'As Gjermania s'ka kryer teste masive për COVID', ambasadori gjerman në Report TV: 'Zgjedhoren' mbylleni para qershorit, jepini sinjal Brukselit

Ambasadori gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf në një intervistë për Raport Tv në emisionin "Pa Protokoll" tha se klasa politike duhet ta shfrytëzojë mirë këtë periudhë kohe në lidhje me reformën zgjedhore dhe se para qershorit të ketë adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në mënyrë që të çojë një mesazh pozitiv në Bruksel. Zingraf tha se periudha e pandemisë la në plan të dytë dhënien e dritës jeshile për negociata për Shqipërinë, por kjo nuk është justifikim për të mos ecur para me reformat e rëndësime që kanë vlerë thelbësor për proceset integruese të vendit.

Ambasadori Zingraf përshëndeti rinisjen e debatit lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa tha se kjo duhet mbyllur sa më shpejt në mënyrë që të rifitohet besimi i qytetarëve dhe të jepet sinjal pozitiv për BE, dhe kjo duhet të ndodh para qershorit. Afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore është shtyrë deri më 30 qershor 2020.

"Në krye të këtij kalendari reformash vazhdon të jetë ajo elektorale .Kjo reformë do të duhet të formësohet në mënyrë transparente dhe të sillej sa më pranë qytetarit në mënyrë të tillë që besimi i qytetarëve tek partitë politike  të mund të rifitohet. Koha është e paktë, pra koha na ngut për ta bërë këtë gjë, jo vetëm për shkak të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian por edhe për shkak të afrimit të datave që kanë lidhje me proceset zgjedhore. Unë për këtë arsye e përshëndes shprehimisht faktin që forcat politike kanë rinisur debatin lidhur me reformën zgjedhore dhe të shpresojmë që do të mbërrihet sa më shpejt.  Gjermania prej vitit 2018 ka vënë në dispozicion ekspertizën e saj pikërisht në funksion të reformës zgjedhore duke pasur parasysh të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të mund të përparohet në këtë drejtim, në mënyrë të tillë që përpara qershorit ti jepet Brukselit një sinjal i rëndësishëm, po kështu edhe qytetarët shqiptarë kanë nevojë për dhënien e këtij sinjali", tha Zingraf.

Në lidhje me situatën e pandemisë në Shqipërisë, Ambasadori tha se ndërgjegjësimi qytetar por dhe masat e marra nga qeveria dhanë një efekt pozitiv duke e mbajtur në kontroll infeksionin. Sa për testet masive, Zingraf tha se as Gjermania nuk ka kryer teste masive në raport me popullsinë e saj, por ka gjurmuar rastet dhe personat që kanë shfaqur simptoma. Ai tha se strategjia e testimit do të duhej t'i referohej apo orientohej sipas situatës specifike të çdo vendi apo rajoni.

Intervista e plotë me ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf

Unë ju falenderoj përzemërsisht për ardhjen tuaj këtu dhe për faktin që ne po takohemi gjithsesi duke ruajtur distancën e nevojshme në kohë të tilla edhe pse jemi në dite disi më normale se më parë.

Gjermania është ndoshta shembulli më i mirë në botë për mënyrën se si e menaxhoi situatën e  COVID 19 , kjo ndodhi për shkak se vendi juaj mori masat në kohë dhe sistemi shëndetësor ishte në gatishmëri, apo pati ndonjë arsye tjetër?

Ambasadori Zingraf: Në fakt pandemia është një sfidë globale të cilën na takon që ta menaxhojmë dhe për menaxhimin e së cilës na takon të kontribuojmë të gjithë dhe gjithsecili prej qytetarëve dhe gjithsecili prej vendeve dhe Evropa ka vënë pikërisht në këto kohë të vështira një paketë të konsiderueshme ndihmash në këtë drejtim. Po ashtu edhe Gjermania e ka bërë këtë në nivel bilateral dhe në terma afatmesëm Gjermania është angazhuar për gjetjen e një vaksine të duhur në luftën kundër Coronavirusit.  Është ende herët për të nxjerrë një bilanc lidhur me situatën. Për momentin në Gjermani kanë humbur jetën nga Coronavirus 7 mijë persona, por mund gjithashtu të them që e kemi kaluar tanimë etapën e parë. Ne në ngjashmëri edhe me vende të tjera kemi pasur mundësi që të marrim në kohën e duhur masat e nevojshme siç ishin ato të kufizimit të kontakteve , mbyllja e dyqaneve fabrikave etj, sikurse kemi pasur mundësi gjithashtu të gjurmojmë vatrat e infeksionit dhe në një moment tjetër më pas spitalet patën mundësinë dhe u angazhuan për rritjen e numrit të shtretërve në spitalet e terapisë intensive. Faktori më i rëndësishëm për arritjen e suksesit ka qenë sjellja e qytetarëve por gjithashtu edhe një debat publik dhe informimi i mirëpërgatitur qoftë nga ana e institucioneve të shëndetësisë të mediave apo dhe të institucioneve të tjera ka ndikuar në menaxhimin e mirë të situatës. Lufta kundër virusit do të vijojë edhe për një kohë të gjatë  ashtu sikurse e ka thënë edhe Kancelarja Federale, nuk bëhet fjalë për një sprint por bëhet fjalë për një maratonë dhe të gjithë neve do të na duhet të kontribuojmë në këtë luftë përmes ruajtjes dhe respektimit të masave të marra të distancimit fizik të rregullave të higjienës etj.

Për këto rezultate, a i konsideroni ju testet masive çelës suksesi?

Ambasadori Zingraf: Teste masive edhe në Gjermani nuk ka pasur, pra nuk mund të themi që ka pasur testim masiv të popullsisë. Numri i  kufizuar aktualisht i gjendjes së testeve, për një popullsi prej 82 milion banorësh siç është ajo në Gjermani, kjo do të kishte qene mjaft e vështirë. Në këtë këndvështrim është ndjekur strategjia testim sipas simptomave duke gjurmuar gjithashtu edhe kontaktet e personave të infektuar por edhe në Gjermani është duke u analizuar dhe menduar mundësia e zgjerimit të testimeve. Ka një debat publik të gjerë lidhur me këtë. Unë personalisht nuk jam epidemiolog por gjithsesi mendoj që strategjia e testimit do të duhej t'i referohej apo orientohej sipas situatës specifike të çdo vendi apo rajoni.

Kur parashikohet që Gjermania t'i kthehet normalitetit?

Ambasadori Zingraf: Se kur do të ketë një rikthim në normalitet siç ishim përpara Coronavirusit, këtë nuk e di ende askush. Unë mendoj që kjo situatë do të vazhdoje gjatë edhe për disa muaj te tjerë. Se kur do të ketë fluturime, ju lutem më pyesni për këtë pas së paku 4 javësh, shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Mund të themi që një fazë të parë të menaxhimit të kësaj situate tashmë e kemi përmbyllur. Vetë Kancelarja gjermane Angela Merkel  të mërkurën u takua me shefat e qeverive të Landeve të ndryshme dhe ka diskutuar dhe kanë rënë dakord së bashku me ata edhe për masat e tjera lehtësuese. Më lejoni të jap disa shembuj lidhur me këto masa lehtësuese, p.sh kopshtet apo çerdhet do të ofrojnë ne rastet më të nevojshme dhe urgjente kujdesin për fëmijët megjithëse do të vazhdojnë të jenë të mbyllur, njëkohësisht një pjesë e shkollave janë duke u hapur në mënyrë të ngadaltë madje deri edhe futbolli do të fillojnë së shpejti të organizohen edhe pse në një formë disi më të çuditshme me lojëra pa tifozë. Në Gjermani për shkak se sistemi i menaxhimit atje është federal të gjitha këto rregulla nuk mund të jepen e të paracaktohen në nivel qendror, pra secili prej Landeve është i lirë që t'i menaxhojë ato në bazë të nevojave e situatave specifike të vetat. Do të ketë variante të linjës bazë në nivel qendror por secili prej Landeve është i lirë të vendosë vetë, por është e qartë që nëse do të ketë rritje të numrit të infeksioneve në qytete apo rajone të caktuara atëherë masat do të duhet të riashpërsohen çka në fakt do të ishte një hap që nuk do të pritej pozitivisht nga qytetarët gjermanë.

Si e vlerësoni menaxhimin e situatës në Shqipëri, ndonëse sistemi shëndetësor nuk është si ai Gjerman, por ne nuk patëm numër të lartë të personave që humbën jetën ?

Ambasadori Zingraf: Edhe këtu në Shqipëri konstatoj me shumë kënaqësi është bërë i mundur frenimi i përhapjes së Coronavirus. Është një sukses ky i ndërmjetëm i të gjithë qytetareve shqiptarë, së pari, çka u kushtoi jo pak atyre dhe përgëzimet e mia për këtë. Masat e marra nga ana e Qeverisë kanë dhënë efektin e tyre por kufizimet do të vazhdojnë dhe përpjekjet do të duhet të vazhdojnë të ndërmerren edhe në të ardhmen. Të gjithë ne nuk duhet të heqim kujdesin në këtë drejtim. Unë fola pak më parë lidhur me transparencën dhe me debatin publik që zhvillohet në Gjermani lidhur me këtë çështje, çdo ditë në Gjermani flitet për proporcionalitetin dhe për masat e marra si dhe për ruajtjen e të drejtave bazë në këtë drejtim. Masat e marra për menaxhimin e situatës së coronavirusit do të duhej të ishin në mbrojte të drejtave themelore të njeriut, do të duhej të ishin proporcionale dhe të kufizuara në kohë përveçse edhe të mirë-argumentuara.

Ju i keni parë këto masa të paargumentuara?

Ambasadori Zingraf: Kemi parë gjate kësaj periudhe një debat të gjerë publik rreth këtij fakti. Kemi parë se si në këtë debat është përfshirë në mënyrë intensive edhe opozita dhe jemi përpjekur të kuptojmë se cili është thelbi i këtij debati. Kemi kërkuar herë pas here të mësojmë e të shohim në mënyrë të qartë prej nga vijnë informacionet dhe nëse masat e marra përshtateshin. Është një situatë me debat intensiv të cilin ne e kemi ndjekur me vëmendje.

Pavarësisht COVI 19 , klasa politike në Shqipëri i është kthyer retorikës politike ndërsa diskutimi kryesor lidhet me reformën zgjedhore. A keni ju një mesazh për qeverinë dhe opozitën?

Ambasadori Zingraf: E kam një mesazh të tillë se sado i rëndësishëm që të jetë virusi corona apo edhe situata që lidhet me të, ka edhe situata te cilat duhet të trajtoheshin dhe që janë po kaq të rëndësishme. Në mars BE dha lajmin e gëzuar të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë i cili për fat të keq u kushtëzua nga situata e coronavirusit, e u la disi në hije. Në një moment tjetër ndoshta do duhej të kishim folur më intensivisht rreth këtij lajmi e ndoshta do të duhej të kishim festuar. Sigurisht në këtë kontekst kalendari i reformave të qeverise shqiptare do të duhej të vijojë të ndiqet më tej. Të gjitha kushtet e Bundestagut Gjerman janë kuptuar më së miri dhe janë pranuar në axhendën e gjithsecilit  prej institucioneve siç është Qeveria, Parlamenti, Presidenti u Republikës, apo edhe të opozitës joparlamentare dhe janë përshëndetur prej tyre. Kuptohet që në krye të këtij kalendari reformash vazhdon të jetë ajo elektorale .Kjo reformë do të duhet të formësohet në mënyrë transparente dhe të sillej sa më pranë qytetarit në mënyrë të tillë që besimi i qytetarëve tek partitë politike  të mund të rifitohet. Koha është e paktë, pra koha na ngut për ta bërë këtë gjë, jo vetëm për shkak të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian por edhe për shkak të afrimit të datave që kanë lidhje me proceset zgjedhore. Unë për këtë arsye e përshëndes shprehimisht faktin që forcat politike kanë rinisur debatin lidhur me reformën zgjedhore dhe të shpresojmë që do të mbërrihet sa më shpejt.

 A besoni se kjo do të arrihet , a shihni vullnet nga klasa politike?

Ambasadori Zingraf: Unë shpresoj që të mbërrihet në rezultate konkrete. Ka një program pune të caktuar lidhur me këtë. Gjermania prej vitit 2018 ka vënë në dispozicion ekspertizën e saj pikërisht në funksion të reformës zgjedhore duke pasur parasysh të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të mund të përparohet në këtë drejtim, në mënyrë të tillë që përpara qershorit ti jepet Brukselit një sinjal i rëndësishëm, po kështu edhe qytetarët shqiptarë kanë nevojë për dhënien e këtij sinjali.

Në qershor Gjermania merr kryesimin e BE, ku është Shqipëria në axhendën integruese , a është prioritet vendi ynë ?

Ambasadori Zingraf: Kryesimi i BE do të jetë një sfidë mjaft e vështirë për Gjermaninë dhe më lejoni t'i rikthehem këtu situatës që kushtëzohet prej COVID 19 sepse kjo do të jetë një temë e cila edhe në kuadër të kësaj presidence do të luajë një rol mjaft të rëndësishëm. Pikërisht menaxhimi i krizës në nivel të BE dhe mënyra se si do të procedohet brenda për brenda Bashkimit Europian për të koordinuar punën: Nëse të gjitha takimet në të ardhmen do të mund të vazhdojnë të mbahen ashtu sikurse janë mbajtur deri më tani apo do te zhvillohen në dimensionin virtual të tyre. Them se do të jetë një presidence e të ardhmes, do t'i duhet të përcaktojë kuadrin financiar të periudhës së ardhshme të BE apo qoftë edhe çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e klimës dhe të mjedisit. Do të jetë një program ambicioz. Sigurisht që integrimi i Shqipërisë apo edhe i vendeve të tjera kandidate do të jetë një prioritet i rëndësishëm i punës së kësaj presidence por se kur do të mbahet konferenca e parë e anëtarësimit kjo do të varet nga progresi që do të shënojë secili prej vendeve kandidate.

A i kanë bërë detyra qeveria shqiptare, apo edhe opozita pasi procesi i integrimit është një proces politik?

Ambasadori Zingraf: Sikurse e thashë pra, ka fillesa të mira por na lejoni të shikojmë se si do të  zhvillohen gjërat deri në fund të vitit kur do të përfundojë edhe presidenca Gjermane.

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës