Ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla, i ka dorëzuar sot detyrën Kryeprokurores së re të Përkohshme, Arta Marku. Kjo e fundit mori sot zyrtarisht detyrën e kryeprokurores, pasi u zgjodh nga mazhoranca me 69 vota, në seancën e një dite më parë, e cila u shoqërua me tensione të forta nga opozita.

Burime për Report Tv thanë se në marrjen e detyrës kryeprokurorja Marku shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj. Ndërkohë, pas dorëzimit të detyrës, Llalla është larguar nga ambientet e prokurorisë së Përgjithshme. Arta Marku u zgjodh kryeprokurore e përkohshme një ditë më parë nga mazhoranca me 69 vota. Seanca u përfshi nga tensione të ashpra, pasi opozita ishte kundër këtij vendimi. Militantë dhe simpatizantë të opozitës së bashkuar protestuan dje jashtë Kuvendit, duke u përplasur me policinë, ku pati dhe persona të lënduar.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës krijuan një situatë të jashtëzakonshme në sallën e Kuvendit, duke protestuar me të gjitha mënyrat, me tymues, flakadanë, vjedhje kartash, goditje me këpucë apo dhe me karrige.

[gallery]25151[/gallery]

d.c./shqiptarja.com