Rezultatet e 9 Nëntorit në 5 bashkitë e vendit për zgjedhjet e pjesshme, treguan dhe folën shumë. Folën më shumë se propaganda boshe e kësaj opozite, folën më shumë se akuzat dhe tymnajat e Berishës, si brënda ashtu dhe jashtë vendit se “në 11 Maj kishte farsë dhe jo zgjedhje”. E djela e 9 Nëntorit, dhe rezultatet folën para shqiptarëve dhe nderkombëtarëve. Zgjedhjet ishin të lira, të qeta, të drejta dhe demokratike. Tanimë u mbetet demokratëve të zgjedhin dhe të ndajnë mëndjen, “janë me dokrrat e liderit, apo me faktet”. Në Vlorë, kandidatja socialiste fitoi bindshëm, po ashtu edhe në Tepelenë, Cerrik apo Berat e Mat. A mund të na thotë sot Berisha “a kishte manipulime edhe në 9 Nëntor”.
A mund ta shpjegojë ai para shqiptarëve, pse nuk doli me kandidatët e saj Partia Demokratike, por gjoja “u solidarizua dhe mbeshteti të pavarurit”. Këto dhe dhejtra pyetje të tjera duan shpjegime. Duan sqarime, pasi në situatën ku ndodhet sot PD-ja, edhe demokratët e hutuar dhe zhgënjyer, duan xhevapin, dhe nuk mund të jetojnë më politikisht me rrena dhe skenarë bajatë. Dje u vodhën, sot u vodhën, nesër do vidhen, …..po si ka mundësi që PD-ja nuk qenka e aftë të mbrojë votën e saj?
Dava e humbur, kohë e humbur, propogandë boshe. Në Kolonjë thonë një fjalë të urtë “kur nuk të qasin në fshat, si kërkon për grua të bijën e priftit”. Edhe puna me Partinë Demokratike. Kur nuk e votojnë shqiptarët masivisht, si mund të pretendojë ajo, se nesër mund të qeverisë vendin. Si mund të pretendosh se “të janë vjedhur votat në gjithë Shqipërinë”, dhe kush mund ta besojë se “ju demokratët qenkeni viktima të përjetshme”.
Kjo nuk është politikë. Kjo nuk është as opozitë konstruktive, që jep alternative, propozime, që ka programe, dhe që ngjall dhe rindez frymën dhe besimin. Të ankohesh “mot e jetë” se, “po të rrahin, se po të vjedhin, se po të nëpërkëmbin” dhe të mos jesh i aftë, ti bësh ballë të keqes, do të thotë se defektin e ke tek vetja. “Politika mbetet profesion i atyre që përballojnë sfida dhe fitojnë mbi tufane”-ka thënë Schmid Kolsen. Kjo natyrisht vlen edhe për politikanët në Shqipëri. Ky ka qenë tregues në shekuj edhe për politikanët e botës. Natyrisht vlen edhe për sot tek ne. Ndaj nuk të besojnë votuesit, ndaj nuk të beson populli dhe shumica e qytetareve, kur ti tregohesh i dobët, për të përballuar rrebeshet dhe sfidat e jetës politike, dhe karrierës tënde si politikan.
Eksperienca ka treguar se, në Shqipëri, vetëm Edi Rama, ka rezultuar se ka mundur të përballet personalisht dhe politkisht me sfidat e pushtetit dhe dallgët e kundërshtarit politik. Ndaj them se, 9 Nëntori foli më shumë se përbaltja e liderit historik të PD, duke shpresuar se do ti vlejë atij, dhe vetë demokratëve, për të ringritur partinë dhe konturuar siç duhet vijën politike për të ardhmen./Koha
Komente









