera të jashtëzakonshme historike. Sipas tij, objekti pritet të hapë një dritare të re në historinë e kësaj treve dhe me një vëzhgim të parë ai shprehet se ato mund të jenë pintograme.