Arti në gjininë e portretit
impresionizmi klasik

Arti në gjininë e portretit <br />impresionizmi klasik
Paço ka punuar në shumë gjini, por potencën realiste profesionale ia kushtoi pa ndërprerje gjinisë së portretit, bustit. Formimi shkollor i Athinës, ishte për Paçon vetëm një start i artit të tij, i cili do të mbushej me talentin, prirjet plastike dhe me filozofinë e tij. Elementet e stilit të tij realist përvijohen me kthimin në atdhe (1942), ku ai shpërthen në portretet kryesisht të femrës, çka i kishte munguar së tepërmi artit të skulpturës shqiptare, e cila tregonte përpjekjet e tij të ndërgjegjshme për zhvillimin e artit të qytetëruar. Brenda pak vitesh ai do të krijonte një mori portrete vajzash, si portreti "Elsa" 1942 (gips,), etj. Kërkimet e çuan atë në një manipulim të gjerë të plastikës artistike. Brenda stilit të tij, ai u dha gjinive të ndryshme skulpturave që trajtoi, vlera të veçanta, në përputhje me specifikën e veprës. Ai vjen me të papritura nga një vepër në tjetrën. Kështu plastika e butë, e ëmbël e plot poezi te portreti "Biri im" 1957 (bronz, 32 cm, Kol. Priv. i autorit), gjendet e kontrastuar me prerje e goditje dinamike te portreti i gjuhëtarit "Kristoforidhi" 1968 (gips, 42 cm, Gal. Art. Gjirokastër).

Herë modeloi me plastikë të thellë realiste te busti i dijetarit "Fan Noli" 1964 (gips, 71 cm), herë me plastikë të stilizuar prej thjeshtimit të formës te shtatorja e artistit "Aleksandër Moisiu" 1959 (gips, 2, 2 m); pastaj ledhatues dhe i lëmuar me reminishencë neoklasike te busti "Bija ime" 1957 (gips, 49 cm) dhe përgjithësues dhe deri simbolik i artit të vet te portreti "Malësorja nga Shkodra" 1965 (gips, 48 cm), që përbën arritjen e tij më origjinale dhe të papërsëritshme në gjininë e portretit.

Paço është portretist i shquar i skulpturës sonë të të gjitha kohrave. Ka realizime të mjaft portreteve të tipit real të marra nga jeta, ku ndihen mjaft qartë (dhe kjo është meritë e veçantë e autorit) karakteret e ndryshme që takohen në jetë, të cilëve ua ka zbuluar karakterin, duke i modeluar mjaft ngrohtë dhe me ndjeshmëri vetjake të formës plastike, siç është portreti i Vangjush Mios 1954 (44 cm, Galeria e Arteve). Qysh në portretet e vitet '40-'50 arti i Paços mori trajtë vetjake, që u dallua nga ai i shkollës. Personalisht kam arritur në përfundimin, se impresionizmi i Rodenit me bazë klasike që mësoi nga profesori i Athinës nuk mbeti i vetmi bazament i artit të Paços. Vetëm nëpërmjet portreteve të tij mund të zbulohet se Paço e forcoi bazamentin e tij të plastikës edhe me dy dukuri të tjera të saj; ne njërën anë me forcën e monumentalitetit të artit të skulptorit francez Antuan Burdelit (1861-1929), një nga pionerët e skulpturës monumentale të shek.20; dhe në anën tjetër erdhi duke e ndjerë gjithnjë e më tepër plastikën magjepse të skulptorit, piktorit dhe grafistit francez Majolit (1861-1944). Pra përmbledhtazi, arti i Paços mbështetet në impresionizmin klasik të Rodenit, monumentalitetin e Bordelit dhe në plastikën e Majolit, por vetë arti i tij është ai i profesionistit të plastikës së skupturës realiste shqiptare.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 18 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij