TIRANE, 12 Shkurt / ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) bën me dije se do të ketë rënie të temperaturave gjatë natës në disa nga qarqet në vend ndërsa rekomandon të gjithë drejtuesit e automjeteve për kujdes si dhe vendosjen e zinxhirëve.
Në njoftimin për shtyp, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) raportuan sot pasdite për gjëndjen e kalimit në akset kryesore në vend.
Ditën e sotme deri në orën 15:30, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:
Qarku - Situata - Rekomandime
Tiranë- Qarkullimi normal. Ka problem vetëm në aksin Qafë Mollë- Bize ku lëvizja bëhet me zinxhirë. Përsëri rekomandohet kujdes për drejtuesit e mjeteve pasi ka prezencë akulli në disa vende në rrugë.
Durrës- Nnuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
Elbasan - Qarkullimi normal në segmentin Librazhd -Q.Thanë.
Aksi Librazhd - Lunik është i hapur pa probleme.
Në aksin Lunik - Steblevë qarkullohet me zinxhirë Aksi Elbasan - Gjinar momentalisht i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2.5-3 m të trupit të rrugës ne fshatin Shelcan. Po punohet për një variant të ri levizjeje. Po në këtë segment, 300m nga rruga kryesore ka rreth 30cm cedim në një gjatësi 40ml (përballë kompleksit KRIVA).
Aksi Cërrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Niveli i ujit ka rënë por po punohet për pastrimin e mbetjeve dhe shembjes si pasojë e permbytjes. 1.5 km përpara vendit të përmbytjes tek Diga e Banjës ka shembje nga skarpata në 3 vende me gjatësi 200 ml. Qarkullimi bëhet me një kalim. Po punohet për normalizimin e tij.
Segmenti Lunik - Steblevë rekomandohet lëvizja me zinxhirë. Është ndërprerë qarkullimi në këtë pikë të aksit Elbasan -Gjinar. Qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh-Kaçivel-Elbasan.
Berat, nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e rreshjeve .
Vlorë, qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, sidomos në segmentet ku ka rrëshqitje të materialeve në rrugë.
Gjirokastër, në aksin Gjirokastër-Tepelenë herë pas here ka rënie gurësh në rrugë në vendin e quajtur Shkalla e Zezë.
Në zonën e Rrapit te Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh, rruga është me një kalim. Punohet nga kontraktorët për pastrimin e akseve në të dy këto segmente.
Në aksin Përmet - Çarshovë, 2 km pa shkuar në Petran, ka një gërryerje të rrugës nga uji. Është vendosur sinjalistika përkatëse.
Në aksin Kufi Tepelenë-Gjirokastër, në afërsi të fshatit Shtëpëz, ka ndodhur një shkarje masive në krahun e poshtëm të rrugës. Janë marrë masat për vendosjen e sinjalistikës përkatëse, pasi ka devijim të drejtimit të lëvizjes. Ju lutemi përdoruesve të rrugës të respektojnë sinjalistikën e vendosur. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje. Përdoruesit e rrugës të zbatojnë sinjalistikën e vendosur në segmentet ku ka shkarje. Të bëhet kujdes në Qafën e Muzinës në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.
Korçë, situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm. Kemi përmirësim të situatës me mëngjesin e sotëm ku rekomandohej përdorimi zinxhirëve në disa nga akset e këtij qarku.
Përveç aksit Korçë - Dardhë, që kalohet pjesërisht me zinxhirë, të gjithë akset e tjera funksionojnë normalisht e kalohet pa zinxhirë. Të behet kujdes në qarkullim.
Aksi që qarkullohet pjesërisht me zinxhirë është aksi Korçë-Dardhë.
Kukës, në të gjithë qarkun ka ngrica nga ulja e temperaturave. Është punuar nga kontraktorët për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.
Shembja në aksin Traget - Lekbibaj, që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë . Të tregohet kujdes në qarkullim si pasojë e ngricave në rrugë.
Dibër, kohë me temperatura të ulëta. Si pasojë ka prezencë ngricash në rrugë. Janë marrë masat për pastrimin e rrugëve dhe për kriposjen e akseve. Të bëhet kujdes , sepse ka ngrica në rrugë.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentet Qafë Dragalicë - Steblevë.
Shkodër, si rezultat i temperaturave të ulta ka prani të ngricave në rrugë. Rrugët janë spërkatur të gjitha me kripë.
Në aksin Shkodër-Qafë Qele, në Ganjollë, për shkak të rrëshqitjes së dherave qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi të zgjeruar. Vazhdon puna për të hapur rrugën me dy kalime. Të gjithe akset janë kriposur si pasojë e pranisë së ngricave. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.
Fier, gjendja në akset e Fierit është normale. Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
Lezhë, nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku. Të gjitha akset qarkullohen normalisht.
/k.m/ /a.g/









