ELBASAN - Shoqata kulturore " Skampa" do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar të këngës dhe valles popullore që do të organizohet në Drenas të Kosovës në mesin e muajit shtator.

Grupi artstik i shoqatës ka nisur përgatitjet për t'u përfaqësuar sa më denjësisht dhe me profesionalitet në këtë festival. Artistët elbasanas do të prezantohen me këngë dhe valle popullore të Shqipërisë së mesme nëkëtë festival, ndërsa është hera e dytë që marrin pjesë në këtë event artistik.

Ata janë të bindur se këtë vit do të kthehen në Elbasan me trofeun e çmimit të parë, pasi një vit më parë u vlerësuan me çmimin e dytë.

Drejtori artistik i qendrës " Skampa", Blerim Narazani,  deklaron se " bashkë me stafin kemi përgatitur edhe një program, i cili i përgjigjet rregullave që ka festivali i Drenasit të Kosovës. Ne jemi përgatitur seriozisht duke nisur nga kostumografia, vallet e deri tek këngët tona tradicionale të qytetit, me pjesëmarrjen e dy këngëtarëve të mëdhenj të folkut shqiptar Medih dhe Demir Zena".

Në këtë festival marrin pjesë 56 grupe ku pjesa më e madhe janë nga Shqipëria. Grupi i shoqatës kulturore "Skampa" ka synim që jo vetëm për tu paraqitur mirë, por edhe të prezantojnë edhe vlerat dinjitoze etno kulturore që ka Elbasani./ATSH/