Armë zjarrifara kanabisi dhe municion luftarak të fshehura në shtëpi. Këto ishin veprat penale që çuan  33-vjeçarin Kristjano Kolaqi drejt prangave të policisë në Përmet .

Kjo e fundit ndërhyri pas informacioneve se ai, një person me precedent penal në fushën e narkotikëve, ishte përfshirë sërish në veprimtari të paligjshme.

Gjatë kontrollit në banesën e Kolaqit, efektivët zbuluan një kallashnikov, dy pushkë,300 fara kanabisi, sasi kanabisi që dyshohet se mbahej me qëllim shitjen, si dhe katër krehra me fishekë luftarak.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore për të parë nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Dosja i kaloi Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë

"Përmet/Finalizohet operacioni i koduar “Historiku”. Sekuestrohen 3 armë zjarri, 300 fara Cannabisi, sasi Cannabisi dhe municion luftarak. Arrestohet shtetasi që mbante në banesë, sendet e kundërligjshme, me qëllim shitjen. I arrestuari, shtetas me precedent penal. Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një shtetas me precedent penal, ishte përfshirë në disa veprimtari kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Këlcyrë, finalizuan operacionin e koduar “Historiku”. Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi K. K., 33 vjeç, banues në Përmet, me precedent penal në fushën e narkotikëve. Nga kontrolli në banesë e tij, u gjetën 3 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 2 pushkë), 300 fara Cannabisi, sasi Cannabisi e dyshuar e poseduar me qëllim shitjen, si dhe 4 krehra dhe fishekë luftarak. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për t’iu nënshtruar ekspertizës nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme"