Gjatë sezonit turistik, në Shqipëri do të vijnë të patrullojnë edhe policë çek. Kjo marrëveshje u arrit gjatë vizitës së Drejtorit së Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu me homologun e tij çek, Mgr. Jan Švejdar. Ky vendim vjen pasi, Shqipëria vizitohet nga një numër i madh turistësh çek, qoftë për turizmin malor ashtu edhe për atë bregdetar.
Në takim u ra dakord gjithashtu edhe për ngritjen e njësive të përbashkëta hetimore në drejtim të hetimit të kontrabandimit të qenieve njerëzore, për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta në kufi në bashkëpunim me Frontex, për mbështetje logjistike nga Policia Çeke.
Gjatë takimit, Presidenti i Policisë Çeke i vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe si mjaft të mira dhe theksoi domosdoshmërinë e forcimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat.
“Vlerësoj progresin e bërë nga Policia e Shtetit Shqiptar vitet e fundit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe në operacionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese Interpol, Europol, Frontex etj. Policia Çeke ju mbështet dhe është e gatshme për të shtrirë bashkëpunimin në të gjitha fushat", tha Jan Švejdar.
Drejtor Veliu ka falënderuar Presidentin e Policisë Çeke për mbështetjen e dhënë.
"Bashkëpunimi me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese është një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit dhe unë mbetem i vendosur që ky bashkëpunim të forcohet dhe thellohet në të gjitha fushat, pasi krimi nuk ka ngjyrë, kufi e politikë, por ka vetëm një mision, të vrasë shpresën, ligjin dhe të ardhmen, ndaj misioni i të gjitha Policive në botë është një, lufta pa kompromis ndaj krimit", u shpreh Veliu.
I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Ilirian Kuka.

Komente








