Artistët performues të institucioneve publike të artit dhe kulturës mund të largohen nga skena para moshës së pensionit dhe të përfitojnë trajtim financiar nga shteti. kjo parashikohet në projektligjin e hedhur për konsultim publik nga data 2 deri më 30 shtator.

Skema prek pesë kategori: akrobatët, balerinët, valltarët, këngëtarët lirikë-solistë dhe këngëtarët-koristë.

Për profesionet e interpretimit fizik, e drejta për të kaluar në skemë lind në moshën 47 vjeç, me kusht që artisti të ketë të paktën 15 vite performancë skenike dhe 15 vite sigurime shoqërore.

Për këngëtarët lirikë-solistë mosha është 57 vjeç, me minimumi 20 vite performancë dhe 20 vite sigurime. Për koristët kërkohen po 20 vite performancë, por 25 vite sigurime shoqërore.

Plotësimi i këtyre kritereve përbën, sipas draftit, një shkak të posaçëm ligjor për përfundimin e marrëdhënies së punës dhe kalimin në skemën financiare.

Për pesë vitet e para, artisti do të marrë nga shteti 70 për qind të pagës bruto mujore që ka përfituar në muajin e fundit të punës. Më pas, pagesa ulet në 50 për qind të pagës neto mujore të referencës për profesionin dhe kategorinë përkatëse dhe vijon deri në lindjen e së drejtës për pension.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, artistëve u njihet sigurimi shoqëror, ndërsa kontributet shoqërore dhe shëndetësore mbulohen nga Buxheti i Shtetit.

Projektligji parashikon gjithashtu që përfituesit, me kërkesë të institucionit, mund të angazhohen deri në 250 orë në vit në aktivitete trajnuese, artistike, kulturore apo mentorim, pa rikthim të detyrueshëm në punën e rregullt skenike.

Sipas relacionit, kostoja e parashikuar për buxhetin e shtetit për periudhën 2027–2029 është rreth 50.8 milionë lekë. Shifra mund të ndryshojë pas konsultimit publik, në varësi të numrit të përfituesve dhe kritereve përfundimtare.

Ndërkaq, lista e institucioneve që do të përfshihen në skemë do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.