Arsyetimi i plotë i Presidentit Nishani për kthimin e ligjit 

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 45/2014 “Për disa shtesa 
dhe ndryshime në ligjin nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar””.

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 24 prill 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 45/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar””.

Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 29 prill 2014. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme.

Analiza e kompetencave të Presidentit të Republikës konfirmon karakterin e paanshëm që kushtetutë-bërësit kanë dashur t’i japin funksioneve të tij duke dalë qartë roli i rëndësishëm dhe i veçantë i Presidentit si dorëzanës i balancës ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Presidenti i Republikës, përveç kompetencave të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës dhe kompetencave që parashikohet se mund ti jepen me ligje të veçanta (neni 94 i saj), gëzon edhe kompetenca të parashikuara nga nene të tjera të Kushtetutës, ndër të cilat janë: shpallja e ligjeve (neni 84/1), emërimi i anëtarëve të Qeverisë (neni 96, 98), emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë (125/1, 136/1), emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm (neni 149/1) etj. Pra, kompetencat janë të shprehura në nenet e Kushtetutës dhe në ligje të veçanta që nuk bien në kundërshtim me të.

Ndryshe nga sa pretendohet në relacionin e projekt-ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar””, neni 92 i Kushtetutës nuk parashikon në mënyrë shteruese kompetencat e Presidentit të Republikës por parashikon disa kompetenca të cilat nuk janë përfshirë në kapituj të tjerë të Kushtetutës. Vetë teksti i nenit 92 e shpreh qartë këtë duke cituar se: “Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:…”.

Ndërsa neni 94 i Kushtetutës ka të bëjë me parimin e ligjshmërisë duke përcaktuar se Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të pabazuara në ligj apo që janë të papajtueshme me Kushtetutën.

Është e vërtetë që kompetenca që i është dhënë Presidentit të Republikës lidhur me propozimin e dy kandidaturave për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së nuk përfshihet në listën e kompetencave të cituara në nenin 92 të Kushtetutës dhe as në nene të tjera të saj, pasi ky Institucion nuk ishte krijuar në kohën e hartimit të Kushtetutës dhe ajo nuk mund të shprehej për Institucione apo situata juridike që do të krijoheshin në të ardhmen.

Është pikërisht neni 94 i Kushtetutës i cili shpreh qartë frymën e saj dhe qëllimin e kushtetutë-bërësve për t’i mundësuar ligjvënësit një lloj fleksibiliteti në përcaktimin e kompetencave të tjera për Presidentin për çështje që kanë të bëjnë me zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet organeve shtetërore apo institucioneve të krijuara me ligje të veçanta dhe që janë në pajtim me Kushtetutën (rasti i ILDKPKI).

Ligji nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, të ndryshuar, është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ndryshimi i tij, si i çdo ligji tjetër, duhet të arsyetohet dhe justifikohet. Në rastin konkret përveç mungesës së arsyetimit nuk kemi të bëjmë as me një ndryshim të realitetit ligjor për çështjet në diskutim.

Argumentet e dhënë në relacionin shoqërues të projekt-ligjit, i miratuar nga Kuvendi, lidhur me ndryshimet e bëra në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve nuk qëndrojnë, madje ka përpjekje për të interpretuar dispozitat kushtetuese në kundërshtim me qëllimin e tyre.

Gjithashtu në këtë relacionin thuhet se “…ndryshimi i dispozitës së nenit që parashikon mënyrën e përzgjedhjes së Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI, konfirmohet me interpretimin që përmban vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 212/2002 ku argumentohet se: “Për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëje Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”.

Referimi në vendimin nr. 212/2002 të Gjykatës Kushtetuese është i gabuar dhe është nxjerrë jashtë kontekstit për të cilin është shprehur Gjykata, e cila i referohet  një institucioni kushtetues dhe konkretisht Kontrollit të Lartë të Shtetit duke argumentuar se “përderisa Kushtetuta ka trajtuar organizimin dhe funksionimin e këtyre institucioneve dhe statusin e drejtuesve të tyre, ajo ka përcaktuar njëkohësisht edhe kufijtë e të drejtave të tyre”.

Përsa i përket argumentit se: “Ndryshimi i procedurës së përzgjedhjes së Inspektorit të Përgjithshëm do të shmangë ndikimin e politikës në përzgjedhjen e drejtuesit të këtij institucioni të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”, jemi plotësisht kundër bazuar në argumentet e parashtruar më sipër lidhur me rolin e Presidentit të Republikës si Kryetar Shteti dhe kompetencave të tij të parashikuara në Kushtetutë.

Heqja e kompetencës së Presidentit të Republikës për të propozuar kandidaturat për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së në përputhje me kriteret e mirëpërcaktuara në ligj, është një akuzë institucionale që i bëhet Presidentit të Republikës si organ kushtetues, për njëanshmëri politike duke qenë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe funksionin e tij si Kryetar Shteti.

Për vetë rëndësinë që ka ILDKPKI, shprehemi dakord se procesi i përzgjedhjes së Inspektorit të Përgjithshëm të jetë sa më transparent dhe i bazuar në kritere ligjore të përcaktuara qartë, por kryerja e të gjithë procedurës, që nga propozimi i kandidaturave deri tek përzgjedhja e Inspektorit të Përgjithshëm nga i njëjti organ do të minimizojë pavarësinë e Institucionit që ai përfaqëson.

Mundësia për përzgjedhjen e një kandidature politike në këtë funksion është shumë e madhe duke ditur se Kuvendi ka një shumicë politike të caktuar që dikton edhe përbërjen e Qeverisë.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së drejton një institucion që merret me deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, legjitimitetin e burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta dhe procedura e re e përzgjedhjes shton konfliktin e interesit që do ketë organi propozues/përzgjedhës i kandidaturave.

Procedura e emërimit nëpërmjet dy institucioneve, ku njëri propozon kandidaturat dhe tjetri emëron është një garanci për pavarësinë e ILDKPKI-së. Ky qëndrim mbështetet edhe nga Gjykata Kushtetuese e RSH-së me vendimin nr. 2 të datës 19.01.2005, e cila e cilëson procesin e bashkëveprimit institucional midis Presidentit dhe Kuvendit në përzgjedhjen e disa funksionarëve, si pjesë e balancimit midis pushteteve në përputhje me nenin 7 të Kushtetutës.

Të nderuar deputetë,

Si përfundim, duhet theksuar se këto qasje që sjell ligji 45/2014 bien ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe do të cënonte bashkëveprimin institucional, i cili ka mirëfunksionuar që nga miratimi i ligjit në vitin 2003 pa pasur konflikte dhe akuza të ndërsjella.

Me besimin se do të kem mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e këtij akti, 
Me respekt,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

                                                                        BUJAR NISHANI

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Berisha në 34 vjetorin e krijimit të PD-së në Lezhë, sfidon Ramën: Sa rri e flet me veten në makinë, hadje dalim në debat publik