Art prej sa kohësh merreni me muzikë?
Me muzikë mërrem qysh prej fëmijërisë, por debutimi im zyrtar ka qenë ai në Top-Fest 10 .
Keni thënë se do të nxirrni projektin tuaj të parë me video, çfarë do të sjellësh ndryshe si artist i ri?
Unë në fakt e kam lançuar këngën time të pare me video. E kam fjalën për këngën “Një sekond pa ty” për të cilën bashkëpunova me Alban Skënderaj, kurse me videon u mor produksioni “Imagine films”. Nuk besoj se kam sjellë diçka ndryshe. Shpresoj të sjellë në të ardhmen e afërt, megjithatë për mua ndryshe mund të quhet qetësia që më karakterizon në muzikë në dallim prej zhurmës së madhe që e ka kapluar muzikën tonë kohëve të fundit sidomos.
Përse nuk ke ardhur më herët me projekte të tuat, çfarë ke pritur?
Hëm. Nuk e di. Mendova se “Top-Fest 10” ishte momenti i duhur per të bërë diçka më konkrete sa i përket muzikës( dhe nuk besoj që jam vonuar).
Sa e dëshiron famën dhe deri ku do shkoje për ta arritur atë?
Tani pa dashur të bëhem modest, po them që nuk është se e dua famën me çdo kusht ose që fama është qëllimi im kryesorë. Thjesht po mërrem me diçka që e ndjej dhe shpresoj që edhe të tjerët do t’i shijojnë këngët që do të sjell në vazhdimësi, po aq sa unë...
Vëllai juaj tashmë njihet shumë në Shqipëri, jeni i ndikuar nga rryma muzikore që bën Dreni?
Edhe pse e pëlqej shumë muzikën që luan Dreni me orkestrën e tij, unë për vete preferoj të luaj një muzikë më të qetë, më melankolike. Kështu që stilet në muzikë i kemi të kundërta.
Si janë raportet tuaj si vëllezër e tani si rivalë?
Raportet i kemi shumë normale, ashtu siç mund t’i kenë dy vëllezër. Ndërsa sa i përket rivalitetit, as që bëhet fjalë…
Ku e ndjeni më shumë rivalitetin në art apo për femra?(kujtojmë se Dreni është vërtetë i preferuari i femrave shqiptare)
Ky termi “rival” as që na ka shkuar në mend! Përkundrazi, Dreni është njëri prej atyre që më dhanë vullnet të këndoj edhe unë, kështu që gjithçka mes nesh bëhet me shumë dashuri dhe pozitivitet.
E ke frikë suksesin që ka Dreni dhe rriskun se ai mund ta zbehë tuajin?
Mua më bëhet shumë qejfi që muzika e Drenit është pëlqyer nga ju. Shpresoj ta kem edhe unë një sukses të përafërt.
Një duet mes të ju të dyve, e keni menduar?
E kemi menduar...dhe do të mundohemi të krijojmë diçka që ta sjellim si duet së shpejti.
Duket se ngjani pak në pamje me Drenin, po si tipa a keni ngjashmëri?
Po, na e kanë thënë shumë njerëz që jemi të ngjashëm, madje ka ndodhur edhe të na ngatërrojnë (ndoshta pse jemi vëllezër, kush e di haha). Si tipa, hëm, kemi diçka të përbashkët, kemi.
“Shpirt i lirë” është titulli i këngës. Me sa liri e jeton jetën tënde ti?
“Shpirt i lirë” është titulli i këngës që do të publikoj shumë shpejtë me video. Ndërsa unë jetën time do të doja ta jetoja si në këngë (të paktën për disa ditë), por besoj që është më mirë kur i vendosim vetes disa limite.
Cilat janë gjërat që ia ke privuar vetes të themi, ka ndonjë gjë prej së cilës ke hequr dorë?
Ajo që po më kujtohet në këtë moment është mosblerja e motoçikletës. Në fakt mami i ka meritat për këtë, por e di se më ka mbetur shumë merak.
Statusi juaj si është?
Statusi? i pavarur.
Ajo që ka më shumë rëndësi për ty tani……
Tani dhe gjithmonë,vetëm shëndeti. Të tjerat bëhen.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)