TIRANE- Drejtuesja e reformës në universitetet publike e private Ejona Isufaj i është drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe Prokurorisë me kërkesën penale për shpifje ndaj: Edmond Vlashaj, Aldo Brahos, Pirro Cipos, Genc Pollos dhe Luçiano Boçit.

Drejtoresha e Drejtorisë së Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit ka theksuar se tre përfaqësuesit e Shkollës së Lartë Private “Vitrina” dhe dy deputetët e PD-së kanë hedhur shpifje ndaj saj. Vlashaj është përfaqësues i shkollës së lartë private “Vitrina”, Braho është administrator në këtë shkollë ndërsa Cipo rektor i saj. Në deklarimet e fundit për mediet këta persona e kanë akuzuar për diplomë false të doktoraturës dhe si pasojë nuk mund të drejtojë reformën në arsimin e lartë.

Isufaj i quajti personat e akuzuar për shpifje si, “sharlatan politik që po i bashkohen korit të përbaltjes”. Ndërkohë ka sqaruar se studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Sienës, si një ndër Universitetet më të mirat në Itali. Ajo shton se është krenare për arritjet. Por se problemi lind në vitin 2005 në studimet pasuniversitare. Vetë Isufaj pranon se ka përfunduar studimet pas universitare, por se institucioni ishte një skemë mashtruese. Ndaj, ajo thekson se për të mbrojtur shqiptarët nga këto shkolla, nuk do të tërhiqet nga reforma e nisur. "Në vitin 2005, unë si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë, ndër ta dhe personalitete të njohura, u regjistrova në një institut për studime pasuniversitare.

Mbarova studimet në vitin 2008 dhe në vitin 2012 kur tentova të njehsoj diplomën time mora vesh që ky institut nuk njihej nga shteti shqiptar”, u shpreh Isufaj për mediet. Ajo thekson se i kupton më mirë se kushdo tjetër “6000 studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë që humbën licencën. Vetë ata, ashtu si unë dikur, investuan kohën dhe paratë e tyre në një institucion që kryente veprimtarinë në kundërshtim me kuadrin ligjor. Diferenca midis meje dhe këtyre studentëve është se atëherë shteti nuk ishte asgjëkund për të më lajmëruar as për ligjshmërinë e funksionimit, dhe as për ligjshmërinë e mbylljes së institucionit”. Drejtoresha e  Drejtorisë së Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit gjithashtu ka siguruar gjithashtu studentët e prekur nga mbyllja e universiteteve se  do të kenë shtetin në krah për tu sistemuar dhe vazhduar më tej studimet.

Nga ana tjetër ajo i ka cilësuar sharlatanë deputetët që kanë ngritur akuza ndaj saj, duke kërkuar dhe bllokimin e reformës në arsimin e e lartë. “Jam e indinjuar qe përveç sharlatanëve dhe shtetasit të cilët paguhen edhe me taksat e mia i bashkohen korit të përbaltjes. Unë i përkas një grupi prej më shumë se 40 vetash, punonjës të dedikuar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit që me përkushtim dhe kurajë morale për 6 muaj orar dhe pa orar, kryem një kontroll profesional në sistemin e arsimit të lartë”, nënvizoi Isufaj. Ndërsa e cilësoi të domosdoshëm reformimin
 
 
Reagon Pollo, drejtoresha e paraqet në CV diplomën
Ish- ministri i Arsimit dhe deputet i Partisë Demokratike, Genc Pollo ka zgjedhur faqen e tij në Facebook, për të reaguar ndaj padisë që ngriti Ejona Isufaj. Sipas tij, institucionin mashtrues ministria e kishte denoncuar qysh në vitin 2007, por se Isufaj e paraqet në CV e saj. “Ne si ministri, fill pasi e konstatuam, e denoncuam IRERIEN publikisht në vitin 2007 çka u përcoll gjerësisht nga media.

Patëm reagime edhe nga persona të regjistruar aty të cilët kuptuan se ishin mashtruar. Por le të themi se zonja Isufaj ishte në letargji apo veshsymbyllur në vitet 2007-2008 dhe deri kur e mësoi nga Ministria e Arsimit të vërtetën e papëlqyeshme. Por si e justifikon zonja Isufaj që megjithëse e dinte tashmë se diploma ishte e pavlefshme ajo e paraqet atë në CV e saj e në aplikimet për punësim?”, shkruan Pollo.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)