Votohen 3 anëtarët e rinj të KLP-së! Kërcënimet e Prokurorëve? Olsian Çela: Akte të rënda, duhet ndëshkim! Alfred Balla: Kaluam vite të vështira

Tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë Moisi Duda, Olger Eminaj dhe Vatë Staka. Ata u votuan sot në mbledhja e përgjithshme e prokurorëve mbajtur paraditen e sotme në ambientet e “Polit të Drejtësisë”

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi reagim të fortë dhe soliditaritet ndaj kërcënimit të dy prokuroreve të dosjes së Laert Haxhiut, Doloresa Musabelliu dhe Merita Selimi.

“Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë.”- tha ai

Në mbledhjen e prokurorëve për votimin e tre anëtarëve të rinj të KLP-së, kryeprokurori tha se janë marrë masa mbrojtëse për prokurorët, por shtoi se institucioni po kalon një periudhë të vështirë dhe për këtë, përgjegjësinë duhet ta kërkojë edhe tek vetja.

‘Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Ne kemi nevojë për institucione të besueshme, që funksionojnë në përputhje me ligjin dhe garantojnë standardet, dhe jo për institucione që i shërbejnë interesave personale.’- tha ai.

Kreu i KLP, Alfred Balla, ndau të njëjtin mendim me kryeprokurorin për problematikat e institucionit.

“Vitet e fundit kanë qenë më të vështirat në historikun e Prokurorisë Shqiptare. Ju u vutë në një sprovë besimi, në një trysni të fortë morale dhe juridike. Një pjesë prej jush ia doli dhe është këtu mes nesh”

Tre anëtarëve të KLP-së, Bujar Sheshi, Esmeralda Keshi dhe Eloida Goxhi u përfundon mandati në 19 dhjetor ndërkohë që per vendet vakante kandiduan dy prokurorë nga apeli dhe pesë nga shkalla e parë. Në përfundim asambleja e prokurore zgjodhi fitues nga prokuroret e Apelit prokurorin Moisi Duda me 122 vota ndërsa për shkallët e para dolen fitues Olger Eminaj prokuror në Korçë dhe Vate Staka prokuror në Shkodër.

1697211390_page.jpg

 

Vate Stakaj ,Olger Eminaj dhe Moisi Duda 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:12
Zgjidhen dy anëtarët e tjerë të KLP-së

1697185483_klp.jpg

Janë zgjedhur dy anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Bëhet fjalë për Olger Eminaj, i cili ka marrë 103 vota, ndërsa Vatë Staka ka marrë 98 vota.

Ora 13:49
Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtar nga Prokuroria e Apelit u zgjodh Moisi Duda

1695195566_klp1.jpg

Moisi Duda ka qenë emri i parë i përzgjedhur nga Prokuroria e Apelit për të qenë anëtare e KLP.

Vijon numërimi për zgjedhjen e 2 anëtarëve të tjerë në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ora 12:11
Kërcënimet e prokurorëve nga eksponentët e krimit, ja si përgjigjet Olsian Çela

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dha edhe disa komente për mediat pas fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme. Prokurori u shpreh se janë zhvilluar takime të posaçme për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërsa shtoi se nëse do jetë nevoja do të shtohen edhe masat për garancinë e tyre.

‘Sa i përket rastit të fundit kemi qenë në kontakt me këshillin larte të prokurorisë, janë zhvilluar disa takime dhe janë marrë masa.- tha ai.

I pyetur se sa është numri i prokuroreve të mbrojtur, Prokurori Çela tha se nuk është një numër i lartë.

“Statistikat për këtë do ja kërkoni Këshillit të Lartë Prokurorisë. Nuk besoj se ka një numër të lartë të prokurorëve të marrë në mbrojtje.

Deri më sot janë aplikuar masa për mbrojtjen e prokuroreve që kanë rezultuar efektive,. Por sigurisht ka ven për përmirësim dhe mund të shtohen nëse është nevoja.’- tha ai.

Ora 11:06
Drejt fundit të mandatit, Alfred Balla: Vitet e fundit, më të vështirat në historikun e Prokurorisë Shqiptare, u ngrit nga zero

 

Kreu i KLP-së, Alfred Balla, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, ku po prezantohen platformat e kandidatëve për prokurorë të rinj në SPAK, tha se vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për Prokurorinë shqiptare sidoqoftë ai shtoi se e gjithë puna është zero.

“Vitet e fundit kanë qenë më të vështirat në historikun e Prokurorisë Shqiptare. Ju u vutë në një sprovë besimi, në një trysni të fortë morale dhe juridike. Një pjesë prej jush ia doli dhe është këtu mes nesh,” tha Balla.

Procesi i Vetting-ut që kaluat ishte një sfidë e vërtetë. Në fund të mandatit tim do më duhet të bëj një bilanc të punës, ndihem krenar. E ngritëm nga zero, pa zyra, pa administratë.

Me sfidën e largimit të 5 anëtarëve ndër vite nga KPA kemi zbërthyer dhe aplikuar formulën e re të qeverisjes së Prokurorëve.

Në kohë rekord kemi ngritur Prokurorinë e Posaçme, fillimisht me 8 dhe sot jemi në prag të plotësimit të saj me 20 prokurorë.

Emëruam drejtuesin e Byrosë së Hetimit në SPAK. Menaxhuam në periudhën më të vështirë sistemin e prokurorisë,” tha kreu i KLP-së.

Ora 10:25
Zgjedhja e 3 anëtarëve të rinj të KLP, Olsian Çela: Po kalojmë një periudhë të vështirë, por s’duhet të lejojmë askënd të njollosë magjistratët

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela çeli i pari fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorëve që sot do të zgjedhë 3 anëtarët e rinj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Çela tha se vendi ynë ka nevojë për magjistratë të ndershëm.

Fjala e plotë:

Mirëfunksionimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbën pa asnjë dyshim një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi. Garantimi i pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre, sigurimi dhe mbrojtja e statusit, karriera e bazuar tek meritokracia, llogaridhënia përmes një procesi disiplinor transparent dhe objektiv, të marra së bashku, formojnë bazamentin që lejon funksionimin normal të prokurorisë si një nga komponentët kryesorë të sistemit të drejtësisë. Pikërisht për këtë rol thelbësor që këshilli luan, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të tij ka rëndësi madhore.

Me hyrjen e tre anëtarëve të rinj në këtë këshill, ripërtërihet plotësisht përbërja e tij që nga momenti i krijimit në dhjetorin e vitit 2018. Në këto rrethana, e gjej me vend të falënderoj anëtarët e tij ende në detyrë si dhe ata të cilët e kanë përfunduar mandatin, për kontributin e dhënë në funksionimin e institucionit të prokurorisë, në kontekstin e ndryshimeve të thella kushtetuese e ligjore. Natyrisht që ka gjëra apo procese që mund të ishin bërë më mirë apo përfunduar më shpejt, por këshilli është një organ i ri dhe e ka ushtruar veprimtarinë në rrethana aspak të lehta për sistemin e drejtësisë në vend. Procesi i vetingut dhe vakancat e krijuara nuk e kanë bërë aspak të lehtë punën për askënd, ashtu si dhe zbatimi i një sërë ligjesh të reja që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon prokuroria, standardet që lidhen me karrierën dhe procesin disiplinor, natyrshëm do të ndeshej me probleme aspak të thjeshta.

E parë në këtë këndvështrim, mbetet sfidë për këshillin e ripërtërirë si konsolidimi i mëtejshëm i arritjeve të deritanishme, ashtu edhe përshpejtimi apo korrigjimi i proceseve që mund të mos kenë ecur si duhet. Veçoj këtu ecurinë e vlerësimit të prokurorëve. Vështirësitë objektive që po has këshilli dëshmojnë nevojën për një rishikim të rregullores përkatëse, por edhe për ndryshime të mundshme në ligj. 

Marrëdhënia e këshillit me Prokurorin e Përgjithshëm duhet të vazhdojë të jetë prioritet. Respektimi i pozicionit kushtetues e ligjor të dy institucioneve, duke shmangur dualitetin në interpretimin e rolit të secilit brenda sistemit të prokurorisë dhe vënia e theksit tek ushtrimi i funksioneve në mënyrë komplementare në shërbim të institucionit, janë çështje themelore për mirëfunksionimin e organit. Prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas ligjit është përgjegjës për punën e Prokurorisë së Përgjithshme e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe përfaqësues i tyre, do të vijojë të jetë kontribues pozitiv në këtë aspekt.

Prokuroria po kalon në një proces kompleks transformimi. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve në vendimmarrje, si tipare të reja në organizimin e institucionit, shtrojnë përpara sfida të cilat nuk mund të zgjidhen përmes qëndrimeve inkoherente apo të pakoordinuara. Ndihet nevoja për një rritje të ndjenjës së përgjegjshmërisë nga ana e prokurorëve në veprimtarinë e përditshme në zyrat ku ushtrojnë funksionet. Në planin organizativ, prokuroria duhet të funksionojë si një e tërë, ndaj është e domosdoshme të gjendet ekuilibri mes respektimit të pavarësisë  nga njëra anë, por edhe sigurimit të mekanizmave efikasë drejt arritjes së objektivave institucionalë nga ana tjetër. Kjo nuk mund të arrihet pa angazhimin serioz të prokurorëve dhe drejtuesve në secilën zyrë, ashtu si dhe pa një ndërveprim e koordinim mes këtyre të fundit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Theksoj se drejtuesit e zyrave kanë një rol kyç në sigurimin e kohezionit institucional, përmes një qëndrimi proaktiv që synon sinkronizimin e veprimtarisë në të gjitha nivelet. Pikërisht në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë si procesi displinor ashtu edhe ai i vlerësimit të prokurorëve, për të siguruar llogaridhënien dhe meritokracinë, si instrumenta në funksion të garantimit të performancës institucionale.

Marrë në konsideratë sa më sipër, dita e sotme e cila është pika fundore e një rrugëtimi të nisur në muajin korrik, përbën kulmin e një procesi të zhvilluar në të gjitha prokuroritë e vendit, gjatë të cilit kandidatët kanë pasur mundësinë të takojnë kolegët dhe shpalosin pikëpamjet e tyre në lidhje me mënyrën si mund të funksionojë më mirë këshilli dhe kontributin që ata do të japin si përfaqësuesit tuaj. Dua të ndalem pak këtu, pasi ndërkohë që ndërtojmë e konsolidojmë institucione të reja, mentalitetet e së shkuarës vazhdojnë të shfaqen herë pas here. Kufizimi i dimensionit të votës në një marrëdhënie individuale mes votuesit dhe të votuarit e dëmton veprimtarinë e këshillit.  Magjistratët dhe kandidatët për këshilltarë, përmes këtij procesi votimi, janë subjekte që po realizojnë një shërbim ndaj sistemit të drejtësisë në funksion të interesit publik. Ne kemi nevojë për institucione të besueshme, që funksionojnë në përputhje me ligjin dhe garantojnë standartet, dhe jo për insititucione që i shërbejnë interesave personale.

Në këtë kontekst është e rëndësishme të sjell në vëmendjen e gjithsecilit se anëtarët e këshillit janë bartës e shërbëtorë të një përgjegjësie kushtetuese e ligjore, në funksion të garantimit të mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës, me prokurorinë si një nga kontribuesit themelorë. Ka nevojë të kuptohet drejt domosdoshmëria e ndërtimit të një marrëdhënie solide, konstruktive e transparente mes prokurorëve dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që garanton funksionimin efikas e në përputhje me standardet të këtij të fundit. Cënimi i standarteve në mënyrën si merren vendimet për karrierën apo shkeljet disiplinore të magjistratëve, është hallka e parë e një zinxhiri që përfundon me keqfunksionimin kronik të shtetit të së drejtës.

Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë.

Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Vendi ka nevojë për magjistratë të pavarur nga kushdo, që pikë referimi kanë kushtetutën dhe ligjin, dhe kanë kurajon dhe energjinë të përballen me sfidat e profesionit të vështirë që kanë zgjedhur.

Megjithë sa më sipër, ka edhe plot arsye pse ne duhet të ndihemi krenarë për atë që bëjmë çdo ditë në punën tonë. Dua të sjell në vëmendjen e gjithsecilit brenda apo jashtë kësaj salle se janë dhjetëra mijëra vepra penale që hetohen nga ju dhe janë po dhjetëra mijëra autorë që marrin ndëshkimin çdo vit në gjykata falë punës suaj. Shumë kriminelë të rrezikshëm kanë vuajtur apo ende vuajnë dënimet për krimet e kryera falë punës shumëvjeçare të qindra magjistratëve. Çdo çështje e zgjidhur, sado e vogël apo e parëndësishme në dukje, është në fakt një akt drejtësie i kryer për qytetarët e këtij vendi. Ne prokurorët, do të vazhdojmë të kërkojmë të bëjmë më të mirën, të palëkundur në angazhimin tonë për drejtësinë. Ndaj ta shikojmë ditën e sotme si një mundësi për më shumë normalitet. Ndryshimet janë përherë një shans i mirë për t’u përmirësuar dhe ecur përpara.

Në mbyllje të fjalës, dëshiroj t’i falënderoj kandidatët për angazhimin e tyre në këtë proces si dhe për integritetin e profesionalizmin e treguar gjatë fushatës që kanë zhvilluar e t’ju uroj atyre suksese.

G.MO/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 14/10/2023 01:10

    Dy anesoret duken si ne prag pensioni!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët