Artan Fuga: Akademia e Shkencave përpara sesa të reformohet, duhet të hetohet!

Artan Fuga: Akademia e Shkencave përpara sesa të reformohet, duhet të hetohet!

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë zhvillohen zgjedhjet në datë 24 maj. Për këtë iniciativë, akademiku Artan Fuga shpreh mendimin e tij, kundër, sepse ai e konsideron të pa vend, që në këtë institucion të zhvillohen zgjedhje, pa u miratuar ligji i ri për “Reformën në Akademi”.  Ndërsa Skënder Gjinushi, kandidat për kryetar të Akademisë së Shkencave në një intervistë për “Shqiptarja.com” pak ditë më parë iu kundërpërgjigj Fugës duke e konsideruar si “produkt të politizimit” dhe përshëndetës të saj” kur politika ndërhynte edhe në qëndrime përjashtuese të akademikëve me të kaluar komuniste.

Nga Artan Fuga
Akademia e Shkencave përpara sesa të reformohet, duhet të hetohet!
---------------------
Komunikatë për mediat!

Në vëmendje të:

Presidentit të Republikës Ilir Meta

Kryetarit të këshillit të ministrave Edi Rama

Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi

Ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Europian shkëlqesisë së tij Luigi Soreca

Kryetarit të opozitës Lulzim Basha

Opinionit publik

Komunitetit shkencor të vendit

--------------------

Po afrohen zgjedhjet farsë të 24 majit 2019 në Akademinë e Shkencave. Ku kryetari do të bëhet përsëri kryetar, sekretari nënkryetar, dhe kryetari sekretar! Të njëjtët! Po ashtu sikur i quajti kryeministri Edi Rama përpara më shumë se një vit e gjysmë më parë, këto lloj zgjedhjesh pa alternativa, pa kandidatë rivalë, pa platforma, mbyllur brenda rrethit të një njëzet vetëve në sallën e vjetër të Akademisë së Shkencave, i quante farsë.

Të ashtuquajturit reformatorë po rimarrin postet drejtuese duke hedhur në kosh reformën!

Tani luhet farsa e farsës, por si duket për kryeministrin, farsa nuk pranohej kurse farsa e farsës është goxha e mirë, goxha e pranueshme, mjafton që fsheh farsën e vërtetë!

Paralelisht po bëhen përpjekje të ethëshme, krejt të çmendura, që të aprovohet projektligji i Skënder Gjinushit me iniciativë të Eglantina Gjermenit. Një farsë e farsës të farsës kjo. Krejt nul! Por, ja që nuk u arrit të kalojë në Kuvend përpara datës të 24 majit ku Akademia, shtet më vete, ka shpallur se do të bëjë zgjedhjet!

E turpëron përjetë Kuvendin e Shqipërisë, ministrinë e arësimit dhe vetë qeverinë dhe kryetarin e saj!

Kuvendit i thotë : Merru me ligje ti, llogje janë, ne vazhdojmë edhe për mandatin e ardhshëm disavjeçar të veprojmë me këtë ligj që është dhe që na le rehat në abuzimet dhe parazitizmin tonë.

Ministrisë së arësimit i thotë: Shprehu krenare që nuk bëre detyrën, dhe projektligjin ta morëm nga sirtaret dhe e çuam ku duam ne! Ti Besa Shahini shprehu e lumtur nëpër fejsbuqe dhe në ceremoni abetaresh duke bërë gjeopolitikë me ëndërra akademish të bashkuara!

Qeverisë i thotë me ty jam në rregull : Të dhashë partinë në koalicion, ti më jep Akademinë !

E në kushtet kur Komisioni për Edukimin dhe Mejetet e Informacionit në Kuvend ka nisur procedurat antikushtetuese për të çuar për votim ligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave, një problem mbetet i hapur.

A është Akademia e Shkencave brenda ligjit sot, apo nuk është veçse një institucion i vetëdalë jashtë ligjit, i paligjshëm, a bën dot zgjedhje të ligjshme, madje a ka shkelje të rënda të ligjit në fuqi atje për vite me rradhë?

Me cilët po komunikon Kuvendi? A duhet drejtuesit e Akademisë së Shkencave të dëgjohen nga Kuvendi, apo ata fillimisht duhet të investigohen e dëgjohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga shërbimet e ministrisë të financave, dhe madje ndofta edhe nga Prokuroria?

Le të marrim disa shembuj!

Neni 6/1 i ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave thotë se statusi i anëtarit të rregullt, atij të asociuar, dhe i çdo funksioni tjetër drejtues…përfundon kur anëtari …”zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese”.

Unë ftoj të gjithë ata që kanë përgjegjësi për respektimin e ligjit, si edhe për financat publike, si edhe për të vendosur në vend drejtësinë, të hedhin një sy dhe të shohin nëse ka pasur kryetarë partish politike anëtarë të Akademisë së Shkencave, po deputetë a ka? A janë të ligjshëm ata atje? A kanë përfituar parà në mënyrë të paligjshme?

Marrim një shembull tjetër!

Pika 2 e Nenit 7 të ligjit e thotë fare qartë : “Anëtarët e Akademisë që kanë vende pune me kohë të plotë dhe të pagueshme në Akademi janë anëtarët e kryesisë dhe drejtuesit e seksioneve.”

Unë ftoj të gjithë ata që merren në shtetin tonë me respektimin e ligjit dhe menaxhimin e parasë publike të shohin: A ka pasur anëtarë të Akademisë së Shkencave që pa qenë në atë status që parashikon ligja kanë marrë paga për kohë të plotë pune në administratën e Akademisë? Kush i ka firmosur këto vende pune jashtë ligjit dhe me çfarë dëmi financiar?

Vazhdojmë me një shembull tjetër!

Pika 4 e Nenit 7 të ligjit në fuqi e thotë shkoqur :”Anëtarët e rregullt të Akademisë, me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, që janë në marrëdhënie pune, krahas pagës, sipas vendit të punës, përfitojnë edhe shpërblim mujor për titullin “Akademik”…”

Unë ftoj gardianët e ligjit dhe të financave publike në shtetin tonë, të shohin pak me kujdes, a ka nga ata që duke qenë anëtarë të Akademisë, pa banim të përhershëm në Shqipëri dhe pa qenë në marrëdhënie pune, kanë marrë shpërblimin mbi pagën për titullin e tyre?

Nëse ka ndodhur, kush e ka firmosur këtë urdhër që vjen në kundërshtim me ligjin?

Kemi edhe plot shembuj të tjerë!

E thamë që pika 1 e nenit 6/1 e ligjit në fuqi thekson se statusi i anëtarit të rregullt të Akademisë përfundon “kur mbush moshën 75 vjeç”.

Ftoj të gjithë zbatuesit e ligjit dhe ata që duhet të garantojnë mirëpërdorimin e parasë publike në shtetin tonë për të parë: A ka pasur akademikë që edhe pas moshës 75 vjeç në kundërshtim me këtë ligj kanë vazhduar të marrin shpërblim të paligjshëm? Nëse kjo ka ndodhur kush ka firmosur dhe sa ka qenë dëmi financiar i paligjshëm?

Këto janë vetëm disa shembuj sepse vend për të kërkuar për gropat ligjore dhe financiare në Akademinë e Shkencave ka plot.

Le të shohin pak se si në Akademinë e Shkencave Kryetari është edhe Kryetar i këshillit ekzekutiv, edhe Kryetar i Këshillit të botimeve, edhe autor librash që i botohen. Vetë Zot be vet shkop !

Po ashtu anëtarët e Kryesisë janë edhe anëtarë të këshillit ekzekutiv, dhe të këshillit të botimeve ku qarkullojnë miliona e miliona lekë në vit. Anëtarët e këshillit ekzekutiv janë edhe anëtarë të komisionit të tenderave, edhe anëtarë të këshillit të botimeve,e dhe kryeredaktorë revistash, edhe autorë e librave që botohen atje edhe të artikujve të po atyre revistave.

Konflikti i interesit vazhdon prej dekadash në Akademinë tonë të Shkencave ku paraja publike menaxhohet pa zbatuar as rregullat dhe parimet që evitimi i konfliktit të interesit kërkon. Pranda një kopje libri të shitur ka një kosto reale që mund të shkojë nga 200 deri 300 mijë lekë të vjetra. Kujdes, po flas për 1 kopje. Prandaj nga libra që botohen me një tirazh edhe prej 300 ose 400 kopje shiten pas vitesh vetëm 20 ose 30 kopje. Prandaj tenderat bëhen në atë mënyrë që fituesit janë po të njejtët. Prandaj paguhen recenzentë që nuk kanë kompetenca në fushën ku paraqiten si të tillë ose redaktorët shkencorë ndodh që janë vetë autorët. Prandaj akademikët që janë në administratë, me përjashtim të njerës, marrin copën e luanit nga paraja e shtetit për botimet. Vetë shkruaj vetë vulos, kjo është motoja e Akademisë të Shkencave.

Eshtë bërë kërdia në menaxhimi e keq të parasë publike. Rendimenti financiar zero. Zero !

Projektligji i ri që paraqet Akademia e Shkencave dhe ku deputetët kanë bërë vetëm rolin e postjerit nuk lëviz as qimen nga kjo gjendje. E ripërsërit dhe e certifikon atë !

Deputetët iniciatorë, me në krye zonjën Eglantina Gjermeni, as i kanë njohur cilat janë problemet për t’u dhënë zgjidhje atyre me një kuadër të ri ligjor !

Unë pyes nëse ka autorë studimesh që kanë marrë pagën e përmuajshme për një studim të bërë dhe pastaj Akademia e Shkencave i ka paguar përsëri si autorë, duke bërë që i njejti person, për të njejtën punë, të paguhet dy herë nga paraja publike ?

Nuk jam unë që duhet të investigoj. Unë ftoj shërbimet e specializuara të investigojnë. Autoritetet e shtetit duhet të bëjnë detyrën e tyre. Se një institucion i kalbur infekton gjithçka përrreth !

Por, a janë të ligjshme veprimet ose mosveprimet e Akademisë së Shkencavenë këta dy vitet e fundit ?

Unë them me bindje mesa gjykoj që Akademia e Shkencave ka dalë nga shtrati i ligjit. Pra, edhe zgjedhjet atje janë të paligjshme, edhe kandidaturat e shpallura të paligjshme, edhe zgjedhjet farsë që po kryhen në 24 maj 2019 janë po ashtu krejt të paligjshme.

Përse?

Sepse sipas Nenit 10, pika 3, e ligjit në fuqi thuhet : « Kryesia e Akademisë përbëhet nga Kryetari, Zëvendëskryetari dhe Sekretari Shkencor ».

Mirëpo, këtu fle lepuri. Kryetari dhe zëvendëskryetari kanë dhënë prej dy vjetësh dorëheqjen. Botërisht. Pra Kryesia e Akademisë nuk funksionon sepse ka mbetur vetëm Sekretari Shkencor në emrin e Ak. Vasil Tole. Cdo vendim i kryesisë është i paligjshëm sepse një person i vetëm, Sekretari shkencor, nuk mund të përfaqësojë kryesinë. Eshtë minorancë. Kryesia nuk ekziston !

Prandaj të gjitha aktet që ky sekretar shkencor firmos, ka firmosur, përgjatë kësaj kohe, në emër të kryesisë, duke përfshirë edhe thirrjet be mbledhjeve të Asamblesë, janë, kanë qenë dhe do të jenë të paligjshme.

Kjo ndodh sepse sipas Statutit të Akademisë të Shkencave rendin e ditës për mbledhjet e asamblesë e propozon Kryesia. Kryesia që në fakt nuk ekziston.

Prandaj sa herë që sekretari shkencor ka kërkuar mbledhjet e asamblesë me firmën e tij, kjo thirrje nuk ka qenë e mbështetur në kuadrin normativ ligjor dhe nënligjor brenda të cilit do të duhej të funksiononte drejtimi i Akademisë së Shkencave.

Për të mos thënë që vetë mandati i sekretarit shkencor ka mbaruar prej kohësh. Ku e gjen guximin qytetari Vasil Tole të ushtrojë një mandat të paligjshëm? Prandaj unë i thërras drejtueses të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zonjës Fatjona Dhimitri, që Komisioni që ajo drejton faktikisht, duke thirrur në dëgjesa, aq më shumë me procedura antikushtetuese, dikë pa mandat, është njësoj sikur Komisioni të thërrasi një njeri nga rruga dhe të interlokutojë me të.

Dikush me sofizëm nga akaparuesit e Akademisë të Shkencave mund të thotë se mandatin e sekretarit shkencor e ka zgjatur asambleja edhe për tre muaj. Pyetja është : Me çfarë bazë ligjore ? Kush e lejon një individ ose edhe një kolektiv, shoferësh, kamarierësh, mjekësh, apo akademikësh, të marë vendime që ligji nuk i lejon?

Ja çfarë thotë ligja në fuqi fare qartë e pa lejuar asnjë ekuivok : « Kohëzgjatja e mandatit të Kryetarit dhe Zëvendëskryetarit është 4 vjet, ndërsa e Sekretarit Shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është 5 vjet. » Gjithçka është qartë, e patejkalueshme. Edhe për Sekretarin Shkencor, edhe për kryetarët e seksioneve!

Ja përse të gjitha vendimet e asambleve të Akademisë së Shkencave janë nul. Ja përse edhe grupi i punës që thërritet nga Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik e ka mbaruar mandatin e tij përcaktuar në urdhërin e konstituimit të tij të ministres të arësimit. Mandati i tij nuk shkonte më larg sesa përgatitja e projektligjit dhe dorëzimi i tij në sirtaret e ministrisë. Ja përse edhe këshilli ekzekutiv që drejton veprimtarinë e përditshme të Akademisë drejton në fakt një institucion pa busull, pa legjitimitet, pa strategji.

Kjo është arsyeja që kontrolluesit e Akademisë së Shkencave pa pritur ligjëvënësit nxitohen të bëjnë zgjedhjet. Ata duan të mbyllin këtë çështje sa më shpejt, ta vendosin shoqërinë dhe shtetin përpara faktit të kryer, dhe të vazhdojnë historinë në avazin e saj që duhet të dali në dritën e diellit !

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sula: 22/05/2019 21:53

    Me akademike si Fuga Shqiperia nuk mund te eci kurre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'