Si përherë rrugët sot ishin të mbushura me fëmijë me tufa lulesh. Janë për mësuesit. Në shenjë nderimi besoj. Dhe mirë bëjnë sepse secili nga ne, i ri apo në moshë emrin dhe kujtimin e mësuesit e ka të pandarë në memorien e vet jetësore. Por tej luleve dhe fjalëve të bukura 7 Marsi meriton të kujtohet edhe për diçka tjetër: Kushtetuta jonë përcakton arsim të detyrueshëm 9 -vjeçar.

Sipas vete MASH janë 71 mijë fëmijë që nuk e mbarojnë arsimin 9 vjeçar për arsye të ndryshme, janë mijëra të tjerë në emigracion që nuk kanë mundësi të mësojnë shqip, janë rreth 112 shkolla në vend jashtë funksionit (klasa të përbashkëta ku mësojnë fëmijë nga 6-12 vjeç), etj.

Kushtetuta detyron shtetin për prioritet arsimor, por arsimi nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë prioritet social. Buxheti shtetëror për arsimin është dy herë më i ulët sesa mesatarja e kërkuar nga BB, dhe është 0 lekë për kërkimin shkencor.

Sot mësuesit në Shqipëri nuk kanë status, nuk gëzojnë të drejta dhe as mbrojtje ligjore, nuk kanë kontratë të përhershme punë dhe as garanci për vijueshmëri në rast rotacioni politik apo thjesht ndryshim të drejtorit arsimor në qark/rreth, mësuesit janë të detyruar të kryejnë kurse trajnimi në 2-3 OJF private të lidhura me politiken kundrejt disa qindra euro në vit, janë të detyruar të marrin pjesë në mitingje elektorale dhe vendi ynë është i vetmi ne Evropë ku në kopshte, çerdhe e shkolla kryeministri dhe politikanë të tjerë shkojnë e mbajnë fjalime politike duke u kërkuar tu bëjnë presion prindërve për vote pro qeverisë.

Gjatë 2013 patëm 12 raste të arrestimit për korrupsion të mësuesve dhe asnjë rast të arrestimit për ndonjë zyrtar të lartë edhe pse, p.sh, dy ministra patën akuzuar njëri - tjetrin për miliona euro përfitime apo kur një deputet deklaroi në parlament se i kanë kërkuar 3 mijë euro për emërimin e një mësuesi.

Sot kemi 46 universitete, por asnjë diplomë e tyre nuk ka njohje ndërkombëtare, asnjë prej tyre nuk plotëson kriteret e përcaktuara nga ligji (cilësi dhe kushte mësimore) për akreditim ndërkombëtar dhe në renditjen botërore ato ndodhen në fundin e listës evropiane.

Vetë pedagogët nuk kanë gjithashtu as mbrojtje, as status dhe as garanci për pavarësinë e mendimit të tyre akademik dhe jo vetëm. Nuk gjen vend tjetër ku rektorët pranojnë të jenë në lista kandidatësh për këshilltarë apo që universitetet, me urdhër të shefave apo pronareve, të shndërrohen në stafe elektorale.

Nuk ndodh në ndonjë vend tjetër në NATO që pedagogu të përjashtohet nga mësimdhënia thjesht e vetëm se ka bindje politike me një parti tjetër nga pronarët/drejtuesit, apo që njeriu i akuzuar se ka botuar e mbrojtur gradë shkencore me një libër të vjedhur nga një autor amerikan të emërohet ... shef për programet mësimore dhe kërkimin shkencor për të gjitha universitetet shqiptare.

Nuk ka vend tjetër në NATO, ku disa persona të akuzuar publikisht për 2-3 diploma falso zgjidhen rregullisht deputete, që zyrtarët drejtues të jenë njëherësh edhe bashkëpronarë në bizneset private të arsimit, që rroga e një pedagogu në UT të jetë 550 euro në muaj kurse e një tjetri me lidhjet e duhura politike te jetë 12 mijë euro/muaj; që sistemi universitar të drejtohet nga individë që kanë frikë të publikojnë online punimet e tyre shkencore për shkak të ngarkesës së lartë ideologjike në regjimin e mëparshëm kur ata i kanë shkruar; që MASH brenda 10 vitesh ta ndryshojë pesë herë sistemin arsimit 8+1+3+1, me pas 8+1+3+2, 9+3+1, 9+3+3, 6+3+3+2 etj dhe secila skemë të konsiderohet reformë historike; që modeli arsimor i një vendi europian të merret nga Kili i largët i kohës së Pinocetit; që mësimet të zhvillohen me 2-3 turne, dhe vetëm 2-3 herë në jave; apo që një zyrtar shumë i lartë i shtetit brenda një viti akademik jashtë çdo kriteri ligjor merr 2-3 tituj shkencore!

Nuk imagjinohet në një vend të zhvilluar që 2/3 e pedagogeve të jenë individë pa asnjë botim profesional, pa merita dhe cilësi kërkimi dhe pa eksperience. Nuk mund të ketë vend tjetër ku me një VKM krijohet universitet i ri me vetëm 2 fakultete, thjesht e vetëm për shkak të njohjeve personale, siç nuk mund të ndodhë që të ketë degë studimi në mjekësi, elektronike etj, pa pasur asnjë laborator dhe mundësi praktike mësimore.

Nuk mund të ketë sistem tjetër arsimor që nxjerr 8 mijë juristë dhe 5 mijë psikologe në vit dhe asnjë polic, teknik, marangoz apo profesione të tjera për të cilat kushdo ka pasur e ka nevojë! Nuk gjendet sistem tjetër ku vendi i vetëm i punës pas diplomimit 3+2 vjeçar është puna në call center apo bar kafe, dhe ku nga 23 mijë studente që diplomohen në vendet perëndimore kthehen rregullisht çdo vit me programe mbështetëse vetëm 150-200.

Flasim për patriotizëm dhe bashkim, por librat shkollore të Tiranës nuk shkojnë në Prishtine, Ulqin, Tetove dhe as Presheve, dhe anasjelltas. E njëjta gjë ndodh edhe me tekstet universitare, stafet pedagogjike apo shkëmbimet shkencore.

Disa prej këtyre kritikave janë "merite" e qeverise aktuale, por shumica janë "merite" e çdo qeverie në këto vite, të djathta e të majta. Sot, natyrisht që nuk është koha të tregojmë sa probleme kemi, por as t'i injorojmë ato. Është koha të përballemi me të vërtetat e mëdha, të cilat në këtë vend, janë fshehur e vijojnë të fshihen, duke menduar vetëm për imazh pozitiv, përshtypje pozitive e sjellje propagandistike, - tipare të një shoqërie parademokratike.

A mund të ndryshojë realiteti? A mund të ndryshojë shoqëria? Po, nëse ndryshojmë sistemin e edukimit, e bëjnë atë efektiv, edukues, transparent dhe profesional. Mund të ketë kosto elektorale për momentin, por kjo përbën rrugën më të mirë, më të sigurt dhe më të përgjegjshme për të sotmen dhe sidomos të ardhmen e qytetarëve, shoqërisë dhe sistemit demokratik shqiptar! Gëzuar 7 marsin!!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)