Artistët dedikim Shqipërisë
me piano dhe violinë!

Artistët dedikim Shqipërisë<br />me piano dhe violinë!
TIRANE - Tre vjet punë, tre vjet kërkime, prova dhe më në fund një album që prezanton një pjesë të rëndësishme të muzikës shiqptare. Dy virtuozë, violinisti Klajdi Sahatçi dhe pianistja Dhurata Lazo,  sapo kanë regjistruar në Zyrih një cd me muzikë shqiptare, të ‘50-‘90.

40 vjet muzikë përfaqësuar nga kompozitorët tanë më të njohur si Albert Paparisto, Pjetër Gaci, Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Rafet Rudi, Aleksandër Peçi, Thoma Simaku dhe kompozitorja e re Eriona Rushiti. Një pjesë janë korrigjuar enkas për këtë cd, një pjesë rivjen në dritë pas ndalimit nga regjimi i kohës, një tjetër vjen premierë, ndërsa të tjera pjesë sjellin pasurinë muzikore bashkë me kohën kur u krijuan. Albumi nuk lidhet me ndonjë datë të paracaktuar. Sepse artistët nuk kanë nevojë për përvjetore, as për zhurmë e frymëzime rrethanore. Ata kanë thirrjet e tyre të brendshme që i bashkojnë në skena dhe studio regjistrimi për të realizuar vepra për të cilat brezat do tu jenë mirënjohës. Rasti i Dhurata Lazos dhe Klajdi Sahatçi e dëshmon këtë.  Albumi i tyre është thjesht art, një kontribut I cmuar, si njw dedikim i bukur, kushtuar muzikës së vendit të tyre.

Pak ditë më parë në Zyrih keni finalizuar  nje projekt te ri muzikor. Si lindi idea e këtij albumi? Si u bashkuat të dy në këtë projekt?

K. SAHATÇI: Personalisht ideja më lindi  disa vite përpara kur ndjeva të nevojshme t’i rikthehesha këtyre pjesëve me një pjekuri artistike më të madhe dhe me këtë rast nëpërmjet regjistrimit  doja t'ja  bëja të njohura edhe publikut ndërkombëtar. Rastësisht duke komunikuar me Dhuratën pamë që kishim të njëjtën ide dhe kështu dëshira u bë realitet.

DH. LAZO: Për arsye të ndryshme nga të dy palët u shty pak, por gjithmonë kemi qenë në kontakt që të realizohej dhe në të njëjtën kohë është bërë dhe një punë e madhe me mbledhjen e partiturave që ishin në gjendje jo të mirë, me shumë gabime dhe na është dashur punë për t’i rregulluar. Besoj na bashkoi e njëjta dëshirë dhe pasion mbi muzikën.

Si u bë përzgjedhja e muzikës?
K.S.: Përzgjedhja u bë me një konsultim të përbashkët me Dhuratën dhe idea ishte që të regjistronim disa nga pjesët më të njohura të asaj kohe të cilat kishin shoqëruar dhe formacionin tonë si muzikantë. Bëhet fjalë për personalitete të shquara  të muzikës që kanë bërë historinë e vendit tone si Cesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Thoma Simaku, Aleksandër Peçi, Albert Paparisto. Kemi luajtur po ashtu edhe një pjesë interesante të kompozitorit kosovar Rafet Rudi si dhe një pjesë të kompozitores bashkëkohore  Eriona Rushiti, pedagoge në Akademinë e Arteve në Tiranë, pjesë të cilën ajo na e ka dedikuar.

Dh.L.: Menduam të krijonim një repertor i cili duhej të përfaqësonte muzikën më të mirë instrumentale për violinë e piano të krijuar gjatë këtyre viteve. Një repertor shumë i dashur për të gjithë instrumentistët dhe unë e kam luajtur shumë shpesh, aq sa më duket se kam lindur bashkë me to. Konceptimi i albumit ka të bëjë me vendosjen e muzikës përfaqësuese të shkruar gati çdo dekadë kur ato vepra janë shkruar dhe sigurisht ndjehet evoluimi i gjuhës muzikore të krijimit në vite. Përveç kësaj, e kisha me shumë ndjeshmëri e dashuri çështjen e përfshirjes së muzikës të shkruar në Kosovë, kompozitori Rafet Rudi një ndër përfaqësuesit më të mirë të krijimtarisë gjithashtu dhe përfshirjen e një brezi të ri si kompozitorja Eriona Rushiti që për fat e kemi dhe femër të talentuar me një fantazi përtej kufijve ...

Nëse do të kishit mundësi të na e përshkruanit me nga një fjalë secilën prej pjesëve që keni regjistruar si mund ti përcaktonit.
K.S: Të përshkruash me një fjalë është pak e vështirë edhe për faktin se brenda një pjese ka disa gjendje emocionale. Megjithatë si shembull mund të them se shkohet nga një temë lirike  me ngjyra impresioniste dhe nganjëherë dhe mistike të kohës së parë si  dhe ritmet  me temat popullore të kohës së dytë të sonatës së Çesk Zadesë, duke kaluar tek skerzo e gjallë  me shumëllojshmëri akcentesh e Feim Ibrahimit deri tek pjesa e Eriona Rushitit e cila shpreh shumë  mirë sipas mendimit tim me pjesën "Memory" një situatë  me ndjenja kontrastuese e cila  karakterizonte  në përgjithësi atë periudhë historike të vendit tonë. Mund të them se të gjitha pjesët kanë në thelb të përbashkët motivet e bukura që ofron pasuria e muzikës sonë popullore.

Mund të na rrëfeni disa përshtypje gjatë regjistrimeve. Si dhe reagimin e të huajve kundrejt muzikës që interpretuat?
K.S: Kemi pasur kujdes që gjatë regjistrimit të gjejmë karakterin më të përshtatshëm për çdo pjesë dhe t’i pasurojmë sa më mirë me interpretimin. Ka qenë dhe shumë i dobishëm bashkëpunimi me disa nga kompozitorët të cilët na dhanë sugjerime të vlefshme për veprat e tyre. Dua të përfitoj nga rasti të falenderoj Albert Papariston i cili mori mundimin të më  shkruante sërish personalisht një pjesë të tijën e cila kishte gabime, po ashtu edhe Aleksandër Peçin i cili më dha partin dhe  idenë e bukur të regjistroj një valle të tijën për violinë dhe piano e cila nuk është luajtur më parë. Këtë pjesë vendosëm ta luanim  pak ditë përpara regjistrimit. Inxhinieri i zërit i cili është gjerman na dha disa sugjerime të dobishme përsa i përket karakterit të disa pjesëve në një këndvështrim të veçantë siç mund të ishte përshtypja e një dëgjuesi joshqiptar.

Dh.L: Regjistrimi kërkon shumë energji, përgatitje të mirë, koncentrim dhe shumë durim, sepse është një eksperiencë e veçantë, shumë ndryshe nga interpretimi në një koncert live. Koha është shumë e çmueshme. Me Klajdin punuam së bashku në mënyrë të mrekullueshme dhe u munduam të arrinim më të mirën së bashku. Besoj gjetëm gjuhën tonë të përbashkët, atë të shpirtit... Klajdi është një instrumentist i mrekullueshëm që karakterizohet nga një tingull shumë i veçantë dhe muzikaliteti i tij më frymëzoi shumë. Më kujtohet kur mbaruam së regjistruari Sonatën e Çesk Zadejës, inxhinieri i regjistrimit me entuziazëm pyeti: “Luani bashkë ju të dy nëpër koncerte?” Jo, kjo ishte hera e parë që na bashkoi dhe shumë emocionuese pikërisht na lidhi gjuha e vendit tonë, e shprehur në art. Më kujtohet që kur  regjistruam “Memory”  pati sukses sepse opinioni ishte super; “një muzikë e bukur me dhimbje” e përshkruan të huajt dhe me një harmoni shumë të qartë e të kristaltë. U ndjemë shumë mirë sepse ne jemi instrumentistë dhe me kompozitoren, miken tonë të shkollës, përbënim një trio të kohës. Sigurisht që gjatë regjistrimit kishte shumë opinione të ndryshme p.sh vallja e Peçit ku u ndje menjëherë një folk i veçantë i padëgjuar, i panjohur. “Ja më në fund jemi” -tha inxhinieri...”Balada” e Thoma Simakut la një mbresë shumë të veçantë.

Cili është synimi dhe pritshmëria juaj për këtë album? Ku mendoni ta shpërndani dhe a do të shoqërohet me koncerte promovuese?

K.S: Synimi i këtij albumi është që t’i paraqesë publikut shqiptar një kuadër  të plotë  të muzikës për violinë dhe piano shqiptare dhe të Kosovës  të rishikuara nga ne dhe të promovojë po ashtu  muzikën tonë në sferën ndërkombëtare.

Përsa i përket shpërndarjes do të mund të jenë platformat e ndryshme në internet,por mund edhe të marrim në konsideratë propozime interesante që mund të vijnë nga shtëpi  të ndryshme diskografike. Synimi ynë është gjithashtu që eventi  të shoqërohet me koncerte të ndryshme si në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë vendit.

Dh.L.: Një synim tjetër është realizimi dhe interpretimi i veprave të përzgjedhura që janë shkruar përpara -90-ës në një trajtim bashkëkohor nëpërmjet lojës tonë, por synimi kryesor që zgjohet e jeton bashkë me ne  çdo ditë mbetet çështja e identitetit tonë, e rrënjëve nga ne vijmë, muzika me të cilën ne jemi rritur dhe dëshira që me këtë muzikë të njihet çdokush që ka dëgjuar ose jo për Shqipërinë. Krijimtaria e paraviteve 90 bazohej dhe buronte nga folklori ynë, kështu që me anë të këtyre veprave ne i bëjmë të njohur çdokujt që merr në duar këtë album, folklorin dhe trashëgiminë tonë të pasur. Jemi shumë optimistë që kurioziteti do të jetë shumë i madh pasi ende Ballkani dhe folklori i këtyre vendeve janë në zbulim e sipër është ende një tokë e pashkelur dhe e paekploruar në të gjitha fushat e tjera të artit.

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit